VIP

Ja si më dhunoi Rezarta Shkurta

Ju më datë 6.12.2010 keni bërë një kallëzim penal përpara oficerit të policisë gjyqësore, E.Dani, ndaj shtetases Rezarta Shkurta. A mund të na sqaroni hollësisht rreth kësaj ngjarjeje?

Fillimisht do sqaroj se në prill të vitit 2010, kemi qenë në një emision të përbashkët me Rezarta Shkurtën me titullin “Vip Shtëpia” në Kosovë. Në këtë emision kanë qenë dhe artistë të tjerë si Big Mama, Kastro Zizo, Afroviti Goga dhe aktorë dhe këngëtarë kosovarë. Gjatë emisionit që transmetohej 24 orë më 24, kemi bërë unë me Big Mamën një debat me Rezartën. Debati filloi për arsye të kota dhe degjeneroi më vonë deri në fyerje familjesh dhe personale midis njëra-tjetrës. Në televizion, Rezarta nuk ka përdorur fjalë të pista. Pas debatit, ajo e la lojën në fjalë dhe iku nga emisioni, me pretendimin se nuk duronte dot fjalorin tonë banal (timin dhe të Big Mamas). Pas këtij momenti, deri në kohën që u zhvillua sivjet në televizionin Klan, “Kënga Magjike 2010”, unë me Rezartën nuk kemi komunikuar me njëra-tjetrën. Në përfundim të “Këngës Magjike”, kemi shkuar në një after-party tek birra “Stela” dhe në një moment që unë isha duke kërcyer, Rezarta më erdhi aty, m’u hodh në qafë dhe më komplimentoi për këngën. Në momentin që m’u hodh në qafë, e panë dhe shumë veta të tjerë si Zajmina, Ornela Hajiti. Unë e konsiderova falje këtë përqafim të Rezartës dhe i thashë se faljen e kam institucion. Të nesërmen ishin tek emisioni “E diela shqiptare”, ku publikisht Rezarta më erdhi dhe më puthi. Të premten, pas të dielës, unë ftohem tek emisioni “Zonë e Lirë”, e drejtuar nga gazetari Arian Çani. Gjatë emisionit, Çani më ka thënë: Jeni pajtuar me atë vajzën që keni pasur probleme?. Unë i thashë po dhe se ajo më kishte kërkuar falje. I thashë Çanit se faljen e kam institucion. Pas këtij emisioni, në adresën time në Facebbok më kanë mbërritur fyerje pa fund nga Rezarta Shkurta. Fyerjet nuk mund t’i them dot, pasi kanë qenë të rënda. Do i paraqes më vonë, nëse do më duken të arsyeshme. E bllokova një adresë të saj dhe ajo filloi të më shkruante në një adresë tjetër në drejtimin tim, po me fjalë të ndyra. Unë ia kam kthyer mesazhet, por nuk mbaj mend që ta kem sharë atë. Mesazhet mes nesh në Facebook, me sa mbaj mend kanë vazhduar që nga dita e premte, deri ditën e diel, ku agravoi keq situata. Ditën e dielë, duke gdhirë e hëna, rreth orës 01:00 kanë vërshuar një sërë mesazhesh në inbox-in në Facebook, në drejtimin tim. Këto unë i kam fotografuar dhe do i paraqes, nëse do i shoh të arsyeshme. Unë mbaj mend që i jam përgjigjur Rezartës në një moment se: “Pse nuk i shkruan në gazetë apo të shkosh dhe të thuash në televizion këto që ke shkruar. Ose hajde dhe m’i thuaj në sy, unë jetoj në Tiranë”. Unë i kam thënë që ajo të vinte në shtëpinë time. Rezarta pas kësaj më ofendoi përsëri keq dhe më keq. Ndër gjithë këtë mori mesazhesh, një fjalë që më ngeli në mendje është, kur më shkroi: “Hajde të takohemi, se dua të çoj argëtimin tim deri në fund”. Nga ky komunikim që bëmë, Rezarta më kërkoi të dinte nëse ishte telefoni im ai që ajo kishte shkruar. Unë ia konfirmova dhe ajo më kërkoi të dinte ku isha unë, që të takoheshim. I tregova ku isha dhe e lamë të takoheshim poshtë pallatit tim. Në shtëpinë time ishte dhe djali i xhaxhait, Loren Radi, i cili i pa mesazhet e fundit mes meje e Rezartës dhe më kërkoi që të më shoqëronte. Unë nuk pranova, pasi mendova që nuk ishte e nevojshme dhe zbrita me këmbë jashtë, poshtë pallatit tim, por nuk e pashë aty Rezartën. Në këtë moment, ose e mora, ose më mori në telefon Rezarta dhe më tha se nuk ishte poshtë pallatit tim, pasi nuk e dinte, por ishte pak më poshtë, në rrugën kryesore, afër kompleksit “Fari”. Mora makinën time “Pezho 206”, me ngjyrë gri në bojëqelli dhe shkova në drejtim të vendit ku më tha Rezarta. Isha vetëm dhe po drejtoja makinën time, ndërkohë që sapo u shkëmbeva me një makinë “Benz” vishnje (të dhëna të tjera nuk mbaj mend), që ishte parkuar, me drita fikur, më telefonoi Rezarta dhe më tha: “Ndalo se jam mbrapa teje”. Unë ndalova makinën