Jeta do të zgjatet edhe për 20 vjet?
Së shpejti, ndoshta të gjithë banorët e planetit do të mund të bëhen jetëgjatë. Shkencëtarët janë në prag të zbulimit të kohëzgjatjes së rinisë së njeriut. Janë përcaktuar disa mënyra për arritjen e këtij qëllimi.
Disa shkencëtarë po përpiqen të rrisin, të kultivojnë tani organet njerëzore që do të mund të transplantohen për të zëvendësuar organet e plakura. Të tjerë janë duke u përpjekur për të identifikuar gjenin e plakjes. Jo shumë kohë më parë te lakuriqët e natës u zbulua gjeni i jetëgjatësisë.
Kjo specie jeton dhjetë herë më shumë se individët e afërt me llojin e vet, tregon shefi i Laboratorit për Mjekësinë Rigjeneruese të Institutit Fiziko-Teknik të Moskës, Mihaill Batin. “Në fakt gjenet që lidhen me jetëgjatësinë e kafshëve, numërohen jo më pak se 100. Ne jemi të angazhuar tani në laboratorin tonë me modelimin e funksionimit të gjeneve, po përpiqemi të krijojmë atë proteinë, e cila kryen funksionet që lidhen me kohëzgjatjen e jetës njerëzore”.
Nëse do të flasim për njerëzit super jetëgjatë, mendon shkencëtari rus, duhet thënë se mosha e tyre nuk është e lidhur aspak me mënyrën e jetës, por me vetë gjenet e tyre. “Natyrisht, mënyra e jetesës së shëndetshme, kushtet të mira – të gjitha këto janë një gjë shumë e mirë. Por për të arritur, për shembull, moshën 120-vjeçare ndihmojnë ekskluzivisht gjenet, aftësia e organizmit për t’i bërë rezistencë streseve”.
Sipas Batin, nëse do të kishte ekzistuar një projekt global i destinuar për jetëgjatësinë, i tillë si projektet për krijimin e bombës atomike apo fluturimin e njeriut në kozmos, atëherë pas 20 vitesh mund të flitej për triumfin mbi pleqërinë. Por aktualisht, sugjeron shkencëtari rus, një detyrë e tillë nuk është shtruar për zgjidhje.
“Ky është një problem politik që njerëzit të jetojnë gjatë. Kur të ketë vullnet politik, atëherë edhe njerëzit do të jetojnë gjatë. Por, për fat të keq, liderët politikë posedojnë veti e cilësi të tilla që janë në kundërshtim të plotë me zhvillimin e shkencës. Ata janë fokusuar më shumë në mendimet e njerëzve të zakonshëm. Ndërsa zgjatja e jetës, kjo është një detyrë shumë e vështirë, komplekse. Dhe sado paradoksale që të duket kjo, ajo nuk u intereson njerëzve të zakonshëm. Unë jam më se i bindur se 80 për qind e njerëzve, pyetjes: ‘A do të donit të jetonit përjetësisht?’ – do t’i përgjigjen – ‘Jo!’. Kjo është konfirmuar nga studimet dhe sondazhet e kryera në botë”.
Megjithatë, që sot është bërë plotësisht e mundur zgjatja e rinisë së njeriut për një kohë të caktuar. Për këtë çdo njeri duhet të dijë deshifrimin e gjenomit të tij. Kjo procedurë kushton rreth 200 dollarë. Analiza e një numri shumë të madh të të dhënave të gjenomit të një personi konkret do të lejojë për të kuptuar se si rrjedhin ndryshimet e lidhura me moshën në organizmin e tij. Dhe pastaj procedurat e zgjedhura drejtë, me profesionalizëm, do të lejojnë zgjatjen e jetës rreth 20 vjet.