KosovaKronika e ZezeLajmeMaqedoniaShqiperia

Hetimi mbi zhdukjen pa gjurmë të myftiut të Gotivarit Irfan Idrizi



Gajur Idrizi, vëllai i Irfanit të marrë peng, bën publike dëshmitë për ngjarjen e 2 dhjetorit 2002

Ja të implikuarit e pengmarrjes
Rrëfen Mezim Bexheti: Janë dhënë 1 milionë euro

Tiranë

Familja e Irfan Idrizit, vendos të publikojë dëshmitë origjinale të personave që përjetuan ngjarjet.

Vetë vëllai i myftiut të rrëmbyer, shqiptaro-maqedonasi Gajur Idrizi, i njohur si biznesmeni më i fuqishëm në Maqedoni, por me qendër në Kroaci, dërgon për gazetën “Panorama”, dokumentet e deponimeve origjinale të dy dëshmitarëve. Madje ka shpenzuar një milion euro për lirinë e Irfanit, ndërsa pengmarrësit nuk i ia kanë kthyer, sot e një vit pas ngjarjes. Ndërkohë që myftiu 45-vjeçar i Gostivarit, kur ka kaluar më tepër se një vit, ende nuk është liruar, por nuk dihet as fati i tij. Në një histori që duket si aventurë, e përcjellë me notat e një trilleri të frikshëm, dalin në pah organizimi i një pengmarrjeje që ka kushtuar për familjen Idrizi deri më sot 1 milion euro dhe me të afërmin ende të pakthyer nga grabitësit. Policia ende është në kërkim të vendstrehimit dhe gjurmëve të tij, po për 12 muaj ende nuk dihet se ku gjendet. Janë arrestuar dy shqiptarë dhe një maqedonas të implikuar në ngjarje, ndërkohë që të tjerët janë në kërkim. Shumë emra të dëgjuar e të padëgjuar lakohen në historinë që mban peng familjen Idrizi në Maqedoni, e të gjitha këto nëpërmjet dëshmisë që publikon vëllai i pengut, Gajur Idrizi. Ndër ta, emra policësh, prokurorësh, politikanësh në Maqedoni dhe njerëz të tjerë që kanë bashkëpunuar. Nuk mungojnë hetime private të vetë familjes, filmime e identifikime, deri në dëshmi origjinale ku denoncohen shumë emra. I përfshirë në hetim është edhe kreu i Prokurorisë së Kukësit, i cili gjendet në dorën e një grupi të veçantë hetimor nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Rendit. Endje të dëshmitarëve gjatë dorëzimit të parave, sa në Veri, në Jug, e nga Maqedonia, në Shqipëri e më pas në Kosovë. Pengu është parë vetëm një herë nga dëshmitarët, kur u dorëzua shuma e parë e lekëve. Këstin e dytë nuk është parë më. Nëpërmjet deponimit denoncohet një grup me kupolë zyrtarësh, e me shtrirje në tre territore, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni.

Mezim Bexheti
Numri ID personal
1909966473004
Gostivar, Ul.Ilije
Anteskog Smoka 8
FYR Maqedonia

Deklaratë

Dëshmia Mezim Bexhetit për pengmarrjen dhe negociatat për lirimin e Irfan Idrizit

Në ndihmë të zgjidhjes së çështjes së pengmarrjes dhe grabitjes së Irfan Idrizit dhe rolit të individëve të veçantë të përfshirë në këtë çështje.