në cep të rrugës, hapa bllokazhet e dyerve dhe i thashë Rezartës që erdhi nga dera ime e shoferit që të dilte nga dera e pasagjerit dhe të hipte në makinë, me mundësinë që të bënim një xhiro, për të sqaruar problemet. Rezarta nuk pranoi, më hapi derën time, të shoferit normalisht, dhe ndërsa unë mendova të dilja nga makina, që të flisja me të, në momentin që po ngrija frenat e dorës, Rezarta m’u hodh përsipër, duke më sharë, gjuajtur me grushte dhe shkulur flokët. Në këtë moment, unë duke qenë se kisha dalë nga një ndërhyrje kirurgjikale në gjokse, kam ruajtur pjesën e bustit dhe e kam lënë fytyrën zbuluar, ku dhe Rezarta më qëlloi më shumë. Pas këtij momenti, unë kam arritur të dal nga dera e makinës dhe në momentin që unë dola, prapë Rezarta m’u hodh për të qëlluar, ndërsa doli një mashkull nga makina ku ishte Rezarta dhe u drejtua menjëherë drejt nesh, duke më kapur mua të dyja duart, ndërsa Rezarta më gjuante në fytyrë. Pas shumë pak sekondash, pashë dritat e policisë që patrullonte në zonë. (Mashkulli që ishte me Rezartën, ishte Ermal Hoxha, burri i saj, të cilin e njihja prej shumë kohësh). Menjëherë ika drejt makinës së policisë dhe i dola përpara. Nga makina dolën dy policë, të cilët më thanë “Rozanë, çfarë ke?”. Makinën e policisë nuk e pashë se çfarë targe kishte dhe as policët nuk i njoha me emra apo fytyra, pasi ishte natë. U kërkova të më shoqëronin në Komisariat mua dhe Rezartën me Ermalin. Polici më tha të qetësohesha, pasi isha duke qarë dhe në këtë moment Ermali më kërkoi të bisedonim pak të dy, çka ua kërkoi dhe policëve. Pasi Ermali më merr dhe futemi në makinën time, më tha: “Është mirë mos të shkojmë në polici, por të pimë një kafe dhe të sqarohemi”. I thashë se si kishte mundësi që një mashkull të nxirrte në orën 02:30 gruan e tij nga shtëpia për t’u zënë, ndërsa ai më tha se nuk e dija se do ziheshit. Unë i thashë pse nuk ndërhyre ti, kur Rezarta po më godiste, ndërkohë që erdhe menjëherë kur unë dola, duke më mbajtur duart. Ermali më tha: “Po çfarë t’i bëj unë asaj, e kam grua”. Me kaq, duke mos qenë unë në gjendje të merrja makinën time, e parkova aty makinën dhe më shoqërojnë dy policët në fjalë me makinën e tyre për në Komisariatin Nr. 1 Tiranë. Sapo hyra në polici, kërkova një mjek pasi kisha djegie dhe dhimbje syri. Ngaqë ishte shumë vonë, rreth 04:00 e mëngjesit, nga policët m’u tha të vija në orën 08:00 të mëngjesit, pasi në atë orë që shkova unë nuk kishte njeri që të më merrte kallëzimin penal. Në këtë kohë, erdhi motra ime dhe më mori me bashkëshortin e saj dhe me makinën e tyre shkuam te shtëpia ime. Motra erdhi në komisariatin e Policisë, pasi gjatë kohës që unë po shkoja atje me policët, e telefonova atë me numrin tim dhe i thashë “Hajde shpejt në komisariatin 1, tek Pazari i Ri. Në momentin e telefonatës së parë, motrën nuk e sqarova dhe as më pas, kur ikëm në shtëpi, pasi isha shumë e tensionuar. Në momentin që motra me kunatin po më çonin për në shtëpi, unë u tregova atyre me pak fjalë, pa detaje sherrin që ndodhi. Vetëm të nesërmen, pas kallëzimit penal, unë e kam sqaruar motrën për gjithçka dhe me detaje. Pasi më çuan në shtëpi, motra me kunatin, unë gjeta aty djalin e xhaxhait Lorenin dhe ia sqarova edhe atij situatën dhe se si kishte ndodhur ngjarja. Pasi Lorenin dhe unë u munduam të qetësonin syrin tim të majtë, që më ishte enjtur dhe skuqur nga brenda, shkoi ora rreth 07:00 e mëngjesit, pas të cilës unë u bëra gati dhe shkova në komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, ku para Oficerit të Policisë Gjyqësore, E.Dani, bëra ballëzimin tim penal, Unë i kërkova oficerit që të më shikonte një mjek syrin, ndërsa ai më dha një vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor, për të bërë ekzaminimin përkatës. Shkova bashkë me vendimin që më dha oficeri tek “Nënë Tereza”, tek një mjek aty, i cili pasi më ekzaminoi më tha të bëja një kontroll dhe mund të vazhdoja për në shtëpi. Me kaq e mbylla me pjesën e policisë dhe ekzaminimit ligjor, por kam vuajtur me syrin tim të majtë, i cili edhe sot më pengon në të parin tim qartësisht.

