LajmeMaqedonia

Gjysma e fjalëve shqip, gjysma maqedonisht

Testet për provimin e marrjes së lejes për vozitje janë të përkthyera në mënyrën më skandaloze që ekziston. Bluja quhet ngjyrë hiri, ndërsa mjaft fjalë nuk janë përkthyer fare dhe janë lënë në gjuhën maqedonase. Ndërsa për gabime drejtshkrimore nuk mund të flasësh, pasi gati çdo pyetje e testit ka të paktën një gabim. Pronari i auto shkollës “Ardi”, Nexhmedin Fazliu, thotë se për skandalin me testet janë ankuar disa herë në Sektorin për komunikacion pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), por prej andej nuk kanë marrë asnjë lloj përgjigjeje. “Përkthimi është skandaloz. Ka me qindra gabime trashanike të cilat i ngatërrojnë kandidatët që duan të marrin lejen për vozitje”, thotë për “Lajm”, Fazliu. Ai sqaron se disa herë janë drejtuar me shkrim tek sektori për komunikacion pranë MPB-së dhe kanë kërkuar që të mënjanojnë këto gabime, si dhe kanë ofruar ndihmën e tyre, por, siç thotë ai, gjithçka ka qenë e kotë. “Disa herë kemi bërë ankesa tek sektori për komunikacion, por ankesat tona asnjëherë nuk janë marrë parasysh. I kemi dedikuar gabimet dhe u kemi ofruar ndihmë, por më kot. Drejtori i këtij sektori, Ajet Neziri, as që i ka marrë parasysh ankesat tona”, thotë Fazliu, duke shtuar se jo vetëm auto shkolla “Ardi”, por edhe auto shkolla të tjera kanë paraqitur ankesa për gabimet e shumta që gjenden nëpër teste.

Meqë testet në gjuhën shqipe nuk merren vesh fare, plot kandidatë mësojnë sërish prej testeve në gjuhën maqedonase dhe në provim hynë në maqedonisht.

“Testet në shqip kanë qindra gabime, jo vetëm drejtshkrimore, por edhe gabime të tjera. Nuk mund t’i kuptoja mirë, ndaj vendosa që të mësojë prej testeve që janë në gjuhën maqedonase”, tha Merita M., kandidate për të marrë lejen e vozitjes. Ajo ka pranuar që të mësojë prej testeve maqedonisht, meqë e njeh mirë gjuhën maqedonase. Ndërkaq, kandidatët që nuk e njohin mirë maqedonishten, mësojnë prej testeve në gjuhën shqipe dhe për shkak të gabimeve në përkthim, jo rrallë herë u duhet që ta përsërisin provimin.

Deri para dy vjetëve testet për leje vozitjeje ishin vetëm në gjuhën maqedonase. Pas shumë përpjekjesh u arrit që ata të përkthehen edhe në shqip, por meqë përkthyesit nuk janë njohës të mirë të gjuhës shqipe, ata e quajnë blunë ngjyrë hiri dhe kandidatët mbeten duke kërkuar makinën me ngjyrë hiri.

Tags
Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close