FutbollSport

“Komitët” anojnë për Partizanin, kundër Shkëndijës!

Themeluesi i “Komitëve” të Vardarit me nofkën “Zhuti” ka folur për mediet serbe lidhur me takimin e 19/20 korrikut midis Shkëndijës dhe Partizanit që luhet në Shkup, në kuadër të javës së dytë eliminatore të LK.

Sipas tij “Komitët” janë në luftë me “Ballistët” e Shkëndijës, për shkak se këta të fundit provokojnë incidente kur ndeshen me Vardarin.

“Thjeshtë me shqiptarët nuk ka shumë diskutim! Kjo është situata e ngjashme sikur me atë kur populli serb provokohej me Kosovën. Ne nuk mund t’i tolerojmë që në vend të flamurit maqedonas të shpalosin simbole të shqiptarëve në tribuna”, ka deklaruar “Zhuti”.

Ai ka shtuar se “Komitët” në atë ndeshje do të jenë në anën e Partizanit të Beogradit, por kjo s’do të thotë se bardhezinjtë do të kenë përkrahjen më të madhe në tribuna.

“E gjithë Tetova, siç themi ne, pjesa aziatike e Shkupit do të jetë në stadiumin e qytetit. Ato 30 km nuk do t’ju paraqesin problem. Megjithatë, ‘Grobarët’ do ta kenë logjistikën tonë, nëse e dëshirojnë. Do të jemi me ta, kemi bashkëpunim të mirë. Para katër viteve në përvjetorin tonë të 20 ishte mysafir udhëheqësi i ‘Grobarëve’”.

Ai më pas ka sqaruar: “Të kuptohemi nuk është e gjithë Tetova me Shkëndijën. Ka edhe ‘Vojvodë’ me të cilët jemi vëllazëruar dhe së bashku me tifozët e Teteksit do ta mbështesim Partizanin. Incidentet janë të mundshme, por policia jonë është e gatshme për aksione dhe mece me rrezik të lartë. Të jem i qartë-nuk duam incidente, pro s’do të lejojmë që shqiptarët të provokojnë atë ditë”, ka përfunduar “Zhuti” për mediet serbe.

Kujtojmë se, Shkëndija dhe Partizani ndeshjen e tyre të parë do ta luajnë më 12/13 korrik në Beograd, kurse revanshi është shtatë ditë më vonë në Shkup, pasi stadiumi i Shkëndijës nuk i plotëson kushtet që i kërkon UEFA.

“Zhuti”: Vetëm grekët të mos vijnë në Shkup

Themeluesi i “Komitëve” ka thënë se tifozët e Partizanit, “Grobarët” janë të mirëseardhur në Shkup, por atyre u pengon një gjë tek tifozët beogradas. “Vetëm të mos vijnë edhe simpatizuesit e PAOK-ut grek, sepse të gjithë i dimë raportet mes Maqedonisë dhe Greqisë”, ka thënë “Zhuti”.

 

Shaqiri: Dëshirojmë përkrahjen e tifozëve në Beograd!

“Tifozët tanë kurrë s’kanë bërë probleme sikur thonë disa. I vetmi incident ka qenë në derbin e qytetit, por ajo ndodh gjithkund në botë dhe jo vetëm tek ne. Në anën tjetër, Komitët janë të njohur për eksese. Me siguri diçka do të provojnë të bëjnë kur do të luajmë në Shkup me Partizanin, nëse bashkohen me ‘grobarët’, ka thënë sekretari i Shkëndijës, Fikret Shaqiri. Në pyetjen nëse do të ishte më mirë të mos ketë tifoz mysafirë ai thotë: “S’e di, ndoshta do të ishte më së miri, por nuk do të jetë në interes të futbollit. Urojmë që e tërë kjo të kaloj në mënyrë të qetë, sepse jeta vazhdon më tej edhe pas këtyre ndeshjeve. Do të shohim, në bashkëpunim me policinë se sa kjo do të ishte e mundur, sigurisht do të më pëlqente që në Beograd të kemi mbështetjen e 2.000-3.000 tifozëve tanë”, ka thënë Shaqiri për mediet serbe.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button