Në ndjekje të çështjes së grabitjes së Irfan Idrizit, me rezidencë në Gostivar, me kërkesë të familjes së tij, unë kontaktova personat e përfshirë në rrëmbimim e tij për të negociuar kushtet e lirimit. Takimi i parë është bërë në Shqipëri, në restorant “Delfini”, me pronar Sul Kovaçi, ku unë takova një grua nga qyteti shqiptar i Rrëshenit, me emër Linda (emri i saj i vërtetë është Mrika, dhe supozoj se mbiemri i saj është Tonin Lashaj) së bashku me të shoqin. Unë fola me ta dhe u dhashë atyre numrin e telefonit. Pas atij takimi, Linda më ka marrë shpesh në telefon, por fliste gjithnjë shumë shkurt, po them rreth 15 sekonda, sa herë që më merrte në telefon. Takimi i dytë ka qenë në qytetin shqiptar të Krumës, më 10 apo 11 shkurt 2003. Aty unë kam folur me Maliq Ndrecin, në një lokal me pronar Sami Kraj. Pas tij, ne shkuam në një shtëpi nja tre kilometra larg lokalit, ku unë kalova dhe natën. Në atë shtëpi u mbajt një takim, ku ishin të pranishëm nja 12 persona. Njëri prej tyre, me emër Nuhi, me origjinë nga Tetova, dhe që e thërrisnin Nuki, këmbëngulte në kërkimin e shumës prej 500 mijë euro. Dy ditë pas takimit, unë shkova në Shqipëri nën shoqërinë e Lindës dhe dy burrave, në një makinë “JEEP” të organizatave ndërkombëtare, në fshatin e Bardhokut e të Epërit. Në orën 07.00 të mëngjesit unë pashë Irfan Idrizin në shtëpinë e Beqir Shahut, një kontrabandisti cigaresh, që operonte në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Irfan Idrizi dukej mirë me shëndet, vetëm se ishte dobësuar ca. Në asnjë rast të vetëm, unë apo personat që më shoqëronin nuk u bënë objekt kontrolli dokumentesh kur kaluam kufirin shqiptar: Sul Kovaçi mburrej se njihte prokurorin e rrethit të Kukësit, Naim Toti. Më 19 shkurt 2003, takimi i funidt u mbajt në Kosovë, në periferi të Ferizajt, në motelin AS, përgjatë rrugës së Prizrenit. Në takimin prezent ishte Emrush Xhemaili, presidenti lëvizjes politike shqiptare LPK-së, të cilin e pashë për herë të parë me atë rast, dhe Maliq Ndreci nga qyteti kosovar i Deçanit. Në takim, ne ramë dakord mbi detajet e lirimit dhe të dorëzimit të shumës së kërkuar në KESH.

Pas takimit, ne shkuam në fshatin e Malishevës, në shtëpinë e Ukë Berishës, ku ai jetonte së bashku me të shoqen, nënën dhe katër fëmijët e tij. Emrush Xhemaili më tha se vetëm një njeri e dinte se ku isha unë deri në çastin e lirimit të Irfanit.

Ukë Berisha është rreth 45 vjeç dhe unë e dija emrin e tij, sepse ai më tregoi pasaportën e lëshuar nga UNMIK-u. Pas takimit, në orën 10.00 të mëngjesit dhe duke ndjekur kthimin tim për në Gostivar, unë klikova te një adresë interneti për të kontrolluar identitetin e Emrush Xhemailit (një fotografi e faqes së internetit përfshihet edhe në deponim) dhe unë konstatova se ishte i njëjti person. Më në fund, unë rashë dakord që Agim Bilali nga fshati i Cegnacit pranë Gostivarit, duhet të merrte shumën prej 500.000.000 Euro, prej vëllait të Irfanit, Gajur Idrizi, në Gostivar dhe të m’i dorëzonte paratë mua. Unë duhej të merrja paratë më 24 shkurt 2003 në Kosovë, në shtëpinë e Ukë Berishës, ku duhej të prisja me paratë në dorë derisa të lirohej Irfan Idrizi. Agim Bilali mori paratë nga Gajur Idrizi në Gostivar dhe m’i dha ato mua në të njëjtin qytet më 24 shkurt 2003. Në të njëjtën ditë, unë shkova në hotelin që e kishim lënë më parë “AS Motel” në Ferizaj, Kosovë. Aty njerëzit e grupit të Emrush Xhemailit dhe të Maliq Ndrecit erdhën të më merrnin mua dhe të më dërgonin jo në Malishevo, siç ishte parashikuar, por në Deçan. Rreth orës 11.00 të mëngjesit, unë dërgova disa mesazhe SMS nga Deçani për Agim Bilalin. Unë ia bëra atij me dije, se kisha frikë të flisja në telefon, dhe se ato ishin të njëjtët njerëz që unë kisha folur me të, dhe se çdo gjë po shkonte sipas planit. Të enjten më 27 shkurt 2003, rreth orës 06.30, Irfan Idrizi u mendua se ishte lënë i lirë të udhëtonte me avion nga Shkupi për në Zagreb, ku e priste i vëllai, Gajur Idrizi.

