BotaLajmePolitika

Itali, ministrja me ngjyrë ofendohet sërish

Cecile KyengeNjë politikan italian e ka krahasuar ministren e parë me ngjyrë të vendit, Cecile Kyenge, me një prostitutë në breshërinë e fundit të ofendimeve raciste, që po hedh dritë mbi rezistencën në Itali kundër integrimit racial.

Cristiano Za Garibaldi, nënkryetari i Bashkisë së Diano Marina-s, në Liguria, i sugjeroi Kyenge-s, përmes faqes së tij në Facebook, të frekuentonte një zonë të përdorur zakonisht nga prostitutat, shumica e të cilave janë me ngjyrë.

Kyenge, 48 vjeç, e cila është lindur në Republikën Demokratike të Kongos dhe është transferuar në Itali 30 vjet më parë, është mësuar tashmë me intolerancën e politikanëve të djathtë të Italisë, ku veçohet edhe rasti i Roberto Calderoli-t, një ish-ministër i qeverisë italiane me partinë e Ligës së Veriut, i cili e krahasoi atë me një orangutang në korrik.

Që pas emërimit të saj si ministre e Integrimit në prill, Kyenge ka nxitur ligjvënësit për t’i dhënë shtetësinë italiane fëmijëve të lindur në Itali nga emigrantët, teksa së fundi ka sugjeruar që shtëpitë e dyta në Itali të jepen me qira për njerëzit e pastrehë.

Ky sugjerim provokoi Za Garibaldi-n, ashtu si dhe prodhuesin e verërave në Italinë e Veriut, Fulvio Bressan, i cili e quajti Kyenge-n, një “majmun i zi i pistë” në faqen e tij në Facebook, javën e kaluar, duke nxitur një debat në botën e verërave, për bojkotimin e produkteve të tij.

“Jam sulmuar e ofenduar me shumë provokime. Jam fajtore sepse jam e zezë, jam grua, jam lindur jashtë Italie dhe jam rritur në një familje poligame, të cilën nuk e kam zgjedhur, por është familja ime”, ka reaguar Cecile Kyenge, ministre e Integrimit.

“Dua të di – ka shtuar ajo, – nëse sot, këtu, duhet të ndihemi të gjithë fajtorë. Italia duhet të adaptojë fjalët e Martin Luther King me të tashmen tonë”.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button