Ja “përleshjet” me arme mes policisë dhe trafikanteve të Lazaratit (Video)
Kjo është një video amatore të cilën siguron A1 REPORT e përleshjeve mes policisë dhe trafikantëve të drogës.
Në video dëgjohet breshëria e të shtënave, ndërsa fatkeqësisht pjesë e tyre u bë edhe gazetari Gerti Xhaja dhe grupi i xhirimit të televizionit A1 REPORT që kishin shkuar në fshat për të raportuar në lidhje me aksionin e policisë.
500 forca policie prej orëve të para të mëngjesit të së hënës janë përballur me të shtëna nga një grup kriminal me 26 trafikantë të drogës, sipas policisë të udhëhequr nga Razip Mahmutaj, is hi dënuar për plagosjen e një polici në vitin 2000 dhe qëllimin me breshëri mitroloz të një të Interforcës Italiane që monitoronte me pajisje të specializuara, filmime dhe fotografime apo skanime të territorit të Lazaratit për drogë.
Vetë ky i fundit i ka mohuar të gjitha akuzat duke deklaruar se nuk ka lidhje me sulmin që është bërë këtë të hënë ndaj bluve dhe medias, por se ka qenë me bagëtitë. Ndërkohë policia vijon të qëndrojë në postbllok në periferi të fshatit të Lazaratit.
LAZARAT – Grupi i xhirimit të televizionit A1REPORT ka rënë pre e një terrori me armë nga trafikantët e drogës mesditën e së hënës në Lazarat, teksa hynte për të pasqyruar aksionin antikanabis të policisë.
Breshëri plumbash janë derdhur ndaj makinës me logo, ku gjendeshin gazetari i aktualitetit Gerti Xhaja, operatori Renis Kele, inxhinieri Kreshnik Marku dhe shoferi Hair Ismailonji, mbetur letësisht i plagosur.
Të maskuar me kapuç dhe të armatosur rëndë, trafikantët për 15 minuta kanë mbajtur peng 4 pjestarët e grupit të xhirimit duke i nxjerrë nga makina me tytën e kallashit në kokë, ndërsa kanë shpëtuar fatmirësisht falë ndërhyrjes së një banori të zonës i cili u përball me trafikantët dhe mori në makinën e tij grupin e redaksisë së A1 Report duke i çuar pranë forcave RENEA në hyrje të fshatit… Pas këtij momenti banorët e Lazaratit kanë njoftuar gazetarin Gerti Xhaja se makina me logon e televizionit A1 REPORT ishte djegur dhe shkatërruar plotësisht nga trafikantët.
? Në pamjet e xhiruara nga një gazetare e Top Channel, e cila u gjend në zonë pak minuta më vonë, duket makina e bërë shosh nga plumbat dhe më pas e djegur nga trafikantët e maskuar dhe të armatosur. Fatmirësisht 4 pjestarët e grupit të xhirimit janë mirë, përpos disa lëndimeve të lehta nga thyerja e xhamave.
Kjo foto dëshmon djegien e makinës dhe se sa i madh ka qenë sulmi dhe breshërinë e automatikut ndaj makinës së televizionit A1 REPORT. Foto të tjera
Grupi i televizionit A1 REPORT ndodhej në Lazarat për të raportuar dhe për të sjellë pranë publikut ndërhyrjen e Policisë në këtë zonë në kuadër të aksionit Antikanabis ndërsa kanë hasur në rezistencën e armatosur të një grupi kriminal prej 26 personash, sipas policisë të udhëhequr nga Rezip Mahmutaj.
Polcia e Shtetit në komunkatën e mbrëmjes së të hënës për aksionin e policisë në Lazarat bën të ditur se kanë nisur hetimet lidhur me incidentin e rëndë në Lazarat, ku u sulmua ekipi i televizionit A1 REPORT.
…….
