Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë deri tani nuk ka ngritur dyshime ndaj asnjë protestuesi maqedonas, derisa dyshime janë hedhur dhe janë ndaluar dy të dyshuar shqiptarë lidhur me incidentin e dhunshëm të dielën në Kalanë e Shkupit.
Siç raportojnë mediet, të ndaluar dhe të dyshuar janë një 20 vjeçar nga Haraçina si dhe një 15 vjeçar nga Hasanbegu i Shkupit, tek të cilët MPB theksoi se ka gjetur një mjet të fortë hekuri dhe tek 20 vjeçari është gjetur një pistoletë.
Dy të rinjtë u ndaluan në mesin e turmës e cila të dielën ishte pjesë e protestës së organizuar nga Lëvizja “ZGJOHU!”, kundër ndërtimit të kishës-muze në Kalanë e Shkupit.
Nga Lëvizja “ZGJOHU!” kërkojnë përgjegjësi ndaj grupeve protestuese maqedonase, të cilët kanë hyrë në brendinë e Kalasë pa asnjë leje të posaçme për të lajmëruar pranë organeve të rendit tubimin e organizuar. “Protesta e lëvizjes sonë është paralajmëruar në organet e rendit dhe në media, ndërsa ajo e atyre grupeve nacional-shoveniste aspak nuk është lajmëruar, përveç nëpërmjet rrjeteve të tyre sekrete”, theksojnë nga “ZGJOHU!”.
Në protestën e së dielës në mesin e protestuesve maqedonas janë parë fytyra të aktivistëve të partisë në pushtet VMRO-DPMNE por edhe pjesëtarë të sigurimeve private të afërta me këtë parti, dhe të cilët gjatë tërë protestës ishin të maskuar.
Ndërkohë, sonte pranë Kalasë dhe në akset rrugore që shpijnë në drejtim të saj vërehen forca speciale policore dhe patrulla të rregullta policore. Hyrje-daljet vazhdojnë të jenë të ndaluara për qytetarët, ndërsa për të hyrë në territorin e Kalasë duhet sigurimi i leje speciale nga autoritetet komunale.