Aranzhmani i udhëtimit dhe qëndrimit atje kushton 400 euro për person, ose 200 mijë euro për të gjithë tifozët. RDK kërkon ti jepet fund harxhimit të parave për qëllime joproduktive dhe konflikt nxitëse
Shkup, 4 prill – Qeveria ndau edhe 200 mijë euro për tifozët e Hendbollit të cilët veç më janë të njohur për ofendimet dhe sharjet që i bëjnë kundër shqiptarëve.
Të premten 10 autobusë me rreth 500 tifozë maqedonas të sponsorizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të mbërrijnë në qytetin suedez Geteborg për të përkrahur Kombëtaren e hendbollit në ndeshjen kundër Hungarisë që luhet të dielën. Aranzhmani i udhëtimit dhe qëndrimit atje kushton 400 euro për person, ose 200 mijë euro për të gjithë tifozët. Vendimin e Qeverisë për sponzorizimin e tifozëve huliganë nuk deshën ta komentojnë a Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe as Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Ndërsa, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) kërkon ti jepet fund harxhimit të parave për qëllime joproduktive dhe konflikt nxitëse. “RDK kërkon që t’i jepet fund kësaj politike te harxhimit të parave, të mbledhura edhe nga shqiptarët, për qëllime të cilat, jo vetëm që nuk janë produktive, por edhe që përdoren për ngjarje që në të kaluarën kanë dëshmuar se janë shfrytëzuar për të ofenduar shqiptaret dhe për të krijuar një atmosfere të nxitjes së konflikteve ndëretnike në vend!”, thanë nga zyra për informim e RDK-së. Sipas tyre sponsorizimi i fundit i tifozëve maqedonas nga Qeveria e Maqedonisë nuk është asgjë e re. “Ajo është vazhdimësi e financimit te projekteve antishqiptare nga ana e Qeverise se drejtuar nga VMRO-ja dhe dëshmi e rolit dekor të BDI-së në qeverisje. 200.000 euro për 500 tifozë tregon se as ministrat e BDI-se si anëtare te Qeverise dhe as BDI-ne si parti ne koalicionin qeveritar nuk i pyet askush”, tha zëdhënësi i RDK-së, Armir Ramadani.
Tifozët e kombëtares maqedonase në hendboll u bënë të njohur me skandiumet e shumta ofenduese antishqiptare gjatë kampionatit evropian në Serbi. Refreneve të tyre fashizoide në disa ndeshje iu bashkëngjitën edhe lojtarët e kombëtares maqedonase. Edhe në Serbi shumica e tifozëve maqedonas udhëtuan me përkrahje financiare prej Qeverisë.