Në një udhëtim nga Shqipëria për në Uashington, në tetor të vitit 2001, dy pasagjerë nisin një bisedë. I pari është Patrick O’Connor, një gazetar amerikan.
Tjetri është Mark Doda, një bari nga Rrnaja, një fshat i thellë në malet e Shqipërisë, që po largohet nga vendi i tij për herë të parë në 34 vitet e tij.
Marku flet disa fjalë anglisht, diçka e pazakontë për një bari, dhe i thotë bashkëudhëtarit të tij se ai shkruan poezi. Ndërsa ndahen në aeroport, Patrick, i intriguar, i lë në dorë kartëvizitën.
“Më telefono kur të duash,” i thotë ai.
Dhe më pas, duke u kthyer për një përshëndetje të fundit, shton: “Përdor këtë numër, vërtet. Jam i sigurt që do të kesh nevojë”.
Por Marku nuk po vjen në Amerikë pa një vend për të qëndruar. Ai do takojë kushërirën, Lila, të shoqin e saj, Shtjefën, vajzën e tyre 13- vjeçare, Jonida dhe disa ish- bashkëfshatarë nga Rrnaja, që janë vendosur tani në SHBA. Në apartamentin modest të Lilës dhe Shtjefnit në periferitë e Uashingtonit, Lila dhe Marku qëndrojnë zgjuar deri vonë, duke folur për të shkuarën.
Edhe pse kalimi nga Shqipëria në Amerikë ka qenë dramatik për Markun, ai përballet me një ndryshim edhe më të madh. Për 14 vite ai ka jetuar si burrë- por deri në moshën 20 vjeç ka qenë një vajzë me emrin Hana. Ndryshimi i gjinisë nuk ka ndodhur për shkak të seksualitetit të Hanës, por për shkak të rrethanave familjare. Në vend që të hyjë në një martesë me shkesi, ajo zgjodhi të ndjekë një traditë të vjetër shqiptarë dhe u bë virgjëreshë e betuar.
Një virgjëreshë e betuar, i shpjegon ajo mbesës së habitur, e cila ka vënë re se ‘xhaxhai Mark është djali më gallatë që ka takuar ndonjëherë’, është një grua që zgjedh për të jetuar si mashkull për të mbrojtur nderin e familjes.
Që ditën kur ajo vesh rroba meshkujsh, trajtohet nga të tjerët meshkuj si një prej tyre.
Ajo pi, tymos dhe punon si burrë- aktivitete të ndaluara në fshat për një grua.
Por çmimi i një virgjëreshe të betuar është sakrifikimi i dashurisë, fëmijëve dhe shoqërisë. Ajo nuk mund të martohet kurrë dhe do qëndrojë beqare tërë jetën.
Në moshën 20- vjeçare, Hana ishte studente letërsie në Tiranë, ku u inkurajua të shkonte nga halla e saj, Katrina, dhe xhaxhai, Gjergji, që e mbanin pasi prindërit i vdiqën në një aksident me makinë.
Kur mësoi se xhaxhai ishte sëmurë, ajo la një provim të rëndësishëm dhe u kthye në shtëpi. Ndërsa Gjergji vuante nga një kancer vdekjeprurës, Katrinën e la zemra e dobët dhe Hana ndjeu se nuk kishte asnjë zgjedhje tjetër përveçse të braktiste studimet dhe të kujdesej për xhaxhain. Por ajo nuk mund të mbetej grua e pamartuar. Megjithatë, në vend që të martohej me një burrë që nuk e donte, ajo përqafoi të vetmen dashuri që i kishte mbetur, të bëhej Marku. Tani, e vendosur në Amerikën post 9/11, ajo duhet të mësojë të bëhet Hana sërish. Dhe siç e kishte parashikuar Patrick O’Connor, ajo do ketë nevojë për t’i telefonuar.
Deri më tani, fiksioni shqiptar është familjar për audiencat perëndimore, kjo ndoshta për shkak të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, që ka shkruar parathënien për romanin e Eliva Dones.
Dones është një shkrimtare dhe producente filmash, që u arratis nga Shqipëria komuniste në vitin 1988, ajo u dënua për tradhti në vendin e saj në mungesë dhe u nda nga djali i saj deri në rënien e komunizmit më vend në vitin 1992.
Në vitin 2007, filmi i saj “Virgjëreshat e betuara” fitoi çmimin e Dokumentarit më të Mirë në Festivalin e Filmit për Gratë në Baltimore.
Romani i saj, i përkthyer me bukuri nga Clarissa Botsford, eksploron subjektin kryesor me autoritetin e një shkrimtareje që e kupton se çfarë do të thotë të jetosh kundër natyrës tënde për të mbijetuar.
Kontrastet fizike të botëve të ndryshme të Hanës- jeta e ashpër në fshat, dehja e universitetit- çuditë e periferisë së Uashingtonit- janë të përshkruara me një vërtetësi të mprehtë me të cilën Dones përcakton terrenin e brendshëm të Hanës- heqjen dorë nga identiteti i saj femëror dhe rikuperimin e dhimbshëm dhe më pas të gëzueshëm të vetvetes. Saktësia me të cilën ajo eksploron temën e identitetit, mërgimin dhe përkatësinë është një përligjie e shkrimtarëve PEN të “Programit të Përkthimit,” që mbështeti publikimin e këtij romani të lezetshëm, origjinal dhe të ndjeshëm.
*Ky është një shkrim mbi romanin “Virgjëreshat e betuara” të autores Elvira Dones