Greta Koçi ka fituar 1 miliardë lekë
Synimi per te pushtuar tregun mediatik dhe e ardhmja si politikane.
Greta Koçi rrëfehet…E ulur në poltronin prej lëkure, pas tavolinës së kafenjtë të zyrës së saj, me laptopin përpara e me muzikën e “G.M Radio” në sfond, 20-vjeçarja e suksesshme, së fundmi edhe në biznes, i përgjigjet gjithë elegancë secilës prej pyetjeve që i drejtoj. Në ndryshim nga intervista ime e fundit me të (nga ajo kur e kam takuar, sepse të tjerat që pasuan janë realizuar përmes e-mail-it), mami dhe babi që bëjnë edhe rolin e menaxherëve të Gretës e Enit, nuk janë aty. Tashmë, Greta është rritur dhe për këtë do të flasin vetë përgjigjet që do të pasojnë këtë intervistë. Bukuroshja e skenës do të ndajë sot me lexuesit e “Summer Pages” shumë surpriza, duke filluar nga këngët e reja, për të vazhduar me synimet për t’u bërë lidere në fushën e medias, e deri tek ambicia për të prekur politikën. Ah, se mos harroj…veç opinioneve për politikanët shqiptarë, të cilat Greta i ndan me ne për herë të parë, rrëfimi i sotëm sjell këndvështrimin e saj për martesën dhe shifrën marramendëse në llogarinë bankare që shumë shpejt arrin miliardin…
Greta, si po kalon këto kohë?
Po kaloj shumë mirë, edhe pse jam tepër e angazhuar. Pavarësisht lodhjes, e rëndësishme është që jam e mbështjellë nga ndjesi pozitive.
Me çfarë je duke u marrë?
Me këngë të reja, me projekte të reja dhe shumë ambicioze. Tashmë, përveç “G.M Radio”, do të jetë nën drejtimin tim edhe “G.M Television”. Ndërkaq po krijoj një produksion videoklipesh me një staf profesionistësh, ku të gjithë artistët të mund të realizojnë videoklipet e tyre me një cilësi të lartë. “G.M Production” do të jetë emri i studios së prodhimit. Synoj pushtimin e tregut mediatik muzikor dhe, duke qenë se e njoh mirë terrenin, besoj se do t’ia dal. Këto janë angazhimet e mia në këto momente.
Po pushime ke bërë?
Jo, nuk kam mundur të bëj pushime siç duhet të bëja, kam pushuar vetëm 3 ditë (qesh).
Me pak fjalë, këtë vit s’ka pushime, apo i ke lënë për më vonë?
Kam vendosur që t’i përkushtohem maksimalisht punës gjatë këtij viti. Ndoshta pushimet mund të vijnë në një kohë të dytë, pse jo edhe në dimër.
Si ka qenë kjo stinë me koncertet, ke pasur më shumë punë se në vitet paraardhëse, apo jo?
Ka pasur ngarkesë, sigurisht, por unë këtë verë nuk kam qenë prezente së tepërmi në koncerte, pasi ngarkesa ime këtë vit ishte edhe më e madhe duke qenë se tashmë drejtoj disa institucione mediatike, kështu që kam refuzuar shumë koncerte…
Nga sa kanë variuar pagesat?
Këto janë pyetje private, të cilat nuk kam dëshirë t’i ndaj me të gjithë, megjithatë, kurrë për mua personalisht nuk ka qenë primare pagesa përpara kënaqësisë së madhe që ndjej pranë fansave të mi.
Meqë kërkon të mbetesh diskrete në aspektin e pagesës, s’po të ngacmoj më shumë, por gjithsesi nuk do të largohem nga pasuria. Kënga jote e fundit, ndonëse nuk ka fort lidhje me ty, flet për një milionere të parë. A është Greta milionere?
(qesh) Nuk e di ende se sa ka shkuar shifra në llogarinë time bankare, (buzëqesh), po gjithsesi nuk mund ta mohoj, kam krijuar një shumë të konsiderueshme…
Jemi shumë larg miliardit?
Jo shumë (qesh).
Greta, si të lindi dëshira për t’u bërë sipërmarrëse?
Mendoj se ishte momenti, por gjithashtu mund të them se kur ke pasionin dhe dëshirën për të realizuar diçka, nuk ka asgjë të pamundur. Doja që një ditë të isha këtu ku jam sot, frymëzimin e mora nga njerëzit, nga kërkesat e tyre.
