Hiqen si femra në Facebook, grabisin 19-vjeçarin në Kamzë
TIRANE – Dy të rinj nga Kamza kanë gjetur një mënyrë origjinale për të grabitur nëpërmjet rrjetit social me përhapje të gjerë, “Facebook”.
Në fund të vitit që shkoi, rreth dhjetorit 2012, shtetasit Gentjan Hasani dhe Anxhelo Demira kanë hapur një profil të rremë me emër femre në Facebook (konkretisht emri ka qenë Adela Zika).
Pasi kanë vendosur edhe disa foto të rreme, ata kanë nisur kontaktet me persona të ndryshëm. “Viktimë” ka qenë 19-vjeçari E.Cana. Ai i është përgjigjur kërkesës për miqësi të bërë nga profili me emrin Adela Zika dhe më pas ka hyrë në komunikim me të, duke menduar se po fliste me një vajzë.
Në fakt, në anën tjetër kanë qenë pikërisht shtetasit Gentjan Hasanaj dhe Anxhelo Demira që flisnin. Pasi 19-vjeçari ka kërkuar të takojë “vajzën” me të cilën fliste në Facebook, dy të akuzuarit kanë vazhduar mashtrimin.
Nga profili i rremë me emrin Adela Zika, dy të akuzuarit për grabitje me dhunë kanë lënë takim dy herë me 19-vjeçarin, por më pas nuk janë paraqitur duke nxjerrë justifikime të ndryshme.
Gjithnjë duke menduar se personi me të cilin po fliste ishte femër, 19-vjeçari E.Cana ka kërkuar sërish takim me “Adela Zikën”. Takimi është vendosur të bëhej më 20 shkurt 2013, në zonën e “Bulevardit Blu” në Kamzë të Tiranës. Pasi “vajza” që i fliste në Facebook ka pranuar të takoheshin, i riu është nisur dhe menjëherë sapo ka mbërritur në vendin e caktuar, ka rënë pre e grabitjes.
Sipas Policisë, autorët e ngjarjes ishin Gentjan Hasanaj dhe Anxhelo Demira, të cilët duke përdorur një armë zjarri, i kanë marrë të riut telefonin dhe shumën e parave që kishte me vete. Pas ngjarjes, 19-vjeçari i dëmtuar bëri denoncim në Polici dhe tregoi mënyrën si kishte përfunduar në “pritën” e organizuar nga dy të pandehurit.
Policia e Tiranës zhvilloi hetime për disa muaj dhe në përfundim arriti të zbulojë mekanizmin me të cilin vepronin dy të rinjtë banues në periferi të Tiranës. Pas identifikimit të dy personave, policia ka bërë shoqërimin e tyre në Komisariat dhe më pas, ka thirrur personin e dëmtuar. Gjatë paraqitjes për njohje, 19-vjeçari ka arritur të identifikojë dy personat që e kishin grabitur nën kërcënimin e armës, më 20 shkurt 2013.
Pas këtyre procedurave, policia ka vendosur të arrestojë dy të rinjtë dhe dosja i është përcjellë Prokurorisë. Organi i akuzës kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për dy personat e vënë në pranga nga policia me akuzën e grabitjes me dhunë. Gjykata vendosi që Anxhelo Demira dhe Gentjan Hasani të mbahen në burg pa afat, deri në përfundim të hetimeve ndaj tyre.