Ishte larguar nga shtëpia dy ditë më parë, duke lënë një letër, ku shpjegonte se do të vetëvritej, ndërsa dje është gjetur i varur te Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë.
Me gjithë shpjegimin e dhënë në letër, policia po kryen hetimet edhe për ndonjë vrasje të mundshme, pasi ekspertët kanë vënë re disa shenja të dyshimta për çka do mblidhet komisioni për të vendosur mbi këtë ngjarje të rëndë. Bëhet fjalë për 65-vjeçarin Halim Vata, ish-oficer ushtrie, i cili u gjet i varur në një pemë nga dy vajza të cilat bënin vrap nga Kodrat e Liqenit, raporton Top Channel.
Viktima ishte larguar nga banesa mesditën e së enjtes dhe kishte lënë një letër ku paralajmëronte se do vriste veten. Letra alarmoi familjarët dhe policinë, duke kryer kontrolle në disa zona të Tiranës, por pa mundur ta gjejnë 65-vjeçarin.
Dje paradite ai është gjetur te Kodrat e Liqenit nga dy vajza, që kanë njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr. 1, që e kanë gjetur 65-vjeçarin të varur me një tel, të cilin e kishte lidhur në pemë. Menjëherë janë thirrur ekspertët, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që gjatë këqyrjes së kufomës është vënë re një shenjë pas koke që mund të jetë edhe goditje nga mjete të forta.
Por, kjo për grupin hetimor nuk është provë e mjaftueshme për të vërtetuar shkakun e vdekjes, kështu që do të mblidhet komisioni, me qëllim për të dhënë konkluzionet nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje.
Megjithatë, policia është shprehur se më shumë janë drejt një vetëvrasjeje për shkak të letrës së lënë nga 65-vjeçari. Letra është sekuestruar dhe do të bëhet analiza e shkrimit, për të parë nëse është shkruar prej tij apo personave të tjerë. Pas analizave të shkrimit dhe nxjerrjes së konkluzioneve nga mjekësia ligjore, policia do mbyllë këtë dosje që aktualisht po hetohet edhe nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit.
Sipas të dhënave nga policia, i moshuari ishte babai i dy fëmijëve, njërin prej të cilëve e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për motivet e ngjarjes policia tha se nuk janë kushtet ekonomike, pasi është posedues i dy dyqaneve, ndërkohë që mendohet se ka pasur depresion të momentit.