Cila është sfida jote e radhës?
Nuk di se çfarë të them më përpara…Sfida në radhë ka shumë.
A shpenzon shumë?
Po, shpenzoj. Më pëlqen shumë të bëj shopping dhe shpenzoj mjaftueshëm për veten.
Cila është blerja jote e fundit dhe sa ka kushtuar?
Kur unë dal për shopping, e kam të ndarë mendjen që do të shpenzoj mirë, (qesh). Blerja e fundit fare…Hmmm, një fustan, 800 euro.
Je e fiksuar pas veshjeve firmato?
Sigurisht që veshjet firmato janë cilësore e të rehatshme, megjithatë, unë mendoj se çdo njeri duhet të zgjedhë atë që i qëndron më mirë pas trupit, pra jo domosdoshmërisht firmato.
Para disa vitesh ke bërë bamirësi, duke dhuruar një shumë të konsiderueshme në ndihmë të banorëve të Gërdecit. E ke menduar ndonjëherë krijimin e një fondacioni humanitar në ndihmë të të sëmurëve, siç bëjnë yjet në botë?
Shumë herë e kam menduar dhe ndoshta edhe mund ta realizoj. Unë mendoj se me aq mundësi sa kemi, të gjithë duhet të japim përkrahje dhe të ndihmojmë fëmijët jetimë, të sëmurët, njerëzit me aftësi të kufizuar…
Pas kaq vitesh në skenë, ke ndonjë peng Greta?
Jo, në këto momente që po bëjmë këtë intervistë nuk ndjej se duhet të deklaroj ndonjë peng.
A je zhgënjyer ndonjëherë?
Edhe jam zhgënjyer, pasi rruga e artit, përveç kënaqësisë që të fal, të jep dhe zhgënjime, megjithatë unë i kam kaluar pa i përjetuar shumë.
Si funksionon show-biznesi në Shqipëri?
Show-biznesi në Shqipëri?! Një betejë, ku gjithsecili në mënyrën e tij mundohet të dalë i pari.
A je ndjerë ndonjëherë e bezdisur nga shkrimet në gazeta, apo qoftë edhe nga paparacët?
Kanë qenë vërtet të rralla, ama ka pasur raste kur jam ndjerë keq. Këto raste kanë qenë në fillimet e mia, më pas janë kthyer në të zakonshme për mua.
A shkojnë vërtet mirë kolegët me njëri-tjetrin, apo gjithçka bëhet për sy e faqe?
Unë, personalisht kam marrëdhënie të mira me kolegët, ndaj nuk mendohet se ekzistoni falsitet i rënduar në këtë relatë.
Ka ndonjë prej tyre, me të cilin nuk shkon mirë?
Nuk kam një të tillë.
Vetëm pak kohë më parë ke publikuar klipin, të cilin e cekëm edhe më lart. Cilat janë përshtypjet që ke marrë për të?
Përgjithësisht përshtypje shumë të mira. Më kanë komplimentuar edhe shumë nga kolegët që kanë nxjerrë klipe këtë verë, kjo për të vërtetuar edhe njëherë se marrëdhëniet tona nuk janë të ndërtuara për sy e faqe të publikut. Veç kësaj, fansat më kanë shkruar pozitivisht dhe për këtë jam ndjerë shumë mirë.
Një këngë e re prej teje, kur do të vijë?
Shumë shpejt do të lançoj 2 këngë të reja. Njëra i përket zhanrit popullor, ndërsa tjetra është krijim modern. Kënga popullore, në të cilën do të mbizotërojnë ritmet e Jugut, është punuar nga mjeshtëri i madh, Edi Balili. Kjo këngë vjen për të plotësuar temperamentin tim në muzikë, pasi unë tashmë njihem si një këngëtare e muzikës së lehtë, megjithatë edhe më herët është provuar që u përshtatem të gjitha shijeve muzikore të publikut, duke sjellë jo rrallëherë edhe këngë popullore. Sa i përket këngës tjetër, ajo është punuar nga Stine dhe i shkon për shtat karakterit tim. Nuk mund t’ju them nëse do të jenë të shoqëruara me video, apo se kur do të lançohen ekzaktësisht, di vetëm që do të vijnë shpejt tek publiku.
