Përmes një konference për shtyp të mbajtur në pres qendrën e Komunës së Gostivarit, Shiret Elezi, udhëheqëse e Sektorit për çështje financiare, kumtoi vendimin e miratuar nga drejtuesit e Komunës dhe këshillit komunal, për çregjistrimin e përhershëm të detyrimeve tatimore nga evidenca e Komunës së Gostivarit për shkak të vjetërsisë, edhe atë deri më datë 31 Dhjetor – 2005.
“Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe në lidhje me Ligjin për tatimet mbi pronën, Këshilli i Komunës së Gostivarit, në seancën e 17 të mbajtur më 12 shkurt 2015 solli vendim për çregjistrimin e përhershëm të detyrimeve tatimore nga evidenca e Komunës së Gostivarit, për shkak të vjetërsisë deri më 31.12.2005. Edhe atë:, kryhet çregjistrim i përhershëm i detyrimeve në bazë të tatimeve dhe taksave personave fizik dhe juridik në vlerën totale prej 63.211.782 denarë, sipas llojit të tatimeve si në vijim: 1). Tatim në pronë në total prej 29.552.572 denarë, 2). Tatim në qarkullim dhe trashëgimi dhe dhurata në total prej 4.730.527 denarë, si dhe: 3). Për firmarina 28.928.683 denarë”, deklaroi para mediumeve Shiret Elezi, udhëheqëse e Sektorit për çështje financiare në Komunën e Gostivarit. Duke arsyetuar vendimin në bazë ligjore, Elezi tha se: “për arsye të kërkesave të pa arkëtuara dhe të trashëguara nga tatimet dhe taksave të ndryshme nga baza e të dhënave që është bartur nga Drejtoria për të hyrat publike me korrikun e vitit 2005 Komunës së Gostivarit, të dhënat ishin të pa azhurnuara dhe që janë nga viti 1994 dhe ende janë në evidencën e komunës, dhe i ngarkojnë qytetarët, burimi i ngarkesës tatimore i te cilave nuk dihet, por ngarkojnë qytetarët, u vendos nga udhëheqësia aktuale e komunës së Gostivarit nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës, z. Nevzat Bejta, solli propozim që të kryhet shlyerja e të njëjtave”.
“Me këtë gjest dhe Komuna ju del në ndihmesë të gjithë qytetarëve që nuk i kanë të mbuluar detyrimet për tatime për këtë periudhë, dhe të ju del në ndihmesë në gjendjen ekonomike në të cilën janë. Ftohen qytetaret që të marrin vërtetim për borxhin qe u shlyhet në zyrën e tatimeve) Por, dhe që ti inkurajoj të gjithë qytetarët në Komunën e Gostivarit personave fizik dhe juridik që kanë detyrime të papaguara pas kësaj periudhe (2005) ti shlyejnë këto detyrime meqë janë respektuar procedurat tatimore. Njoftohen poashtu të gjithë ato qytetar që kanë pronën e patundshme të paparaqitur ose kanë ndryshime në pronën e të njëjtës janë të detyruar ndryshimet ti paraqesin në afatin sa më të shkurtër dhe atë në përputhje me Ligjin për tatimet”, tha Elezi, e cila po ashtu nënvizoi se paraqitja e pronës së patundshme ose ndryshimet e pronësisë e së njëjtës kryhet në qendrën informative dhe departamentit për tatime në Komunë me të dhënat e nevojshëm.
“Te fletëparaqitja janë të nevojshëm në shtojcë të dorëzohen këto dokumente: kopje të fletëpronësisë nga katastra, ose kontratë shitblerjeje ose aktvendim për trashëgimi, kontratë për dhuratë (akt juridik në bazë të cilës merret e drejta e pronësisë ose ndryshimi i pronës ) dhe kopje të letër njoftimit v.s në shiqim”, tha Elezi. Komuna e Gostivarit është ligjërisht e obliguar të vërtetoj taksat dhe tatimet lokale dhe të kryej arkëtimin e të njëjtave konformë Ligjit për tatime dhe taksa komunale. Tatimet dhe taksat komunale janë të hyra burimore të Komunës së Gostivarit dhe nga këto financohen të gjitha aktivitetet nën kompetencën e saj duke filluar nga arsimi gjer në ndërtime të projekteve të ndryshme infrastrukturore nëpër qytet dhe fshatrave përreth. “Administrata tatimore e komunës së Gostivarit është në fazën e përfundimit të dorëzimit të vërejtjeve tatimore për vitin 2014, nga evidenca e detyruesve tatimore, dhe për të gjithë ato qytetarë që aspak nuk e kanë paraqitur pronën do të nënshtrohen masave që i parasheh ligji për tatime. Poashtu, jemi në fazën përgatitore të përgatitjes së aktvendimeve të reja tatimore për vitin 2015 që do të shpërndahen në periudhën në vijim”, shtoi Elezi.
Ajo ftoi qytetarët që të jenë të rregullt në shlyerjen e obligimeve ndaj komunës, dhe në këtë formë, të japin kontributin e tyre për realizimin e projekteve që shkojnë në llogari dhe në të mirë të tyre.
“Ju bëjmë me dije qytetarëve se udhëheqësia e komunës së Gostivarit ju del në shërbim qytetarëve të vetë, duke shlyer e borxhet për tatime gjer më 2005, por dhe ti inkurajoj dhe nxis që tani ti përmbushin detyrimet e mbetura që i kanë ndaj komunës me qëllim që bashkërisht të kontribuojmë në realizimin e qëllimit dhe planit që e ka Komuna e Gostivarit. Të ndërtojmë Komunën e Gostivarit për të gjithë ne, për një Qytet më të bukur dhe më bashkëkohor”, përfundoi Elezi.