LajmeMaqedoniaPolitika

Dosjet, kodoshët dhe qyqarët

Kur përmenden shërbimet sekrete te çdo shqiptarë shkaktohet rrëqethje dhe neveri. Pa dyshim se kjo vjen nga përvoja e hidhur që ne si kolektivitet kemi me këto organe, e gjithashtu edhe nga përvojat personale që janë përcjellë nga personat që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë qenë të goditur nga këto struktura.
Dekada me radhë në këto organe janë gatuar e qëndisur dosje dhe komplote për njerëz që nuk iu kanë shkuar për qejfi këtyre strukturave dhe organeve tjera shtetërore. Kryesisht bëhet fjalë për tmerret e përjetuara në kohën e SFRJ-së dhe në Maqedoni që nga 1991-shi e këndej. Edhe në Maqedoninë e pavarësuar, vazhduan të ndjehen po të njëjtat emocione në raport me këto struktura. Shërbimet e Maqedonisë u trashëguan nga veteranë të shërbimeve jugosllave. Fundërrina si njerëz dhe ajkë për nga niveli i antishqiptarisë.
Gati se dy dekada nga pavarësia e RM-së shqiptarët në këto institucione kanë pasur pozita inferiore. Kanë qenë të privilegjuar vetëm në raste kur bëhej fjalë për montimin dhe qëndisjen e dosjeve të ndonjë shqiptari (herë të diktuar nga shefat e tyre sllavë, e herë nga inati dhe xhelozia për ndonjë kolegë, fqinj, e dushman, apo për përkthimin e ndonjë bisede të përgjuar, ndonjë dokumenti (edhe ato jo të ndonjë vlere të madhe, sepse për dokumente të tilla, sigurisht kanë pasur maqedonas që zotërojnë gjuhën shqipe) apo diçka tjetër të ngjashme. Mjerim, apo???
Sot pas gati njëzet vite demokraci, bashkësia ndërkombëtare me ngulm kërkon që këto shërbime të demokratizohen, por edhe të ketë përfaqësim adekuat të shqiptarëve në pozitat udhëheqëse të këtyre shërbimeve. Mirëpo edhe po të bëhej një gjë e tillë, prapë se prapë duhet të kalojë kohë e gjatë që nga mentaliteti jonë të hiqet frika dhe të krijohet besimi në këto institucione.

Dallga e nisur e demokracisë dhe pluralizmit i kaploi edhe shqiptarët e Maqedonisë. Niveli i ulët i vetëdijes demokratike dhe pluraliste ishte si në çdo shtet ish socialist. Dolën edhe partitë politike shqiptare që u kuptuan shumë seriozisht, duke bërë që njerëzit edhe të hasmohen mes veti vetëm se ishin anëtarë, aktivistë, apo simpatizantë të partisë tjetër. Me kalimin e kohës kjo dukuri filloi të sensibilizohet dhe të vijë deri në pozitë që shqiptarët të lodhën nga partitë dhe “demokracia”. Ajo që vlen të shënohet me të zezë në këtë periudhë pluraliste tek shqiptarët e Maqedonisë janë etiketat e spiunëve që kush ngrihej më herët emërtonte si kodosh, si spiunë, si udbashë e kushedi çka tjetër, oponentin e tij politik. Secili njeri që nuk ishte i partisë së caktuar shpallej spiunë, kodosh dhe tradhtarë i kombit. Gjë që krijoi ndjenjën te popullata se udhëhiqemi nga kodoshë, spiunë, tradhtarë e kështu me radhë. Gjë që askush nuk e dëshiron. Kjo solli në humbjen e besimit të popullatës në lidershipin dhe realisht edhe në zbehjen e ndjenjave patriotike dhe identitare tek shqiptarët që shekuj me radhë na kanë shoqëruar dhe identifikuar si të tillë. Këtu dua ta theksoj se fenomeni i besës dhe besnikërisë si shenjë identifikuese tek shqiptarët u shua. Sot vështirë është ta bindësh ndokënd se shqiptari është besnik.
Për të qenë edhe më rëndë, e gjithë kjo bëhej për qëllime të ngushta të politikës ditore. Fatkeqësisht, pa mos pasur as pikë të ndërgjegjes dhe vetëdijes njerëzore, se etiketimi me spiun dhe tradhtar dënohet rënd sipas të gjitha normave, si atyre morale, kombëtare, fetare, kanunore dhe pozitive. Ajo që është edhe më e keqe është se shkatërron jetën (bile edhe familjen) dhe karrierën e një njeriu që as edhe lidhje më të vogël me shërbime të tilla nuk ka pasur. Për gjithë ata që shumë mirë dihen në shoqërinë tonë, le t’i brejë ndërgjegjja (nëse diçka e tillë ka mbetur në ta), por edhe fakti se për shpifjet dhe dëmet që i kanë shkaktuar shoqërisë shqiptare në Maqedoni, do të japin llogari para Gjykatësi absolut në Ditën e Llogarisë, por edhe herët a vonë (edhe pse disa më veç i ka kapluar ky dënim) të marrin dënimin e popullit dhe të poshtërohen edhe në këtë botë për fëlliqësirat që i kanë bërë.

Ajo që të bën të qesh në gjithë këtë situatë është një aktualitet që ditëve të fundit ishte top temën mediat e Maqedonisë. Një “intelektualit” shqiptar dikush në oborr ia paska lënë disa dosje me shkallë të sigurisë së lartë dhe ai i shtyrë nga ndjenja “qytetare” i dorëzon ato dosje dhe informata në organet kompetente për lustrim. Se nuk është ashtu as fëmija i djepit nuk beson, mirëpo, dikush shumë mirë ia ka treguar mënyrën se si humben gjurmët e burimit të informatës. Tani edhe lind pyetja, pse bash atij personi “dikush ia la në oborr”, apo kush ishte ai “dashamirë” që nuk dyshoi në “lojalitetin dhe qytetarinë e tij” dhe e zgjodhi mu atë person t’ia lë në oborr gjithë ato dosje? Me siguri ndonjë prej atyre shqiptarëve që u përmendën në pjesën e parë të këtij shkrimi, ata që qëndisin dosje dhe ata që për pikë të qejfit, apo të inatit, kohën e lirë e kalojnë duke krijuar, mbushur apo luajtur me dosjet e shqiptarëve. Nga kjo që po ndodh në këtë aspekt, me zor mundohem ta bindi veten se ky është veç një rast i izoluar dhe se po të ishte ndonjë shqiptarë tjetër nuk do të vepronte si zotëria në fjalë.

Milazim MUSTAFA

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button