www.Zemra.Org

Jam e pasur por s’kam te dashur

Genta Ismajli, këngëtarja që me bukurinë dhe hitet e saj është kthyer prej vitesh në një yll të skenës shqiptare, do të vijë sot në një rrëfim special …

Pa doreza, e drejtpërdrejtë dhe e prerë në përgjigjet e saj, këngëtarja seksi tregon për të rejat më të fundit në jetën private e artistike…

Albumi i ri nën titullin “Guximi” ka vetëm pak javë që është në treg, por siç pohon dhe vetë Genta, suksesi ka qenë evident që në ditët e para…Prova më e mirë për këtë sukses janë klikimet në videoklipin e këngës prej të cilit ka marrë edhe titullin ky album, pikërisht “Guximi”. Por ndërkohë, koncertet e saj të tejmbushura me njerëz e fansat që dita-ditës rriten në profilin e saj zyrtar në ‘Facebook’, janë një tjetër dëshmi për suksesin që është skalitur nën emrin e këngëtares Genta Ismajli…Sa i përket jetës private, ajo ende s’e ka gjetur mashkullin me të cilin kërkon të ndajë jetën, të krijojë një familje, e të ketë sa më shumë fëmijë…
Kur ke lindur, në çfarë ore dhe çfarë dite të javës?
Kam lindur në orën 6 të mëngjesit, më datë 12 prill të vitit 1984, në mos gaboj ka qenë ditë e martë.
Çfarë të ka treguar nëna për ditën e parë që ke ardhur në jetë?
Edhe ajo, si çdo nënë tjetër në ato momente, është veshur nga emocione të papërshkrueshme dhe ka derdhur lot gëzimi.
Kush ta ka vënë emrin dhe ç’domethënie ka ai?
Emri më është vendosur me konsensus nga të dy prindërit, ndërsa domethënia e tij lidhet më një lule shëruese dhe lidhur me këtë, unë përpiqem gjithmonë t’i shëroj miqtë e mi shpirtërisht. (qesh)
Je e mendimit që emri duhet të trashëgohet në brezat pasardhës dhe pse?
Unë mendoj se trashëgimi i emrit në brezat pasardhës është diçka interesante dhe unë do të ndihesha mjaft mirë nëse mbesa ime do të kishte të njëjtin emër si unë nesër.
Kujtimi më i bukur që mban mend nga fëmijëria?
Kujtime të bukura që më vijnë në këto momente në mendje nga fëmijëria janë të pafundme, kjo ma bën edhe më të vështirë të veçoj një prej tyre. Kam pasur një fëmijëri të bukur, të mbushur me shumë ëndrra dhe dëshira, mes të cilave më të madhen e kam realizuar tashmë. Mbaj mend që kur isha fëmijë, e dashuroja muzikën, isha e ndjeshme ndaj çdo lloj zhurme të vazhdueshme. Besoj se e dini historinë time që kur lavatriçja ishte në punë, unë kërceja me zhurmën e saj.
Më pas, më trego ndonjë episod nga adoleshenca?
Edhe adoleshencën e konsideroj gjithashtu një stinë të bukur e të qetë në jetën time, stinë në të cilën u formësua ëndrra ime për të kënduar…Janë disa momente që mbeten gjatë në kujtesë, një të tillë unë e kam përjetuar në adoleshencë dhe ka qenë pikërisht koha kur u ktheva përfundimisht në Kosovë. Kisha ardhur veç për disa ditë, ndërkohë që u shpërngula përfundimisht aty…
Do të të pyes pak për shkollën tani…Ke qenë një nxënëse e mirë?
Mund të them vetëm se kam pasur vullnet të hekurt gjithnjë për të arritur gjërat që dëshiroja. Ndaj sa herë i vija vetes si qëllim që të merrja një dhjetë, padyshim që ia dilja.
I mban mend shoqet e gjimnazit apo të shkollës fillore, vazhdon të shoqërohesh me ndonjë prej tyre?
Përgjithësisht i ruaj gjatë miqësitë dhe si pasojë kam ende kontakte me disa nga shoqet e fëmijërisë. Vërtet mund të takohemi rrallë për shkak të angazhimeve të shumta që unë kam, por gjithsesi, sa herë dal me to ndihem e lumtur dhe e çliruar, kaloj orë të tëra duke biseduar dhe asnjëherë s’mërzitem. Janë shoqet që më kuptojnë më së miri, të gatshme për të më dëgjuar sa herë unë kam nevojë.