Gjithsesi, kjo gjë nuk ndodhi: dy persona në një “Benz” të kuq me targat shqiptare “KU”, numrin nuk e mbaj mend, erdhi në Deçan dhe më mori mua së bashku me paratë që kisha me vete për në Shqipëri, Kukës, në një rrobaqepësi ushtarake. Aty në takuam Maliq Ndrecin, Lindën dhe një grup burrash, që nuk i njihja.

Maliq Ndreci më kërkoi t’i jepja atij paratë dhe, unë i thashë atij se ai do t’i merrte ato sapo të kishin liruar Irfanin. {Pas kësaj ata më transferuan në një fshat të Fushë Arrëzit, nja 80 kilometra larg Kukësit, kur merr rrugën për në Tiranë. Një orë pas mbërritjes sime, tre persona të maskuar u afruan dhe filluan të na kërcënonin, fyenin e ofendonin mua dhe Agim Bilalin dhe na bënin presion psikologjik. Në një moment ata morën paratë dhe m’i përplasën në fytyrë. Pastaj ata u larguan dhe erdhën Linda dhe Maliqi, të cilët morën paratë kesh në korridor dhe i futën ato në një çantë dhe u larguan.

Pak pas kësaj, Linda dhe Maliqi dhe një burrë tjetër u kthyen mbrapa për të më marrë mua dhe më çuan te një kabinë telefonike në një rrethinë të Kukësit, ku më urdhëruan të telefonoj Agim Bilalin. Ishte ora rreth 07.00 ose 08.00 e mëngjesit kur unë mora në telefon Agim Bilalin në Maqedoni dhe i thashë duke qarë se kisha frikë se mos më vrisnin: “Katër ditë pas ditës së sotme, të lutem lajmëro babain tim”, dhe me kaq ata ma ndërprenë bisedën. Të dielën më 2 mars 2003, ata më çuan në qytetin e Vlorës me një “Mercedes” të bardhë 190. Ishin katër prej tyre dhe njëri prej tyre, shoferi, mbante të veshur një uniformë polici shqiptar. Ai m’u ankua duke më thënë se i bënte këto lloj punësh të pista, për shkak të rrogës së tij të vogël dhe familjes së madhe që kishte për të mbajtur.