Edhe pak muaj na ndajnë nga dy festivale të rëndësishme, siç janë “Kënga Magjike” dhe Festivali Kombëtar i RTSH-së. Do të marrësh pjesë në ndonjërin prej tyre?
Po, ju konfirmoj pjesëmarrjen time në “Kënga Magjike”.
Të flasim pak edhe për festivalin, për të cilin ke premtuar se do ta realizosh vetë. Si po shkojnë përgatitjet?
Për momentin siç e thashë më lart, kam prioritet fillimin e punës në studion e prodhimit dhe lançimin e duhur të televizionit. Gjithsesi, edhe festivali bën pjesë në projektet e mia, ndoshta nga fundi i vitit do të kem diçka më konkrete për të ndarë me ju sa i përket atij. Votimi vazhdon në “G.M Radio” çdo ditë.
Ky tetor do të të gjejë në vitin e tretë të universitetit. Ç’marrëdhënie ke me shokët e shoqet e klasës, dhe si shkon me studimet?
Po është e vërtetë, këtë vit jam në vitin e tretë të shkollës së lartë për Shkenca Politike. Sa i përket marrëdhënieve me shokët e shoqet e klasës, qysh e vogël nuk para afeksionohesha shumë me ta. Nuk krijoj shoqëri të ngushta, megjithatë ndërtoj marrëdhënie që për bazë kanë respektin e ndërsjelltë dhe si të tilla mund të them se shkojnë shumë mirë. Sa i përket rezultateve, personalisht duke marrë parasysh angazhimet, jam shumë e kënaqur.
Fakti që studion për Shkenca Politike, tregon që në një të ardhme s’do të jetë çudi të të shikojmë edhe të aderosh në këtë fushë?
Politika është një nga pikësynimet e mia për të ardhmen. Ndoshta pas disa vitesh do të jem pjesë e saj, pa lënë pas dore muzikën që është jeta ime.
Ç’mendim ke për politikëbërjen në Shqipëri?
Nuk mund të them që situata është optimiste…I ndjek me interes zhvillimet politike në Shqipëri, më së shumti pas nisjes së studimeve për këtë fushë dhe mund të them e bindur se kam shumë rezerva. Ka vend për përmirësime, madje mendoj se ka ardhur momenti që edhe politika shqiptare të vihet në shërbim të popullit, dhe jo në shërbim të xhepave të politikanëve. Nuk dua të bëj fajtore njërën apo tjetrën parti, me rëndësi për mua është që të rikthehet dialogu mes palëve, për të mirën e qytetarëve.
Cilin prej politikanëve shqiptarë vlerëson më shumë?
Janë disa dhe personalisht nuk do të preferoja të përmendja emra. Veçse mund të them që në të preferuarit e mi renditen politikanë të djathtë e të majtë, nuk parapëlqej të bëj ndasi në politikë. Unë jam me atë që punon mirë, me atë që mendon për të mirën e përgjithshme, mendon për popullin.
Për cilin krah politik bëre tifo në zgjedhjet lokale, ose më mirë në koncertet e cilës parti këndove?
E thashë edhe më parë, s’më pëlqejnë ndasitë dhe meqë po më pyet për koncertet, këndova në fushatat e të dyja palëve.
Do të të bëj tani një pyetje private…A kemi ndonjë të re nga jeta sentimentale?
Ende s’ka të reja.
Jemi ende herët, do ndoshta edhe një dekadë që të vijë ai moment, po më trego të vërtetën, e ke menduar ndonjëherë martesën? Si e imagjinon atë moment?
Natyrisht që e kam menduar. Besoj se çdo vajzë e mendon atë moment, sidomos pjesën e vellos dhe të fustanit të bardhë. Megjithatë, unë mendoj se martesa është institucion dhe si e tillë kërkon kohë për të marrë vendime të pjekura. Kam përshtypjen, duke e njohur mirë veten time, që kur ta ndërmarr atë hap do të jem 100% e sigurt. Nuk i pëlqej pendesat apo kthimet pas. Sikundër nuk pëlqej bashkëjetesën, apo historitë me shumë djem. Kur ta gjej djalin që do të më vjedhë zemrën, do harxhoj pak kohë për ta njohur, e më pas do kujdesem që të marr hapat e duhur konform parimeve të mia.
