Viti që sapo po lëmë pas ka shënuar një trend të ri në (mos)publikimin e video-klipeve të përgatitura nga këngëtarët, ani pse edhe këto video-klipe kanë filluar të jenë shumë erotike.
Disa nga këngëtarët e censuruar kanë shprehur revoltën e tyre haptazi për censurimin e projekteve të tyre. Në mesin e shumë video-klipeve të censuruara gjatë këtij viti ka qenë “Shihemi prapë”, një realizim i Lyrical Son në bashkëpunim me grupin “NewPorn”.
Festim Arifi (Lyrical Son) ka thënë se është paksa i irrituar, duke thënë se nuk ka pasur ndonjë arsye që ky videoklip të censurohet.
“Vërtet është e çuditshme se si ky videoklip është përfolur shumë. Unë mendoj se kënga ‘Shihemi prapë’, mund të transmetohet pas orës tetë në mbrëmje, por jo të censurohet, për arsye që në këtë videoklip nuk ka pasur asgjë të jashtëzakonshme”, është shprehur Lyrical Son.
Edhe këngëtares Nora Istrefi i është censuruar videoklipi i këngës “Dy shokë”. Kënga nuk është mirëpritur nga redaktorët e muzikës brenda televizioneve kosovare, kështu që ata kanë vendosur që kjo këngë të lëshohet pas mesnatës. Nora po ashtu ka konsideruar se nuk ka asnjë gjë të ekzagjeruar në këtë video material.
Të njëjtin fat e ka pasur edhe kënga “Shkune Tune” e këngëtares Genta Ismaili, e cila nuk është transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Arsyeja për këtë thuhet të ketë qenë se kjo këngë ka shumë skena “të nxehta”. Por Genta nuk është e brengosur fare për këtë punë dhe ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë video-klip, dhe ka këmbëngulur se do të vazhdojë të bëjë video-klipe të ngjashme pa iu trembur syri.
Ndërkohë, Shota Baraliu kishte thënë se përmes video-klipit të saj të fundit “Call the Police”, klip i cili dorën në zemër ka mjaft skena të nxehta dashurie, ajo dëshironte të bënte edhe një film të metrazhit të shkurtër.
“Kam kërkuar nga regjisori të më bëjë një film të shkurtër. Pra, komplet ngjarja e këngës tregohet në video-klip. Unë s’do t’i quaja skena erotike ato. Definitivisht, aty brenda ka art dhe jo ndonjë skenë tjetër”, ka pohuar Shota në një intervistë për mediet kosovare.