Karriera e këngëtares australiane Kylie Minogue
Cila është arsyeja e këtij ekzaltimi kaq të madh?
Natyrisht dashuria, jo më kot i kushtova një album të tërë kësaj ndjenje. Po jetoj vërtet një periudhë të shkëlqyer, me gëzime dhe kënaqësi dhe e gjitha kjo është meritë e të fejuarit tim (Andrés Velencoso Segura, 32 vjeç është model spanjoll: çifti është bashkë që nga fundi i vitit 2008). Kam gjetur shpirtin tim binjak.
Çfarë ju bën kaq të sigurt?
Provimi që unë bëj: Andres është i pari që e ka kaluar me maksimumin e votave. Pa dashur, të gjithë të dashurit e mi i nënshtrohen një provimi shumë të vështirë: të arrijnë të më largojnë stresin që më shoqëron gjatë turneve të mi të pafundmë. Për koncerte më ndodh që të qëndroj me javë të tëra larg shtëpisë dhe rastet për t’u takuar bëhen të rralla. Ja në krahasim me ish të dashurit e mi, Andres ka treguar që është ndryshe. Për më tepër ka treguar pjekuri dhe besueshmëri. Unë jam mbështetur shumë tek ai. Mund t’ju tregoj një ndodhi?
Sigurisht, me kënaqësi!
Ngjarja i takon tetorit të vitit 2009 kur performova live për herë të parë në Amerikën e Veriut. Andres e dinte që isha nën presion për shkak të debutimit dhe më shoqëroi në disa shfaqje. Kishte kaluar shumë vështirësi për të qenë aty me mua dhe unë kisha frikë se do të donte të rrinte gjithë kohës me mua. Por sapo erdhi më befasoi: “Rri e qetë zemër, mos mendo për mua. Unë po dal me ndonjë shok për të parë qytetin. Shihemi me qetësi kur të jesh gati”, më tha. E ndjeva veten kaq të lehtë, të lirë dhe të qetë. Një ndjesi që kisha vite që s’e kisha provuar.
Me pak fjalë të pëlqejnë tipat e pavarur dhe të sigurt në vetvete. Karakteristika të tjera?
E di që mund të qeshni, por më pëlqejnë meshkujt shumë më të gjatë se vetja. Mundësisht mbi 1 metër e 80 e që kanë dëshirë për të ndërtuar një familje. Andres i ka të gjitha këto karakteristika, ndaj është thjesht perfekt dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim.
Me ndihmën e tyre mund t’i hyni rrugës së modës dhe të krijoni një linjë veshjesh. Në fund të fundit jeni një ikonë e botës së show-biznesit?
Jo, jo nuk ka mundësi. E respektoj dhe adhuroj shumë punën e stilistëve. Kam shumë defekte, por një cilësi: e di deri ku mund të arrij. Kështu që as që e provoj. Më mjafton ndjesia kur i vesh…
Ju pëlqen shumë moda. Jeni e fiksuar pas saj.
Jo, i ndjek tendencat e fundit vetëm nëse përputhen me shijet e mia. Preferoj të shpik diçka vetë që të më shkojë sesa të vesh fustane firmato që nuk më shkojnë.
Nuk keni nevojë të frymëzoheni nga asnjë yll d.m.th…
Përkundrazi, kam nevojë të frymëzohem nga dy gjigantë të muzikës: Freddie Mercury dhe David Bowie. Jo më tepër për stilin, por për imazhin revolucionar që ata krijuan për atë epokë.