Si u sulmua gazetari Gerti Xhaja dhe grupi i xhirimit te televizionit A1 REPORT
Gazetari Gerti Xhaja i cili ndërrmori këtë mision të vështirë mediatik, tregoi nga vendngjarja se ai bashkë me grupin e xhirimit kanë shpëtuar falë ndërhyrjes së një banori të fshatit që largoi kriminelët.
Nën ngarkesën emocionale, pasojë e këtij sulmi që për vetë të duket i pashpjegueshëm për mënyrën se si rrodhi, gazetari Xhaja tregon se makina e televizonit është qëlluar nga mbrapa ndërkohë që ishte në ecje duke xhiruar plane nga fshati i Lazaratit. Për të mos shkuar më në thëllësi të fshatit dhe për të mos ngjallur “revoltën” e trafikantëve, grupi i xhirimit të A1 REPORT ka ndalur makinën. Më tej disa persona të maskuar dhe të armatosur kanë goditur me tyta duke thyer xhamin dhe duke marrë kamerën me të cilën po xhironte operatori. “Në këtë moment kemi qenë në lidhje live. Kam parë dy persona që vinin nga pas, ndërkohë që vinte dhe një i tretë. Personat na nxorrën me tytën e kallashit në kokë dhe për disa moment na mbajtën pas automjetit. Në momentin e parë na është afruar një person, dhe brenda pak minutave kemi parë 3 persona dhe në momentin që po ndërronin karrikatorin kanë ndërhyrë banorët që kanë shpëtuar”, rrëfeu gazetari Gerti Xhaja nga Lazarati pas sulmit të bërë ndaj A1 Report.
Banori i Lazaratit shpetoi gazetarin dhe grupin e xhirimit te A1 REPORT rezulton në listën e policisë mes 26 trafikantëve të shpallur në kërkim
Pasi i premtoi se do t’i ndihmonte, personi në fjalë, emri i të cilit figuron mes 26 trafikantëve në listën e publikuar nga policia, ka marrë gazetarin Gerti Xhaja dhe operatorin dhe i ka lëvizur me makinën e tij pak metra larg makinës me logo të televizionit A1 REPORT, por gazetari Xhaja i ka kërkuar ndihmë për të shpëtuar edhe shoferin dhe teknikun e televizionit A1 REPORT të cilët ndodheshin ende në makinë. Personi është kthyer sërish pranë makinës së televizionit dhe ka marrë shoferin e A1 REPORT i cili ishte totalisht i gjakosur në fytyrë pasi kishte marrë dëmtime nga xhamat e thyer nga armët e trafikantëve. Tekniku i televizonit ishte larguar nga makina dhe pas pak momentesh 4 pjestarët e A1 REPORT janë bërë bashkë në makinën e banorit të Lazaratit që i ndihmoi, i cili i çoi në hyrje të fshatit pranë forcave RENEA dhe policisë dhe është larguar pasi nuk donte të përfshihej në këtë ngjarje.
Pas sulmit me arme trafikantet dogjen makinen me logo te televizionit A1 REPORT
“Pas sulmit që na u bë jemi ulur në një lokal përballë rrugicës që të çon në Lazarat dhe aty ndiqnim tymin që lëshohej nga makina. Më pas mësova se emri i personit që na shpëtoi rezultonte në emrat më të rrezikshëm që kërkohej nga polici, por ai na shpëtoi nga ata njerëz që na rrezikuan jetën”, tha gazetari Gerti Xhaja në lidhjet e vazhdueshme telefonike që ka pasur për A1 REPORT në lidhje me këtë sulm të rëndë të trafikantëve ndaj një grupi mediatik.
Gazetarja Fidhi:Grupi i A1 Report u sulmuan nga 20 kriminelë të armatosur
Gazatarja e Top-Channel Kristina Fidhi, e cila ka qenë një nga dëshmitaret e sulmit ndaj grupit të televizionit të A1 Report, tregoi ngjarjen se si kishte ndodhur sulmi ndaj gazetarëve. Gazetarja Fidhi tha se grupi i xhirimit të A1 Report është ndodhur mes shkëmbimit të zjarrit ndërmjet kriminelëve dhe policisë. Sipas gazetares, kriminelët kanë pikasur makinën e A1 Report të cilët i janë sulur menjëherë me të shtëna armësh.
