www.Zemra.Org

“Koha për bashkim” ua zgjat dorën partive shqiptare

Me nismën “Koha për Bashkim”, Lëvizja qytetare “Zgjohu”, do të kyçet drejtpërsëdrejti në zgjedhjet e qershorit.

“Zgjohu” nuk do të kalojë në parti politike, por do të formojnë regjistër me listën e pavarur të quajtur “Koha për Bashkim”, e cila do të hap forum me partitë shqiptare dhe do t’ju ofrojë partneritet nëpërmjet përpjekjeve për të bashkuar sa më tepër parti politike shqiptare në zgjedhjet e qershorit. Nëse nuk ia arrijnë këtij qëllimi, në zgjedhjet e qershorit nuk do të kandidohen, pasi siç thonë organizatorët qëllimi është për të bashkuar votën shqiptare dhe jo për ta fragmentarizuar atë. “Gjykojmë që, në rrethanat e sotme, vota shqiptare nuk duhet të fragmentohet dhe të humb në fuqi dhe për këtë arsye kemi vendosur të bashkëpunojmë me partitë politike për ta institucionalizuar hisen tone. Por, po që se nuk arrijmë gjuhë të përbashkët me partitë politike, ne në asnjë mënyrë nuk do të kontribuojmë në përçarjen e votës, por do të bëhemi kritikuesi i tyre më i madh dhe nuk do t’i falim për asnjë gabim të vetëm”, tha kryetari i “Zgjohu”-t, Artan Grubi. Ata do të nisin bisedime me të gjitha partitë politike shqiptare, ku do tu ofrojnë mbështetjen dhe kapacitetet e tyre dhe do të kërkojnë që bashkërisht ta faktorizojmë votën shqiptare dhe me forca dhe fytyra të reja shqiptarët ta marrin hisen që u takon. Para shpalosjes së nismës ata kanë pas bisedime me plot parti shqiptare, ku dhe kanë gjetur mbështetje. Ata i bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të dalin masivisht në këto zgjedhje si asnjëherë më parë dhe ti mbështesin në këto përpjekje sepse, siç thotë Grubi nuk do ti zhgënjejnë dhe do të bëjnë çmos që secili të krenohet me përfaqësuesit e tyre politik të cilët me përgjegjësi do të punojnë që bashkërisht të dalim në dritë.

Të gatshme për bashkëpunim pas zgjedhor janë treguar të gjitha partitë politike, ndërsa për koalicionime parazgjedhore janë treguar të rezervuara.

Exit mobile version