Kryeministri Nikolla Gruevski ka dhënë llogari para deputetëve për tremujorin e parë të qeverisjes. Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare Orhan Ibrahimi ka pyetur Gruevskin pse investimet e Qeverisë përqendrohen vetëm në rajonet maqedonase dhe anashkalohen vendbanimet shqiptare.
“Sot edhe pas 100 ditësh vazhdon agonia e shqiptarëve në Maqedoni. Shqiptarët përballen me shumë probleme në shumë fusha të jetës. Procesi edukativo arsimore i ngjason mesjetes. Dua ti parashtroj një pyetje konkrete kryeministrit Gruevskit, kur e ka ndërmend të bëhet kryeministër edhe i shqiptarëve?”, pyeti deputeti Ibrahimi.
Gruevski u përgjigj se Qeveria punon në favor të gjithë qytetarëve.
“Gjithçka që bëj unë, Qeveria, ministrat bëjmë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Të gjitha projektet janë të dedikuara për të gjithë pa dallim etnie dhe feje”, u përgjigj Gruevski.
Kjo përgjigje e Gruevskit nuk ishte bindëse për deputetin Ibrahimi, i cili tha se të gjithë parametrat sa investohet tek shqiptarët janë negativë. “Jam i sigurt se problemi më i madh në vend është problemi shqiptaro-maqedon, andaj ju ftoj ta ndryshoni qasjen e politikës”, kërkoi Ibrahimi.
Nga ana tjetër, deputetët e partisë maqedonase në opozitë LSDM kritikuan Qeverinë për izolimin e vendit, ndërsa pyetën nëse Maqedonia do të mund të anëtarësohet në NATO në samitin e radhës në Çikago? Gruevski tha se Shkupi ka plotësuar të gjitha standardet për anëtarësim por pengesa e vetme sipas tij mbetet Greqia e cila bllokon integrimin për shkak të cështjes së pazgjidhur të emrit. Opozita kritikoi Gruevskin dhe Qeverinë e tij edhe për dështimin e regjistrimit, rritjen e papunësisë si dhe shpenzimet e mëdha për kremtimin e 20 vjetorit të pavarësisë.