LajmeMaqedonia

Komuna e Gostivarit një ndër komunat lider në nivel të Ballkanit Perëndimor

Komuna e Gostivarit e zgjedhur si një nga komunat më reformatore në Ballkanin Perëndimor kishte nderin të ketë mysafir një delegacion të gjerë prej 60 profesionistëve  të Bankës Botërore si përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në sallën e  Këshillit komunal, kryetari Osmani në cilësinë e udhëheqësit të komunës dhe të profesorit universitar, prezantoi në gjuhen angleze të arriturat e komunës për periudhën kohore 2009-2012.

Ne një prezantim të argumentuar shkencor, kryetari Osmani prezantoi strategjinë e menaxhimit të borxhit komunal, të hyrave dhe shpenzimeve dhe reformat e zbatuara të cilat nëpërmjet politikave të shëndosha fiskale dhe menaxheriale mundësuan që komuna të menaxhojë në tërësi borxhin enorm dhe në vitin 2012 të transformohet në komunën me investime kapitale më të mëdha në nivel  të vendit nga buxheti vetjak.

Kryetari Osmani prezantoi se më datë 13.04.2009, kur ai mori mandatin e kryetarit, komuna kishte  vetëm 5 mijë euro në xhiro-llogari dhe kishte një borxh të trashëguar në ngarkesë të buxhetit prej 3.5 milion euro dhe një borxh total prej 11.100.000 euro.

Falë politikave konsistente të menaxhmentit fiskal, borxhi në ngarkesë të buxhetit komunal u pagua në tërësi, ndërsa përfundimisht me vitin 2012 ka ngelur i papaguar vetëm borxhi i NP ”Komunalec” në vlerë prej 3,5 milion euro, borxh ky për të cilin zhvillohen negociata që të përmbyllet në periudhën e ardhshme. Mbresa të veçanta te specialistët e Bankës Botërore, zgjoi informacioni për realizimin e buxhetit të planifikuar për çdo vit për mbi 96%, me çka u  argumentua se Komuna ka zbatuar politika të mirëfillta të planifikimit, realizmit dhe kontrollit dhe nuk ka zbatuar politika spekulative siç ka bërë udhëheqësia paraprake komunale.

“Komuna e Gostivarit në periudhën 2012- 2009 ka rritur të hyrat buxhetore nga tatimet bazë për 136% përkundër zvogëlimit të tatimit në qarkullim për 50%, duke zbatuar metodologjinë e vlerësimit të vlerës së tregut të pasurisë së patundshme dhe duke rritur disiplinën fiskale në lidhje me taksën komunale dhe tatimin në pronë. Menaxhimi shumë i suksesshëm i procesit të legalizimit të objekteve jolegale në të cilin proces janë të kyçur 30 administratorë komunal i ka mundësuar komunës që të arkëtojë 1,5 milion euro për një vit dhe është një potencial serioz për arkëtime të rritura në perspektivë duke pasur parasysh se bëhet fjalë për 8.800 objekte të cilat duhet të legalizohen”, sqaroi në prezantimin  e tij kryetari Osmani
Ai tha se këto politika të drejta fiskale kanë mundësuar që buxheti bazë i komunës të rritet nga 3 milion euro në vitin 2008, në 7 milion euro në vitin 2012, gjegjësisht të shënojë rritje reale për 4 milion euro.

“Politikat diskriminuese të qeveris së Maqedonisë ndaj komunës së Gostivarit u manifestuan me faktin që në vend se të rritsë normën e TVSH nga 3% në vitin 2009 në 4,5%  kjo qeveri në vitin 2012 duke mos zbatuar ligjin, ka dëmtuar komunën për afërsisht 500 mijë euro”, nënvizoi kryetari Osmani.Analizat e profesor Osmanit argumentuan se në veçanti komuna e Gostivarit është e dëmtuar nga mosrespektimi i ligjit për zhvillimin rajonal, sipas te cilit ligj 1% e PBB duhet tu alokohet komunave dhe në ketë bazë komuna e Gostivarit në periudhën 2012-2009 për çdo vit është dëmtuar nga së paku 1,5 milion euro. Menaxhimi i shpenzimeve publike dhe zbatimi i portfolio teorisë, kanë qenë risi menaxheriale me të cilat komuna e Gostivarit ka arritur rezultate të jashtëzakonshme duke ulur vlerën e punëve ndërtimore për 20-30% dhe duke kursyer në të gjitha pozicionet e shpenzimeve që ka mundësuar që këto kursime prej milona eurosh të transformohen në investime kapitale.

“Menaxhimi i suksesshëm i ndriçimit publik, transportit publik të nxënësve dhe furnizimit me karburante për ngrohje në sektorin e arsimit, ka krijuar kursime vjetore nga 500 mijë  për çdo vit, para këto që komuna i ka transformuar në investime kapitale për ndriçim të ri publik , shkolla të reja dhe në investime të reja infrastrukturore në tërë komunën  e Gostivarit. Këto politika reformatore fiskale kanë mundësuar që komuna e Gostivarit të ketë strukturën e buxhetit më reformator në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrje prej 70% të investimeve kapitale, përkundër 30% të shpenzimeve operuese”, potencoi prof. Osmani në prezantimin e tij.

Menaxhimi i suksesshëm i buxhetit komunal, transparenca maksimale dhe korrupsioni zero dhe pagesa totale e borxheve ka mundësuar që komuna e Gostivarit të merr rejtingun kreditor nga Agjencia Moody’s me çka fitohet e drejta e emetimit të obligacioneve komunale në vlere prej 2 deri 3 milion euro për financim të projekteve kapitale. Këto politika konsistente mundësuan që komuna të merr kredi afatgjate prej Bankës Botërore në vlerë prej 1 milion euro, kredi nga KHË Bank prej 980 mijë euro dhe aktualisht është në negociata me të për kredi të re afatgjate për 30 vitë në vlerë prej 5 milion euro për rikonstruktim të  plotë të rrjetit të ujësjellësit në qytetin e Gostivarit. Menaxhimi i suksesshëm me komunën e Gostivarit i mundësoi profesor Osmanit që të jetë i ftuar special dhe të prezantojë komunën me shumë sukses në forume ndërkombëtare në Kuvajt, Crans Montana, Bruksel, Opati dhe së fundi si kryetar reformator të nominohet për shpërblimin ndërkombëtar nga Europe Business Assembly në Dablin të Irlandës, që do të mbahet më 12 korrik të vitit 2012.

Në përfundim të prezantimit tepër të argumentuar para 60 profeisonistëve të Bankës Botërore nga Ballkani perëndimor, kryetari Osmani potencoi sfidat e radhës së Komunës së Gostivarit që identifikohen me menaxhimin e suksesshëm  të tokës ndërtimore, liberalizimin në rritje të ndërtimeve me ndryshimin e 25 Planeve të detajuara urbanistike, reformimin e mëtjemë të NP “Komunalec”, dhënien me koncesion të deponisë rajonale, shfrytëzimin më të suksesshëm të IPA fondeve, ngritjen e disiplinës fiskale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve në dobi të qytetarëve.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button