Hajnat ‘çmendin’ Hajvalinë
Brenda një jave banorët e Lagjes së Re në Hajvali, fshat ky në periferi të Prishtinës, janë përballur me një seri vjedhjesh e demolimesh në shtëpitë e tyre. Sipas tyre, shkruan sot “Koha Ditore”, në javën që shkoi rreth 30 shtëpi janë plaçkitur dhe ky ritëm ishte ndalur vetëm atëherë kur të rinjtë e lagjes në “mungesë të aksioneve policore” ishin detyruar ta merrnin rolin e “kaubojit Lucky Lucke” për t’i ndjekur dhe për t’i zënë hajnat në flagrancë.
N.Sh. 41-vjeçar nga kjo lagje ka treguar se pothuajse për çdo vjedhje është lajmëruar policia. Këta të fundit megjithëse kishin kryer kontrollet rutinë, nuk e kishin shtuar prezencën e tyre në këtë lagje dhe kjo, sipas N.Sh-së, ka bërë që hajnat ta vazhdojnë “aktivitetin” e tyre.“Vjedhjet ia nisën të shpeshtoheshin. Çdo ditë thyheshin shtëpitë e komshinjve nga ora gjashtë deri në orën tetë bash kur është koha kur njerëzit shkojnë në vizita për të pirë çaj”, ka thënë N.Sh.
Të premten, të rinjtë e lagjes e kishin vërejtur një veturë “të dyshimtë” nga e cila kishin dalë dy persona dhe ishin drejtuar tek një shtëpi. “Ato ditë të rinjtë veç kishin filluar ta përcillnin situatën dhe të premten si i kanë vërejtur se janë duke hyrë disa të dyshimtë në një shtëpi na kanë njoftuar neve, komshinjve dhe policinë. Ne kemi dalë dhe kemi filluar me i ndjek”, ka treguar ai.
Pasi që hajnat e kishin vërejtur se po ndiqeshin nga banorët, ata kishin filluar të vraponin, ndërkaq vetura që i kishte sjellë ata në atë lagje ishte nisur që t’i merrte. “Njëri nga komshinjtë e ka parë veturën dhe shoferin që kishte ardhur për t’i marrë hajnat dhe ka dalë me veturën e tij dhe ia ka bllokuar rrugën”, ka shtuar N.Sh, shkruan Koha Ditore.
Kështu ata kishin arritur ta bllokonin rrugën dhe ta ndalonin shoferin e nga ana tjetër një grup prej rreth 15 meshkujsh i kishin zënë edhe dy hajnat e tjerë. “Pasi ne e përfunduam aksionin diku kaluan 20 minuta dhe erdhi edhe policia, të cilët i arrestuan ata”, ka shtuar ai. Ndërkaq, një banor tjetër, rreth të dyzetave, që ishte përballur direkt me njërin nga hajnat, ka treguar se ata kishin qenë të armatosur me thika dhe e ka përshkruar si mjaft sfidues momentin kur ai kishte arritur ta kapte dhe ta dorëzonte njërin prej hajnave tek policia”. Me të vërtetë kam qenë shumë i rrezikuar, sepse ka mundur të më ndodhte më e keqja, mirëpo ka qenë ai momenti kur ne u mobilizuam dhe nuk menduam fare për pasojat. E rëndësishme ishte që ne t’i largonim ata hajna nga aty”, ka treguar ai.
Në shtëpinë e A.I-së, 42 vjeçar, hajnat kishin hyrë ditën e mërkurë dhe brenda më pak se një ore kishin arritur ta demolonin komplet shtëpinë e tij dhe të dilnin nga aty me stoli dhe dekorime që arrinin vlerën mbi një mijë euro.
”Isha vetëm në shtëpi dhe ishte diku ora tetë e mbrëmjes kur dola për t’i blerë disa barna në barnatore. Kur u ktheva e hapa derën e pashë dyshemenë e ndytë dhe i vërejta fërkemet”, ka treguar A.I.
Aty ai e kishte kuptuar se dikush i kishte hyrë në shtëpi. Më pas kur kishte hyrë nëpër dhoma, dollapët e tyre kishin qenë të zbrazur dhe tërë rrobat dhe gjësendet kishin qenë përtokë. “Ishte bërë hallakam shtëpia dhe e njoftova menjëherë policinë. Ata pas një orë e gjysmë erdhën dhe e fotografuan shtëpinë nga brenda, i morën shenjat e gishtërinjve, disa shënime dhe shkuan”, ka thënë A.I.
Deri më tani ai tregon se ka arritur të identifikojë që i mungojnë vetëm stolitë e arit dhe disa dekorime të tjera me vlerë. “Ndoshta kanë marrë edhe gjana tjera të cilat i zbulojmë më vonë”, ka thënë ai. A.I, tregon se më shqetësuese për familjen e tij mbetet trauma që u kanë shkaktuar ngjarjet e fundit, sidomos fëmijëve. “Besoni vajza nuk po guxon as deri në korridor me dalë nga frika e lëre më të flejë e vetme. Natën e parë kur kanë hyrë ata është dashur t’i largoja fëmijët nga shtëpia, ngase nuk mundeshin të qetësoheshin”, ka treguar A.I.
E njëjta atmosferë është duke mbretëruar ,sipas tij, në tërë lagjen. Banorët po ndiejnë pasiguri dhe “nuk po guxojnë” t’i lënë shtëpitë vetëm. “ Polica duhet të sillet nga pak këndej. Po të vinë ata çdo ditë të patrullojnë, ndryshe do të shkonin punët. Kur ata nuk janë prezentë, hajnat trimërohen”, ka thënë ai.
Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), ka bërë të ditur se më 18 janar, të premten, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj, të cilët kanë hyrë me forcë në brendi të një shtëpie në fshatin Hajvali.