www.Zemra.Org

Kapet ‘shenjti që lante xhamat’, mashtronte vajzat e reja

fotoMësohet se në pranga të policisë ka rënë shtetasi I.Hida, me profesion xhama-larës, i cili kishte arritur të ngrinte një sekt ku kishte rekrutuar vajza të reja të cilave u predikonte për “Kishën e Re të Pentagonisë”.

Hetimet për arrestimin e 39 vjeçarit kishin nisur që në shkurt të këtij pas kallëzimeve penale të bëra nga ana e familjarëve të vajzave të reja.

Ndërkaq, nga të dhënat paraprake, mësohet se i arrestuari, banues në lagjen “5 Maji” në Elbasan, brenda një kohe të shkurtër, nga predikimet e tij kishte arritur t’i mashtronte vajzat e reja dhe t’i bindeshin verbërisht atij.

Madje nga dëshmitë e familjarëve të vajzave të rekrutuara, bëhet e ditur se predikimi i Hidës shkonte deri në zgjedhjen e bashkëshortëve të tyre. Gjithashtu, krahas predikimit, mësohet se 39 vjeçari kishte përdorur edhe forma presioni duke u kërkuar vajzave të reja që të besonin vetëm atë.

Hetimet e policisë, krahas zbardhjes së plotë të ngjarjes, po punon edhe mbi dyshimin se ky sekt financohej me qëllimin e prishjes së bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

DESHMITE E FAMILJAREVE TE VAJZAVE TE REKRUTUARA

Shtetasi B.F ka kallëzuar se vajza e tij, e cila vazhdon shkollën e lartë në Tiranë, ka disa kohë që frekuenton një sekt fetar të krishterë me predikues shtetasin I. Hida nga qyteti i Elbasanit, i cili predikimet e tij i zhvillon në ambjentet e banesës së tij. Sipas bisedave që kallëzuesi ka bërë me vajzën e tij, predikuesi I. Hida i mësonte atyre që të tërhiqeshin nga familja, të mos ushqenin për familjen dhe prindërit respekt dhe dashuri, pasi familja nuk e do fenë që ata predikojne dhe se të gjithë njerëzit që janë kundër tyre dhe nuk besojnë fenë e saj, janë ‘djaj’.

Gjithashtu, ky predikues i instruktonte vajzat që të ndaheshin nga shoqëria ku bënin pjesë dhe të kishin kontakte vetëm me persona që ishin pjestarë të këtij grupi predikues. Predikimet 39 vjeçari i bënte me anë të telefonit 2 orë në mëngjes dhe 2 orë në darkë, ndërsa ditën e dielë vajzat duhet të vinin në Elbasan tek banesa e tij.

Një tjetër kallëzim nga shtetasi me iniciale Q.A ka deklaruar se disa vite më parë vajza e tij ka filluar të frekuentojë “Kishën e lirë të Apostujve të Pentagonisë” në Tiranë. Vajza ka rreth 3 vjet që ka mbaruar shkollën e lartë dhe nuk pranon që të punësohet pasi thotë që nuk e lë zoti që të punojë. Kallzuesi Q.A ka folur në telefon me I. Hidën duke i kërkuar që të largohej nga jeta e vajzave të tij dhe te mos ndikonte për keq. Ndërsa 39 vjeçari i është pergjigjur se “ajo është motra ime, dhe se ne jemi në luftë me gjithë botën.”

Mësohet se si rezultat i predikimeve dhe ndikimit të shtetasit Ilirian Hida, vajza është rënduar nga ana psikologjike, duke preferuar të qëndrojë e vetmuar dhe e shkëputur nga shoqëria e saj.

Kallzuesi tjetër H.Sh ndër të tjera thotë që vajza e tij bën pjesë tek grupi i I. Hidës dhe pas mbarimit të shkollës së lartë, filloi të shfaqte shqetësime serioze pasi sipas saj ishte prishur kisha ku ajo shkonte për të predikuar, dhe tani zoti kishte sjellur një njeri të tijin të vërtet që është I. Hida. Nga ndikimi i predikimeve të I. Hidës vajza ka shfaqur shenja të lodhjes psiqike dhe fizike, duke u shkëputur nga shoqëria.

Exit mobile version