Kombëtarja portugeze i është bashkuar Gjermanisë për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt të Euro 2012 nga Grupi B. Me rezultat 2-1, Portugalia triumfoi ndaj Holandës, ndërsa ‘die Mannschaft’ me rezultat identik mposhtën Danimarkën.
Tulipanët e filluan më mirë takimin dhe pas vetëm 11 minutash kaluan në epërsi. Rafael van der Vaart pranoi një top nga Arjen Robben për ta kaluar Holandën në avantazh.
Mirëpo, pas golit të pranuar portugezët e morën kontrollin e ndeshjes duke krijuar raste të njëpasnjëshme dhe arritën deri te goli i merituar.
Një superpasim i Joao Pereiras e gjeti Cristiano Ronaldon në zonë, ndërsa asi i Real Madridit nuk fal nga pozita të tilla (28’).
Skuadrat shkuan në pushim me shifra identike, megjithëse Portugalia është dashur të shënonte edhe gola të tjerë pasi e dominoi fraksionin e parë.
Edhe në gjysmën e dytë të ndeshjes vetëm një përfaqësuese u pa në fushë, ndërkohë që holandezët luanin vetëm sa për t’u kryer minutat.
Pas disa rasteve të krijuara, Portugalia e realizoi golin e shumëkërkuar dhe ishte sërish Cristiano Ronaldo. CR7 pranoi një top nga Nani dhe me qetësinë e një mjeshtri i krijoi vetes hapësirë dhe realizoi (74’).
Në takimin tjetër të këtij grupi, Gjermania ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Danimarkës. Podolski (19’) dhe Bender (80’) shënuan për gjermanët, ndërsa Krohn-Dehli për danezët (24’).
Pas rekordit prej tri fitoresh, Gjermania kualifikohet nga pozita e parë në grup, ndërsa me dy fitore dhe një humbje, Portugalia avancon nga pozita e dytë.
Në çerekfinale, kundërshtar i ‘die Mannschaft’ do të jetë Greqia, ndërsa Republika Çeke do ta sfidojë Portugalinë.