Në Vlorë, ne u takuam me Maliqin dhe me një pjesë të grupit të njerëzve, ku ishte edhe Linda. U ra dakord që ata do të më transferonin së bashku me Irfanin, me gomone për në Maçerata, në Itali. Gjithsesi, ky plan dështoi, sepse një ditë më parë policia italiane kishte sekuestruar një gomone me një ton narkotik në bord, sipas lajmeve në Radio, dhe për këtë arsye policia italiane e kish ngritur nivelin e survejimit. Për këtë arsye, ata më dërguan sërish prapa në fshatin e Fushë-Arrëzit me të njëjtën makinë. Gjatë qëndrimit tim si peng, Linda më sillte ushqime dhe pije. Unë ia dola të flas me të. Ajo më tha se problemet që kishin të bënin me lirimin e Irfanit dhe timin, ishin bërë nga Maqedonia dhe jo nga Shqipëria, dhe se këta të fundit kërkonin të arrinin një marrëveshje. Ajo gjithashtu më tha se njerëzit e maskuar ishin personat me emra të rremë (nofkat) Struga, Amerikani dhe Bashkimi, të gjithë nga Struga e Maqedonisë. Linda dhe i shoqi i saj, ashtu sikurse Maliqi, i kërkuan Agimit të paguajë 100 mijë euro për lirimin tim. Më 6 mars 2003, Ukë Berisha dhe Maliq Ndreca, më bënë një vizitë. Unë i thashë këtij të fundit, që më mirë të më vriste mua se sa të thyente fjalën e dhënë për lirimin e Irfanit. Maliqi nuk u përgjigj. Në vend të kësaj ai u dha nga 100 Euro njerëzve të tij dhe i urdhëroi ata të më transfronin mua për në Preshevë,(Serbi) nëpërmjet Kosovës. Ata e bënë këtë dhe më liruan mua në fshatin Miratovac, pranë Preshevës, pranë kufirit serbo-maqedonas. Ata nuk m´i dhanë 100 eurot që Maliqi u kish dhënë për mua. Unë kalova kufirin në mënyrë ilegale dhe mbërrita në fshatin maqedonas të Lojanës, rreth orës 08.00 të mëngjesit. I telefonova Agimit dhe i thashë se nuk kisha para. Agimi më tha të merrja një taksi për në fshatin Cegrane pranë Gostivarit dhe se ai do ta paguante më pas vetë taksinë, dhe në fakt, kështu bëri. Deri në atë kohë unë kisha menduar se Irfanin e kishin liruar dhe se unë isha mbajtur peng për të qenë të sigurt se Irfani dhe familja e tij nuk do të reagonin në polici. Gjatë gjithë kohës së mbajtjes time peng, Maliqi dhe të tjerët më kishin thënë se unë mund të flisja për të gjithë ata, por jo të përmendja emrin e Emrush Xhemailit, ose përndryshe ata do vrisnin të gjithë familjen time.

Zagreb 30 Maj 2003
Mezim Bexheti

Masar Meli, Shkëlqim Palushi, Nagip Musliu, transferohen drejt Shkodrës në masa sigurie

Gjykata lë në qeli 3 rrëmbyesit
Akuza: Pengmarrje në bashkëpunim për qëllime fitimi

Tiranë

Gjykata e Kukësit lë në qeli tre të arrestuarit për pengmarrjen e myftiut të Gostivarit, Irfan Idrizi.

Në masa të rrepta sigurie, dje rreth orës 15.30, është zhvilluar seanca e parë e masës së vlerësimit për tre të ndaluarit, Masar Meli, ish-oficer gjyqësor, Nagip Musliu, nga Maqedonia dhe Shkëlqim Palushi, nga Kukësi. Përfaqësuesit e akuzës kanë marrë në pyetje tre personat që akuzohen për bashkëpunim në pengmarrje. Për disa orë janëpyetur për lidhjet e tyre me ngjarjen dhe se çfarë dinin për Irfan Idrizin dhe vendndodhjen e tij. Mësohet që të tre të kenë mohuar pjesmarrjen në këtë veprër, duke u shprehur se nuk kishin të bënin me asnjë person. Po dje është dëgjuar edhe deponimi i dëshmitarëve që kanë bërë denoncimin në policinë lokale, problem që është ndjekur drejtpërdrejt nga Ministria e Rendit. Ata janë mbrojtur nga forca speciale dhe me masa të larta sigurie kanë lëvizur në një zonë të fshehtë. Ndërkohë që tre të arrestuarit janë dërguar në drejtim të Shkodrës, ku do të mbahen të izoluar deri në vendimin e ardhshëm të Apelit, e nëse nuk fitojnë në këtë shkallë ankimimin, deri në përfundim të gjyqit. Akuza, sipas Prokurorisë lokale, është ajo e ”pengmarrjes në bashkëpunim e heqjes së lirisë së tjetrit për përfitim”. Avokatët kanë kërkuar masë më të butë, duke pretenduar mospërfshirjen e klientëve në këtë ngjarje. Porse organi i akuzës ka qëndruar në kërkesën e tij ”burg pa afat” për të tre personat, duke i cilësuar të implikuar në pengmarrje. Gjatë seancës që nuk ka zgjatur shumë dhe ka patur të angazhuar dhjetëra uniforma blu, janë dëgjuar provat e Prokurorisë e të dëshmitarëve që kanë bërë denoncimin në policinë lokale. Gjatë seancës që nuk ka zgjatur shumë dhe ka patur të angazhuar dhjetëra uniforma blu, janë dëgjuar provat e Prokurorisë për këtë çështje, kryesisht një kasetë filmike me personat në fjalë të xhiruar me kamera amatore nga pala e dëmtuar dhe dëshmitë. Tre të ndaluarit, sipas hetimeve të deritanishme, akuzohen se kanë bashkëpunuar në marrjen peng me persona të tjerë në kërkim, Irfan Idrizin, 2 dhjetorin e kaluar në Gostivar. Ata janë arrestuar ditën e 15 dhjetorit prej policisë shqiptare që ka ndjekur hetimet brenda vendit. Por flitet edhe për të tjerë persona nga Maqedonia të implikuar. Fati i myftiut të Gostivarit prej një viti mbetet mister.

