Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, e ka quajtur të pavërtetë lajmin se pas autopsisë është vërtetuar se disa nga të vrarët në Kumanovë janë ekzekutuar pasi që janë dorëzuar tek policia maqedonase.
Ai ka porositur qytetarët që të mos bien pre e klikimeve të disa portaleve, e këto të fundit i ka porositur që të kenë më shumë respekt, së paku për familjet e të rënëve. Ai ka garantuar se asnjë deklaratë rreth mënyrës së vrasjes së kosovarëve në Kumanovë nuk është lëshuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore.
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e Gërgjaliut:
Të nderuar qytetar… për hir të informimit të drejtë mos u bani viktimë e klikimeve të disa portaleve…
DML – 6 patologët së bashku me njësitin e forenzikës së Policisë së Kosovës kanë kryer autopsitë e 9 të vrarëve në Kumanovë. Ne kemi kryer punën tonë bazuar në standardet operative profesionale… dhe pas përpilimit të raporteve në të njëjtat do t’ia dorëzojmë prokurorit të shtetit të R. së Kosovës….
Kaq na lejon etika profesionale… vlerësimet tjera i japin organet përkatëse.
Asnjë koment tjetër nuk është lëshuar nga DML.
Me shprese se disa portale do te kenë respekt së paku ndaj familjeve…