Diktatori libian ka kthyer goditjen, jo me aeroplanë dhe raketa, por me propagandë.
Regjimi në Tripoli pohon se nga goditjet e para perëndimore janë vrarë 48 civilë dhe 150 janë plagosur. Këto të dhëna nuk janë verifikuar dhe regjimi i Gadafit me gjasë është duke i ekzagjeruar.
Diç e ngjashme kishte ndodhur edhe në luftën e Kosovës në vitin ‘99, kur aeroplanët e NATO-s, duke vënë zonën e dalim – fluturimit, ishin akuzuar për vrasje të një numri të madh të civilëve serbë.
Qëllimi ishte që populli serb të nxitej kundër agresorit të jashtëm dhe të demoralizohej Perëndimi që aksionin e kishte justifikuar si mjet për shpëtimin e jetëve.
Këto taktika të regjimit serb nuk arritën të frenojnë NATO-n në Ballkan, por mund të dëshmohen efektive në Afrikën Veriore. Raportet për viktimat civile, ndonëse ende të paverifikuara, mund të tregohen më toksike në botën arabe, sesa që ishin në rastin e Kosovës, për shkak të historisë së interferimeve të Perëndimit në këtë rajon.
Perëndimi nuk duhet të nënçmojë efektivitetin e kësaj propagande, veçanërisht nëse në ditët e ardhshme viktimat civile verifikohen.
Tashmë ka ndryshim në qëndrimin kritik ndaj ndërhyrjes nga ana e Ligës Arabe dhe fjalë kritike nga Rusia, Kina dhe Unioni Afrikan.
Operacioni nuk është pa vështirësi dhe pyetja që shtrohet është nëse ai është i limituar dhe nëse Perëndimi është i gatshëm të tolerojë mbetjen e Gadafit në pushtet?
Në fakt, a është i gatshëm Perëndimi të lejojë krijimin e Libisë së ndarë ndërmjet forcave pro-Gadafit dhe forcave opozitare?
Admiralin Majk Mullen ka thënë se kjo ishte e mundur dje, por pa elaboruar se si do të reagonte koalicioni nëse kjo do të bëhej realitet.
Perëndimi është duke bërë ad-hoc politikë dhe kjo është e natyrshme nëse kihet parasysh ndjeshmëria politike e intervenimit humanitar. Kjo politikë bart me vete edhe rreziqe të konsiderueshme, sepse pas skenës duhet pasur qëndrime të qarta për mbylljen e këtij operacioni