Kush është familja Idrizi

Familja Idrizi është ndër më të njohurat në Maqedoni, me kombësi shqiptare. Personi i marrë peng, Irfan Idrizi, është vëllai i dy prej biznesmenëve më të dëgjuar në Maqedoni dhe që zotërojnë firma të fuqishme të mallrave të ndryshme, njëri prej të cilëve me qendër në Zagreb të Kroacisë, Gajur Idrizi. Sipas hetimeve, pengmarrja është kryer për qëllime përfitimi dhe shuma e marrë është goxha e lartë.

Të arrestuarit

Masar Meli 38 vjeç, polici gjyqësorë i Prokurorisë së Rrethit kukës.
Shkëlqim Palushi, 24 vjeç, nga Kukësi
Nagip Musliu, 35 vjeç, nga Gostivari

Një vit më parë
Si u dha lajmi nga media në Shkup

“Irfan Idrizi, 45 vjeç, vëllai i biznesmenit të njohur gostivaras Gajur Idrizi, pronar i ndërmarrjes “Getro” dhe shtëpisë së mallrave “Importane”, mbrëmë është rrëmbyer prej personave të panjohur. Makfaksi merr vesh se Idrizi është rrëmbyer në rrugën lokale Gostivar-Forinë, pasi një grup i personave e ka ndalur veturën e tij “Golf kabrio” dhe e ka dërguar në drejtim të panjohur. Rrëmbimin e Idrizit në polici e ka paraqitur Zylbehari rreth orës 20:00, e më pas është kryer ekspertiza në vendin e ngjarjes dhe hetim i hapur. Në fshatin Forinë, prej ku e ka prejardhjen i rrëmbyeri Idrizi, burime anonime pohojnë se rrëmbimi është planifikuar një kohë të gjatë, dhe se motivi është lakmia, gjegjësisht nxjerrja e parave. Për një pjesë prej tyre, siç ishte rrëmbimi i djalit të biznesmenit të njohur i cigareve në Viski Enver Maliqi, pronar i “Gemak trade”, policia ende nuk lajmërohet zyrtarisht me konfirmim”.

Etapat

2 Dhjetor 2002
Merret peng në Gostivar, Irfan Idrizi myftiu i këtij qyteti dhe vëllai i tregtarit të njohur Gajur Idrizi. Për disa ditë me radhë për të nuk ka asnjë adres dhe askush nuk e di nëse është gjallë apo ka vdekur. Në të njëjtin muaj, pengmarrësit u bëjnë me dije njerëzve të viktimës se e lëshonin atë në këmbim të një shume parash

11 Shkurt 2003
Organizohet një takim mes Mezin Bexhetit dhe pengmarrësve. Bexheti me kërkesë të familjes së pengut është bërë ndërmjetës për të mundësuar lirimin e myftiut. Takimi u zhvillua në Krumë,në një shtëpi, ku ndodheshin 12 persona, me të cilët është bërë pazari, sipas të cilit familja e pengut duhej të paguante 500 mijë euro