Fidhi sqaroi se ka qenë ndërhyrja e një prej banorëve që iu është përgjigjur me armë zjarri që ka shpëtuar grupin e A1 Report nga sulmi i kriminelëve.
“Në momentin që gazetarët e A1 Report kanë hyrë në Lazarat, ka qenë momenti i shkëmbimit të zjarrit me policinë. Në atë moment pamë 20 persona që sapo pikasën mjetin iu sulën makinës. Ata e panë që ishte media megjithatë qëlluan. Ka qenë një banor i fshatit ka hyrë në mes të plumbave dhe ka qëlluar mbrapsh ndaj tyre duke u shpëtuar atyre jetën. Më pas ata janë shtyrë dhe janë dëbuar nga kriminelët, dhe në dalje të fshatit kemi parë mjetin e përflakur. Kemi dëgjuar thirrje sepse të shtënat e armëve kanë qenë të mëdha, të gjithë u shtrinë përdhe përfshirë edhe ne. Në atë moment pamë që disa nga plumbat kishin përfshirë edhe mjetin. Më shumë dëgjuam komentet e njerëzve që thonin se ishin gazetarë dhe që ishin dëbuar nga kriminelët.” tha Kristina Fidhi
(Video, Gazetarja Fidhi:Grupi i A1 Report u sulmuan nga 20 kriminelë të armatosur)
Njoftimi i Policisë së Shtetit për sulmin ndaj gazetarit te A1 REPORT, nisin hetimet
Gjatë kohës që strukturat e policisë kanë ndërhyrë për vënien nën kontroll të këtyre objekteve dhe kapjen e personave, që qëlluan me armë policinë, është sulmuar grupi i televizionit A1 Report, nga persona akoma të paidentifikuar. Si pasojë e këtij sulmi ka mbetur i lënduar nga xhamat drejtuesi i mjetit të këtij televizioni, i cili pas marrjes së mjekimit të nevojshëm dhe kryerjes së veprimeve procedurale është larguar nga spitali dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë nga sulmi është djegur plotësisht dhe mjeti i këtij televizioni. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë kryer veprimet procedurale për rastin në fjalë. Materialet edhe për këtë rast do ti referohen Prokurorisë.
Xhaja: Policia qëndron në hyrje të Lazaratit, ndërsa trafikantët brenda
Në grupin e xhirimit të televizionit A1 Report, ishin pjesë një shofer, një kameraman, një gazetar dhe një teknik transmetimi të cilët po raportonin lidhur me aksionin e ndërmarrë nga policia e shtetit për të ndërhyrë në Lazarat ndaj kultivimit të lëndëve narkotike. Mirëpo aksioni i policisë ka hasur në të shtëna armësh nga një grup prej 26 trafikantësh me në krye Razip Mahmutajn.
Në një lidhje të mëvonshme telefonike me gazetarin Gerti Xhaja, ai theksoi se situata vijon të mbetet e njëjta ku policia sipas tij qëndron në hyrje të Lazaratit dhe kontrollon drejtuesit e mjeteve ndërkohë që trafikantët patrullojnë në rrugët kryesore të fshatit të Lazaratit.
“Policia vijon të mbetet e stacionuar në hyrje të Lazaratit. Grupet e policisë vijojnë të kontrollojnë të gjithë personat që kalojnë, ndërsa trafikantët ndodhen në brendësi të Lazaratit. Situata mbetet po e njëjta. Unë kam parë vetëm autoblindat e RENEA të cilët vetëm patrullojnë në hyrje të Lazaratit, ndërkohë trafikantët janë të armatosur dhe të maskuar më mirë se policia. Efektivët blu vetëm i mbajnë të rrethuar.” tha gazetari i A1 Report Xhaja.
(Raportimi i parë telefonik live i gazetarit Gerti Xhaja pak minuta pas ngjarjes)