KosovaLajmePolitika

INTERPOL-i dhe FSK-ja, dy betejat diplomatike të Kosovës me Serbinë

Dy beteja diplomatike dhe politike po zhvillohen aktualisht ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

E para, ndërlidhet me përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL dhe kundërshtimet e vazhdueshme të Serbisë.

Kurse e dyta, ndërlidhet me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës [FSK], duke e veshur atë me kompetenca e kapacitete shtesë që u ofrohen përgjegjësive të forcave të armatosura, për të cilën po ashtu nuk pajtohet Beogradi.

Kur është në pyetje FSK-ja, kundërshtimi vjen edhe nga brenda, përmes Listës Serbe, e cila po ashtu mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare e INTERPOL-it. Megjithatë ai pranon se pengesat në ketë drejtim nga Serbia janë evidente.

“Sfida për INTERPOL do të jetë edhe më e madhe. Ata veç e kanë filluar luftën e tyre. Janë duke punuar, kanë delegacione nëpër botë, kanë paguar lobistë të cilët lobojnë kundër Kosovës”.

“Ne jemi në posedim të letrave të cilat ata i shkruajnë dhe iu rekomandojnë shteteve që mos ta mbështesin Kosovën. Këtu, bile duke shkruar edhe gjëra që nuk qëndrojnë. Neve na mbetet të ecim përpara, gjithmonë krenar, gjithmonë kryelartë, jo të ju tregojmë gjëra pa fakte ose gënjeshtra”, tha Pacolli.

Ai tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar intensivisht në drejtim të anëtarësimit në INTERPOL.

“Është një lloj beteje, ndihet ajo, do të jetë edhe më e madhe, por unë besoj se gjithmonë në anën tonë është fakti se Kosova është e pavarur dhe ne jemi duke e mbrojtur këtë kauzë dhe kthim prapa nuk ka. Shumë shtete tashmë e kanë kuptuar se Kosova është një realitet i ri dhe do t’i japin mbështetje dhe nuk do të pengojnë anëtarësimin në mekanizma të rëndësishëm”.

“Kjo çështje është e rrumbullaksuar do ta ketë konsensusin e më tepër se dy të tretave të bashkësisë ndërkombëtare. I vetmi problem është mosardhja e shteteve që do të votonin pro Kosovës, për arsye se ardhja në Dubai është e kushtueshme. Një zyrtar nga Afrika apo nga Karaibet nëse udhëton deri në Dubai, bileta e aeroplanit kushton mes 12 deri në 15 mijë dollarë”, tha Pacolli.

Nga ana tjetër, Vjosa Osmani, deputete dhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se drejtuesit e institucioneve nuk duhet të nguten dhe të japin deklarata dhe të thonë se çështja e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është punë e kryer, pasi që sipas saj, punë e kryer do të jetë vetëm në ditën kur votohet pro Kosovës.

“Unë shpresoj shumë që të jetë i suksesshëm ky proces. Është esencial në këtë moment të shtetndërtimit të Kosovës që të kemi sukses në anëtarësim në një organizatë kaq të rëndësishme ndërkombëtare, jo vetëm për shkak se i ndihmon Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, por për shkak se mundëson bashkëpunimin në luftimin e krimit ndërkufitar, pra bashkëpunimin jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Andaj, nuk ka asnjë arsye që Serbia ta bllokojë Kosovën”, tha Osmani.

“Natyrisht sikur të ishte anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar Serbia nuk do ta bllokonte Kosovën në asnjë organizatë mirëpo fatkeqësisht është treguar destabilizuese”, tha deputetja Osmani.

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se është e vërtetë se Kosova ka pengesa edhe përbrenda institucioneve, përmes Listës Serbe.

Pengesat, vijnë në shprehje sidomos në aspektet e fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, ngase kjo listë, pavarësisht që merr pjesë në institucionet e Kosovës, i bindet Beogradit.

“Po është e njëjta. Një luftë që zhvillohet jashtë [Kosovës], ajo zhvillohet tash edhe në Kuvendin e Kosovës. Mua kjo më shqetëson pak, sepse kjo e bën Kosovën një shtet jofunksional dhe këtë të keqe duhet ta luftojmë. Për këtë arsye unë gjithmonë flas dhe bëjë thirrje për unitet të qarqeve politike kosovare”, tha Pacolli.

Kurse, deputetja Vjosa Osmani ka hedhur kritika edhe në drejtim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sipas saj, me deklaratat e tij po shpreh skepticizëm, sidomos për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

“Në vend të deklaratave këtu duhet punë, presidenti do të duhej që tani të udhëtonte nga një vend të tjetri e jo ta bëjë të kundërtën duke shprehur skepticizëm për një gjë të tillë”, tha ajo.

Sa i takon bllokimit të deritanishëm të formimit të ushtrisë së Kosovës nga ana e deputetëve të Listës Serbe, deputetja Osmani thotë se pretendimet e tyre tashmë nuk do të kenë vend askund, dhe se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj.

“Nuk mund ta pengojë Lista Serbe sepse janë 110 deputetë të tjerë që janë pro. Dhe gjatë procesit të miratimit të këtyre ligjeve që fillon të enjten ata nuk e kanë të drejtën e vetos dhe rrjedhimisht nuk kanë mundësi që të ndërmarrin asnjë veprim më”, tha Osmani.

Sidoqoftë, transformimi i FSK-së pa ia ndërruar emrin në armatë apo ushtri me disa kompetenca shtesë dhe kapacitete më të plota, ishte pikërisht rezultat i kundërshtimeve të Listës Serbe, pa votat e të cilës nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për formimin e ushtrisë.

Ndërkaq, për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL do të dihet në fund të nëntorit, me gjasë më datën 20 nëntor, kur do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate ndërkombëtare policore në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button