Greta, të flasim pak për përditshmërinë. Si kalon ajo?
Mes angazhimeve në Radio dhe shtëpisë, takimeve me miq të afërt, bisedave për punë, drekave familjare, koncerteve etj.
A merresh ndonjëherë me punë shtëpie?
Natyrisht që ndonjëherë merrem me punë shtëpie. Them ndonjëherë, sepse koha e kufizuar më pengon që t’i kushtoj intensivisht vëmendje kësaj pjese. Ka raste kur i futem me themel bashkë me Enin, megjithatë ndodh rrallë. Pjesa që urrej më shumë në punët e shtëpisë është larja e enëve, e kam si me bezdi se më prishen thonjtë (qesh).
Po të gatuash, di? Çfarë ke si specialitet dhe kush të ka mësuar?
Përpiqem ndonjëherë që të gatuaj. Natyrisht që për të mësuar më është dashur t’i qëndroj mamit dhe gjyshes mbi kokë teksa realizojnë ato recetat e mrekullueshme. Jam përpjekur t’u vjedh ndonjë sekret dhe me sa kam parë, ia kam dalë. Madje një ditë, më kishte hipur nepsi për të ngrënë speca të mbushura, mami s’ishte në shtëpi dhe me recetën e saj përmes telefonit ia dola ta gatuaja. Ajo kur erdhi, më tha që e kisha bërë edhe më të mirë se ajo, të gjithë kështu thanë, shpresoj mos ta kenë bërë këtë për të më ngritur moralin (qesh).
Dimë që ke një debulesë të madhe për gjyshet. Ç’marrëdhënie ke me to, ua tregon sekretet?
I dua shumë dhe më vjen mirë që janë gjyshe moderne. Më dëgjojnë dhe më japin këshilla, siç vetëm gjyshet dinë t’i japin.
Më fol pak për mamin dhe babin, sa kërkues dhe sa tolerantë janë ata ndaj teje sot?
Në fillim kanë qenë shumë kërkues, sepse natyrisht kanë dashur më të mirën për mua në çdo aspekt të jetës. Sot, duke e parë që me kalimin e viteve jam pjekur, janë bërë më tolerantë, madje do të thosha bashkëpunues. Më dëgjojnë dhe i dëgjoj, derisa arrijmë të mesmen e artë. Në aspektin e muzikës mami vijon të mbetet kërkuese edhe sot e kësaj dite, ndoshta ngaqë këtë pjesë e ka dashur shumë edhe vetë, ndërsa në biznes jemi partnerë.
Kush e ngre më shumë zërin në shtëpi?
Të gjithë e ngremë në momentet tona, në atë 5-minutëshin, po gjithsesi mami dëgjohet pak më shumë, ndoshta edhe ngaqë ka marrë mbi vete stresin dhe përgjegjësinë e drejtimit të punës.
Më flit pak edhe për Enin. Ç’marrëdhënie ke me të? Duket sikur është më çapkëne se ti. Ziheni shpesh?
Është e vërtetë që është më çapkëne se unë, por me kalimin e viteve edhe ajo sikur është zbutur. Jemi motra, po aq sa edhe shoqe dhe kuptohemi që në sy me njëra-tjetrën. Nuk e mbaj mend herën e fundit kur jemi zënë, kjo sepse ka ndodhur shumë përpara.
E kritikon ndonjëherë për mënyrën e të kënduarit…
Unë për Enin jam kujdesur qysh prej fillimit të saj në muzikë, kemi bërë shpeshherë bashkë në shtëpi vokalica, kam bërë në një farë mënyre atë që bëri mami për mua në fillim. Sot e shikoj të rritur profesionalisht, gjithsesi jemi gjithmonë të hapura ndaj njëra-tjetrës për kritika.
Jeni bërë së fundmi edhe rivale në biznes. A e bëni në fund të muajit bilancin se kush fiton më shumë?
Ne jemi motra dhe, nëse kam unë shumë, ka edhe Eni, e njëjta gjë vlen edhe për të anasjelltën. Me rëndësi është që ne të punojmë, pastaj të ardhurat në një llogari shkojnë. Natyrisht që për momentin edhe për shkak të eksperiencës e moshës, unë kam pak më shumë pushtet, e si pasojë edhe më shumë të ardhura se Eni, por kjo nuk përbën shqetësim për të…