A ka pasur ndonjë të pranishëm tjetër gjatë sherrit në fjalë që keni bërë ju me Rezartën?

Unë nuk parë asnjë të pranishëm tjetër, përveç sa ju deklarova më sipër, gjatë sherrit që ndodhi mes meje dhe Rezartës. Unë nuk kam parë asnjë lokal hapur, pasi ishte errësirë dhe nuk kishte as drita në rrugën ku ndaluam ne dhe ku ndodhi sherri. Një ndër lokalet që ka qenë afër aty, pranë një supermarketi, nuk ka qenë i hapur dhe ka qenë me drita fikur.

A keni pasur ndonjë mjet të fortë ju apo Rezarta gjatë sherrit?

Unë nuk e kam goditur Rezartën, pasi nuk kisha mundësi as të mbrohesha nga moria e goditjeve të saj. Ajo më ka qëlluar mua. Nuk ka pasur ndonjë nga ne mjete të forta gjatë sherrit, por Rezarta duhet të ketë pasur ndonjë unazë në dorë, pasi nuk kishte se si të më bëhej syri në atë gjendje që u bë.

A mund të na sqaroni kush është tjetër në dijeni të këtij sherri mes jush?

Në dijeni, sikurse deklarova është: kunati, që u informua nga ime motër dhe jo nga unë, motra ime dhe çuni i xhaxhait, Loreni. Po ashtu gjatë këtyre ditëve më kanë ardhur në shtëpi apo takuar në ambiente të tjera këngëtarët Valbona Mema, Sinan Hoxha, Zajmina Vasjari, Eni dhe Greta Koçi, Tefta Radi e Françesk Radi, ku i kam informuar hollësisht për situatën dhe ngjarjen e ndodhur. Po ashtu, vlen të sqaroj se në komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, kur kam shkuar aty në mesnatë për të denoncuar, kanë qenë dhe 2-3 policë të tjerë që nuk i mbaj mend si fytyra e jo më si emra.

Në kohën që keni shkuar në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë për denoncimin, a kanë qenë edhe shtetasit Ermal Hoxha dhe Rezarta Shkurta, aty?

Kur shkuam në komisariat, rreth orës 04:00 të mëngjesit, kemi qenë të gjithë bashkë aty, si unë dhe Rezarta me Ermalin, ku unë hyra e para brenda në komisariat, ndërsa ata prisnin përjashta. Kur dola unë nga komisariati, Ermali me Rezartën hynë aty, pra u shkëmbyem me njëri-tjetrin, por nuk folëm. Ndërsa në mëngjes, unë nuk e pashë as Rezartën dhe as Ermalin kur shkova dhe bëra denoncimin. Pas këtij momenti dhe deri sot, nuk kam pasur kontakte me Rezartën dhe me Ermalin.

Nga deklarimet, rezultojnë disa fakte të reja që nuk i keni deklaruar gjatë kallëzimit penal tuaj më datë 06.12.2010. Përse nuk janë deklaruar këto fakte që po deklaroni sot?

Atë ditë që bëra kallëzimin penal, kam referuar ngjarjen që ndodhi, por jo hollësira rreth personave që unë kam vënë në dijeni për ngjarjen, pasi mua më pyetën në polici se si ndodhi ngjarja dhe jo kujt ia kisha thënë ngjarjen.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button