Këshilli i Sigurimit i OKB’së kërkon armëpushimin e menjëhershëm në Gaza
Këshilli i Sigurimit i OKB’së ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm midis ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit.
14 nga 15 shtetet anëtare tentuan të dalin me një deklaratë të përbashkët, por përfaqësuesja e Amerikës sërish kërkoi kohë për të shteruar opsionet diplomatike.
“Ne besojmë se izraelitët dhe palestinezët kanë të njëjtat të drejta për të jetuar në paqe dhe të sigurt. Dhuna e tanishme ua ka mohuar të dyja komuniteteve këtë të drejtë themelore,” tha Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuese e OKB.
E diela ishte dita më e përgjakshme në Gazë, me 42 të vrarë.
Numri i viktimave e ka kaluar shifrën 200, pas një jave konflikti mes palëve.
Militantët e Hamasit që kontrollojnë Rripin e Gazës kanë lëshuar mbi 3 mijë raketa drejt Izraelit, ndërsa ky i fundit shtoi kundërsulmin në fundjavë duke goditur pjesë të tuneleve nëntokësore që grupi islamik ka ndërtuar poshtë zonave të banuara të qytetit për të ruajtur trupat dhe arsenalin e vet luftarak.
Sulmet mes palëve u dënuan si nga kryediplomati i Palestinës, edhe nga përfaqësuesi i Izraelit në Kombet e Bashkuara.
“Izraeli vazhdon t’ju thotë ‘vëreni veten në vendin tonë’, por po vepron si një fuqi pushtuese dhe koloniale. Ndërhyni tani për të ndalur agresionin mbi popullin, shtëpitë, tokat tona,” tha Riyad al-Maliki, ministri i jashtëm palestinez.
“Hamasi po shënjestron civilët, ndërsa Izraeli, terroristët. Po bëjmë çdo përpjekje për t’i shmangur këto dëme. E kundërta me Hamasin,” tha përfaqësuesi i Izraelit në OKB.
Përpos luftimeve, edhe të dielën vijoi rebelimi i qytetarëve palestinezë dhe arabëve të Izraelit kundër komunitetit dhe forcave izraelite të sigurisë.