Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave grabitësit kanë arritur të marrin 30 mijë euro dhe 10 milionë lekë, nën kërcënimin e armëve.
Megjithatë, me t’u informuar, policia është vënë në lëvizje dhe shumë shpejt ka identifikuar e arrestuar njërin prej grabitësve. Tjetri është shpallur në kërkim, raporton TCh.
Burimet shtojnë se autorët hynë të armatosur dhe të maskuar në banesë dhe pasi morën paratë, goditën të zonjën e shtëpisë.
Që nga fillimi i vitit, në vend janë regjistruar një seri grabitjesh të dhunshme. Megjithatë, risi ishte ardhja e një bande italiane për të grabitur dyqane në Shqipëri.
Gjatë një operacioni të koduar “Furtuna“, të kryer 6 ditë më parë, policia e Fierit arrestoi dy shtetas italianë të dyshuar për dy grabitje të dhunshme.
Policia e Fierit njoftoi se në pranga ranë Giuseppe Margiotta, 33 vjeç dhe Franco Galluci, 31 vjeç, të dy lindur dhe banues në qytetin e Leçes.
Nga hetimet e policisë rezultoi se dy italianët kishin vjedhur të armatosur dhe në bashkëpunim dy argjendari, një në Ballsh dhe tjetrën në Fier, si dhe dy tregtarë në Lushnje.