13 Shkurt 2003
Ndërmjetësi Mezin Bexheti udhëton për në Shqipëri, i shoqëruar nga dy prej pengmarrësve. Në këtë udhëtim ai shikon për herë të fundit gjallë, Irfan Idrizin. I cili sipas tij ishte në gjendje të mirë shëndetësore megjithëse ishte dobësuar. Pas këtij takimi ai kthehet në Maqedoni

19 Shkurt 2003
Zhvillohet një takim tjetër mes Mezin Bexhetit si ndërmjetës dhe pengmarrësve. Vendtakimi kësaj radhe ndodhej në Kosovë, në periferi të Ferizajt, në Motelin AS, përgjatë rrugës së Prizrenit. Në takim ishte Emrush Xhemaili, presidenti lëvizjes politike shqiptare LPK-së. Këtë herë u vendos për detajet e dorëzimit të lekëve dhe lirimit të pengut

24 Shkurt 2003
Bexheti merr paratë nga Agim Bilali, një tjetër ndërmjetës, të cilit ia kishte dorëzuar vëllai i pengut. Ngjarja zhvillohet në Kosovë, në shtëpinë e Ukë Berishës. Këtu Mezin Bexheti duhej të priste me paratë në dorë derisa të lirohej Irfan Idrizi dhe më pas tua dorëzonte ato pengmarrësve.

27 Shkurt 2003
Ora 6:30, pengmarrësit i marrin Mezin Bexhetit paratë dhe ushtrojnë presion mbi të. Ky i fundit mendon se Irfan Idrizi ishte lënë i lirë. Ora 7:00 Mezin Bexheti, merret edhe vetë peng dhe i lejohet të bëjë vetëm një telefon për Agim Bilalin. Ndërkohë dy nga pengmarrësit marin paratë dhe largohen.

2 Mars 2003
Mezin Bexheti tashmë peng dërgohet në qytetin e Vlorës me një Mercedes të bardhë 190. E shoqëronin katër persona dhe njëri prej tyre, shoferi, mbante të veshur një uniformë polici shqiptar. Pengmarrësit i kanë thënë se do t´i dërgonin në Macerata të Italisë atë edhe Irfanin, por plani u prishet për shkak të frikës nga policia.

6 Mars 2003
Ukë Berisha dhe Maliq Ndreca, dy prej pengmarrësve vizitojnë Mezin Bexhetin. Maliq Ndreca jep urdhër që Bexhetin ta çojnë në Preshevë në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, ku edhe e lënë të lirë. Ai kalon kufirin dhe flet në telefon me Agim Bilalin, ky i fundit pranon t´i paguajë taksinë që të shkonte në Gostivar.

7 Prill 2003
Agim Bilali, pasi edhe pas dorëzimit të 500 mijë eurove nuk është liruar Irfan Idrizi, rifillon negociatat, me të tjerë persona, që mund ta ndihmonin. Për t´ia arritur këtij qëllimi, ai bie dakort me Xhevat Krasniqin, me telefon për të paguar 10 mijë EURO. Në bisedime merr pjesë edhe Artan Hoti, një 21 vjeçar nga fshati i Ratkovicës në Kosovë.

7 Maj 2003
Ora 11.00, Agim Bilalin e marin në telefon me numrin 02 614 548 i regjistruar si MEKKA-OPPUP Compacy, me seli Shkup. Po atë ditë por orën 17:48, ata e ritelefonojnë nga një kabinë dhe i lënë nëj numër telefoni celular 070 677-635, me anë të të cilit do të lidheshin. Gjatë kësaj kohe Agim Bilali tregon se është këcënuar në telefon.

15 Dhjetor 2003
Pas deponimit në 30 Maj të këtij viti në polici të Agim Bilalit dhe të Mezin Bexhetit arrestohen në Kukës tre persona, që dyshohet të kenë lidhje me rrëmbyesit. Dy prej të ndaluarve janë nga Kukësi, njëri është polic gjyqësorë, ndërsa personi i tretë është nga Gostivari.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button