Javën e ardhshme do të diskutohet për hapjen eventuale të kufijve të Maqedonisë së Veriut me shtetet e rajonit pa kushte.
Vendet e Ballkanit Perëndimorë si dhe Greqia e Bullgaria do të rilidhen sërish “on-line” për tu koordinuar për lëvizjen e qytetarëve, por edhe për situatën me Pandeminë. Zv/ministri i Shëndetësisë Armend Arsllani tha se me vendet e rajonit janë marrë vesh të hartojnë një dokument për protokoll të ndërsjellë për kufijtë.
“Grupet punuese janë në aktivitetet e tyre të përditshme, kemi shkëmbim të informacioneve gjatë gjithë periudhës dhe tani ne presim një hap tjetër, në të cilën do të kemi edhe një përgjigje konkrete gjatë video-konferencës për të pasur një protokoll të harmonizuar dhe konkret me të gjitha mënyrat sesi do të vazhdoj lëvizja sa më e lehtë e të gjithë udhëtarëve, por gjithmonë duke pasur një kontroll të shpërndarjes dhe përhapjes së virusit korona- deklaroi Armend Arsllani, Zëvendësministër i Shëndetësisë.
Lëvizje të lirë pa test dhe pa kufizime të tjera Maqedonia e Veriut për momentin ka vetëm me Shqipërinë. Ndërsa lehtësimi i lëvizjes varet edhe nga situata epidemiologjike, që në vendin tonë në bazë të shifrave po shkon drejt përmirësimit. Pas disa muajve, numri i rasteve aktive ka rënën nën dy mijë, përkatësisht sot janë 1895 raste aktive.