Grabitet kasaforta me 150 mijë dollarë
Një kasafortë në minimarketin me materiale ndërtimi dhe hidrosanitare u grabit të dielën, në Vorë të Tiranës.
Dyshohet se grabitjen e dyqanit e kanë kryer katër persona, duke tërhequr me kavo çeliku kasafortën, brenda së cilës ndodheshin flori, dollarë dhe lekë shqiptare, me një vlerë totale mbi 150 mijë dollarë.
Ngjarja ndodhi në dyqanin e biznesmenit Bexhet Tragaj, i cili e ushtron aktivitetin e tij në Vorë, prej më shumë se 20 vitesh.
Sipas hetuesve, nga mënyra si është realizuar supergrabitja, personat që kanë arritur të hapin derën e hekurt dhe të tërheqin nga aty kasafortën, kanë qenë profesionistë.
Forcat e policisë kanë shoqëruar për të marrë në pyetje pothuajse të gjithë personat me precedentë penalë në vjedhje por, asnjë prej të tyre nuk ka rezultuar autor, ndërsa hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.