Si është Genta në shoqëri?
Jepem me shpirt, dhuroj shumë dashuri dhe sinqeritet, ndonëse sa vjen e më shumë kuptoj që nuk duhet të jem gjithmonë e tillë. Shumë njerëz nuk duan të të shikojnë mirë, pavarësisht se ti dëshiron çdo herë më të mirën për ta. Megjithatë, tani kam arritur t’i njoh njerëzit dhe them me plot bindje që ndihem e lumtur për miqtë e rrallë që kam, për ata të vërtetët e kam fjalën. (qesh)
Po në Shqipëri ka miq Genta?
Kam edhe këtu disa miq e mikesha të mira. Njerëz të cilët dua t’i takoj çdo herë kur jam këtu, pasi vërtet sikur çlodhem me ta, kaloj shumë bukur.
Ke shënuar jo pak suksese gjatë karrierës tënde në Shqipëri. Çfarë është për ty Shqipëria?
Është shumë e vërtetë që kam shënuar jo pak suksese në Shqipëri. Shqipëria është ajo pjesë e shpirtit tim, në të cilën janë të gdhendura vetëm kujtime të bukura. E dua shumë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kur je këtu, si të presin fansat?
Më përshëndesin në rrugë, duan të bëjnë fotografi, më shkruajnë në rrjetet sociale. Këtu ndihesh më VIP se në Kosovë.
Cili është komplimenti që të pëlqen më shumë?
Mbi të gjitha më pëlqen kur më thonë që u pëlqen personaliteti, karakteri dhe zemra ime. Kjo është lumturia më e madhe. Ky është qëllimi im në jetë.
Cila është surpriza më e bukur që të kanë bërë fansat?
Surpriza të bukura unë marr pothuajse çdo ditë, ato janë letrat që më vijnë nga fansat e mi, sa herë hap derën në mëngjes ose kur i afrohem makinës, gjej aty letrat e adhuruesve te mi, të mëdhenj e të vegjël, pleq e fëmijë…Ndonjëherë më bëjnë edhe deklarata dashurie aty…Por ato që më gëzojnë pa masë janë letrat që vijnë nga fëmijët, të cilët e shprehin dashurinë kundrejt meje në forma shumë interesante, këto ditë në fakt janë edhe ditët e mia më të bukura.
Të flasim pak tani për muzikën, për albumin tënd të fundit. Si është pritur ai?
Për fatin tim të mirë, puna që kam bërë gjithë këto muaj po shpërblehet. Fansat e mi më kanë vlerësuar maksimalisht për albumin e ri, çdo ditë më shkruajnë komplimente për këngët që përmban CD-ja dhe ndihem vërtet shumë e lumtur. Sakaq, këngët janë në shitje edhe në i-Tunes dhe jam e surprizuar nga shifrat e deritanishme. Nuk di ç’të them, jam pa fjalë dhe i falenderoj pafund të gjithë ata që më kanë përkrahur.
Sa e vështirë është të realizosh një album?
Nuk është aspak e lehtë të realizosh një album, sidomos kur është në mes emri im, Genta Ismajli. E them këtë, sepse unë kam një peshë shumë të madhe, një përgjegjësi të pamasë para publikut. Prandaj gjithmonë mundohem të mos bëj gabime, edhe pse si njeri unë bëj gabime. Megjithatë, dua ta mbaj fjalën e dhënë adhuruesve të mi, ndaj edhe solla një album si “Guximi”. E kam bërë me shumë kënaqësi, kanë punuar shumë persona të suksesshëm për këngët e mia, ka qenë një eksperiencë, besomëni, – e çmendur. Kam vite që punoj për këtë album, sidomos për këngët në anglisht që janë futur si bonus aty, ndërsa për këngët në shqip kam punuar përreth një vit.
Po fansat e tu në Shqipëri ku mund ta gjejnë albumin?
Në të gjitha pikat e karburanteve “Alpet”, veç aty do ta gjejnë albumin tim origjinal.
Albumi në fakt është piratuar nga të tjera kompani diskografike dhe siç kemi mësuar, ti je detyruar ta çosh në gjykatë çështjen…
Është mëse e vërtetë kjo që po thoni. Shtëpi diskografike që synojnë të përfitojnë në kurrizin tim, kanë nxjerrë në shtije CD, pa marrë miratimin tim. Më vjen keq për këtë, sepse nuk është mirë që të luash me punën e tjetrit, megjithatë uroj që drejtësia të vendoset dhe ata të marrin dënimin e merituar.
