Kapen një milion dollarë të falsifikuar
Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth një milion dollarë amerikanë që dyshohet se janë të falsifikuar, dhe ka arrestuar pesë persona nga rajoni i Gjilanit dhe Prishtinës. Janë gjetur edhe pajisje për prodhimin e parave.
Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth një milion dollarë amerikanë, në bankënota që dyshohet se janë të falsifikuara.
Në lidhje me rastin janë arrestuar pesë persona të dyshuar, të gjithë këta nga rajoni i Gjilanit dhe Prishtinës, vende ku edhe është kryer operacioni i forcave të policisë.
“Arrestimi i tyre është bërë i mundur pas disa muajsh hetime”, tha Brahim Sadriu, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës.
“Përveç bankënotave, janë konfiskuar edhe disa pajisje të cilat dyshohet se janë përdorur për prodhimin e këtyre parave false”, tha Sadriu për Gazetën Jeta në Kosovë.
Të arrestuarit janë të moshave të ndryshme si 31, 32, 35 dhe 55 vjeç dhe të gjithë ata dyshohet se kanë kryer veprën penale të “falsifikimit të parave”.
Operacioni policor është ndërmarrë nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës.
Në lidhje me këtë rast, krerët më të lartë të Policisë kanë paralajmëruar një konferencë për media ku do të paraqesin edhe bankënotat e konfiskuara.