Jonida Maliqi shtatzënë në “Kënga Magjike”
Një tjetër surprizë vjen këtë herë nga këngëtarja fashion-iste Jonida Maliqi. Në muajin e gjashtë të shtatëzanisë ajo ka vendosur të shfaqet në ekran, dhe jo thjesht për të zbuluar barkun tashmë të rritur… por për të prezantuar këngën e saj të re, konkurrente në festivalin e madh “Kënga Magjike”!
Mund të duket e pabesueshme, por në fakt është mëse e vërtetë! Këtë të dielë, ajo do të jetë e pranishme në programin “E diela Shqiptare” për të prezantuar këngën “Thesar pa emër”. “Jam vërtet në një moment shumë të lumtur të jetës sime. Dhe më shumë se fjalët këtë mendoj se do ta shprehë kënga ime “Thesar pa emër”, që do të prezantoj të diel, si konkurrente në “Kënga Magjike”. Është një këngë që ia dedikoj djalit tim.
Dhe kur ta dëgjojnë këngën besoj kanë për ta kuptuar mesazhin që ajo përmban”, ka treguar për faqet VIP të gazetës “Mapo” Jonida. Dua një këngë dedikim për tim bir, kjo ka qenë kërkesa që Jonida i ka bërë tekstshkruesit dhe kompozitorit të njohur Pirro Çako. Dhe nuk ka kaluar shumë dhe ai ka realizuar një baladë R&B dhe një tekst, që qysh tani ka zgjuar kuriozitetin tonë… “Jam e kënaqur nga kënga dhe ata njerëz që e kanë dëgjuar e kanë pëlqyer.
Ndihem mirë për këtë. Shpresoj që të njëjtin mendim do të ndajë dhe publiku për të”, tregon këngëtarja, e cila rikthehet në Festivalin “Kënga Magjike”, pas çmimit të parë që mori në edicionin e dhjetë (viti 2008) të këtij eventi me këngën “Njëri nga ata”. Por, ndërsa aktualisht Jonida është në muajin e gjashtë, kur të vijë koha e spektaklit të gjysmë-finales dhe finales (ku, sigurisht që ajo do të jetë pjesë e saj), në muajin nëntor i bie që ajo të jetë në muajin e tetë të shtatëzanisë, çka do të shënonte një rast tepër të rrallë në skenën shqiptare; në konkurrim një këngëtare në muajin e tetë të shtatzanisë!!!
“Vërtetë do të jetë diçka e çuditshme, por kisha dëshirë të isha në këtë edicion të “Kënga Magjike”. Dhe për më tepër, duke qenë që pas lindjes do të bëj një pushim nga jeta artistike për t’iu përkushtuar tim biri, mendoj se kjo këngë dhe kjo pjesëmarrje e imja, në këtë festival do të jetë një lloj dhurate që ju lë gjatë kësaj periudhe fansave të mi”, pohon këngëtarja që gjithmonë shquhet për stilin e saj në look dhe veshje. E, ndërsa muajt ikin dhe gjinia e bebit të saj është zbuluar prej disa kohësh, sigurisht që e kemi pyetur Jonidën edhe nëse ka menduar për emrin e bebit.
Por, ndryshe nga sa mund të prisnim ne dhe kushdo tjetër, këtë zgjedhje Jonida ja ka besuar babait të Gentit, bashkëshortit të saj… Dhe që sigurisht do të mësohet për të gjithë në momentin që bebi do të vijë në jetë. Kështu që deri atëherë, le t’i urojmë Jonidës suksese në festivalin “Kënga Magjike” dhe një shtatzani në vazhdimësi të mbarë!