Në faqen tënde shikojmë çdo ditë një njoftim të ri për koncerte… Sa e vështirë bëhet për ty prezenca në secilin prej tyre?
Për sa kohë e di që aty janë fansat e mi, asgjë nuk është e vështirë… Duartrokitjet e tyre mposhtin çdo lodhje timen.
Besoj se me kaq shumë koncerte edhe fitohet shumë, a janë të pasur këngëtarët shqiptarë?
Unë besoj se po, edhe pse sa më shumë të kesh, aq më shumë kërkon dhe nuk ua di vlerën parave. Njeriu duhet të jetë i kënaqur me atë që ka. Unë e kam zakon që kur ulem të ha një ndonjë restorant të shtrenjtë, mendoj ata persona që nuk kanë të hanë bukë në shtëpitë e tyre. E falënderoj Zotin për gjithçka që më ka dhuruar, jam e kënaqur për këto që kam, por natyrisht që dua të arrij edhe më shumë për disa arsye: që të jem e lumtur, që të ndihmoj njerëzit e tjerë dhe për ta bërë këtë, dua të kem më shumë para sesa kam tani.
Po gjithsesi ke shumë apo jo?
Kam aq sa më duhen për të bërë një jetë të mirë.
Kemi lexuar kaq shumë për ty së fundmi, çdo ditë thuajse megjithatë ende asnjë të re sa i përket jetës private. Është e vërtetë që ende nuk ke gjetur dikë me të cilin të ndash ndjenjat?
Është shumë e vërtetë, siç e thua dhe ti prej kohësh nuk kam një mashkull në krah, nuk e mbaj mend që kur nuk kam dalë për herë të fundit me një të tillë, ndoshta para 1 viti, ose edhe 2.
Nuk e ndien nevojën për të pasur dikë në krah?
I jam përkushtuar maksimalisht punës, karrierës, muzikës gjatë gjithë kësaj kohe. Normalisht që kam simpati, si gjithë të tjerët, p.sh., kur shkoj në ndonjë festë, apo edhe kur dalë ndonjëherë mbrëmjeve ia ngul sytë ndonjë djali, afeksionohem ndaj tij, por veç kaq. Vërtet, ndonjëherë e ndjej shumë të nevojshme prezencën e një mashkulli në jetën time, po gjithsesi për shumë pak më ndodh kjo. Fansat, muzika, familja më mbushin me jetë dhe dashuri…
Po pse kjo gjendje…Nuk është momenti për ty, apo për meshkujt? Ende s’e ka marrë guximin ndonjëri prej atyre që ti pëlqen të të shprehë ndjenjat?
Nuk di të jap një përgjigje…Unë po pres që personi i duhur të trokasë në zemrën time…Mund të jetë edhe dashuri me shikim të parë. Unë dëshiroj shumë që të kem dikë pranë, sepse të gjithë duan të kenë një person special në jetë. Por, mesa kam vërejtur, ky nuk ka qenë viti i dashurisë, pasi unë ende nuk e kam gjetur një mashkull, nuk do dal në rrugë dhe të them: “Hej, hajde ti këtu”. Nuk e kam gjetur dikë që të më përshtatet.
Kur mashkulli që pret të trokasë në zemrën tënde, ti do të krijosh familje?
Sigurisht, do krijoj familje dhe do bëj fëmijë. Unë i dua fëmijët shumë dhe nëse do gjej personin e duhur, do bëj fëmijë, patjetër.
Do të hiqje dorë nga muzika për të krijuar familje?
Për një farë kohe, po. Mendoj se gjithçka në jetë meriton kohën e vet, por sigurisht që muzika është oksigjen në jetën time dhe s’mund të jetoj shumë gjatë pa të. Ndaj do t’i rikthehem pas krijimit të familjes…
Si përfundim, ke planifikuar pushime këtë vit?
Ende jo, edhe vetë më lart konstatove atë që unë po jetoj. Kam përditë koncerte dhe është e pamundur të gjej disa ditë pushimi për veten time…Puna për albumin më ka marrë shumë kohë, por megjithatë shpresoj të gjej disa ditë në shtator për t’ia kushtuar vetes sime.
Çfarë destinacioni zgjedh zakonisht për pushime?
Shkoj në Ulqin, para se të nisë sezoni i pushimeve, është shumë bukur atje, por vij edhe këtu në Shqipëri, më pëlqen shumë Dhërmiu. Këto janë vendet që zgjedh për plazh.

Exit mobile version