Interi në “misionin e pamundur”
Në përballjet e sotme çerekfinale në Champions League, Interi do të frymëzohet në “misionin e pamundur” në Gjermani nga rikthimi në mbrojtje i Lucio-s.
”Ata bënë mrekullinë në Milano, ndërsa ne do ta bëjmë atë në Gelserkishten”, deklaroi qendërmbrojtësi për “Deutsche Welle”.
”Pas një sezoni të gjatë jemi të lodhur, por nuk është kjo arsyeja përse dështuam në takimin e parë. Në Gjermani, jo vetëm që duhet të fitojmë, por duhet të shënojmë katër gola më shumë, prandaj është edhe më e vështirë.
Pa dyshim, gjithçka është në favor të Schalke-s dhe për ne është një mision shumë i vështirë, por nuk e konsiderojmë si të pamundur. Megjithatë, paradoksalisht, rezultati i ndeshjes së parë e bën më pak të ndërlikuar ndeshjen për ne, pasi kemi vetëm një zgjidhje, të sulmojmë pa pushim deri në fund”.
Pavarësisht deklaratave optimiste nga skuadra zikaltër, mediat italiane njoftuan sot se presidenti Moratti ka vendosur të qëndrojë në shtëpi dhe të shohë ndeshjen nga televizori.
Interesant detaji se nëse ndeshja do të shkojë në shtesë, Schalke do të duhet të paguajë 15 mijë euro gjobë për 17-vjeçarin Daxler. Në rast fitoreje të Interit 5-2, Daxler do të jetë i detyruar të “punojë” pas orës 23:00, diçka që ndalohet rreptësisht për minorenët në Gjermani.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Reali do të udhëtojë në Londër për t’u përballur me Tottenhamin, por ndryshe nga sa deklaruan Leonardo e Ragnick, trajnerët e këtij takimi e kanë konsideruar të mbyllur çështjen e kualifikimit.
Reali fitoi 4-0 në “Bernabeu” dhe Mourinho premtoi se do të luajë për fitore edhe në “White Hart Lane”, ndërsa Redknapp pranoi se humbja e parë është e pakthyeshme, prandaj e vetmja gjë që mund të pretendojë nga të tijët është një ndeshje sa më dinjitoze.