Drejtoresha e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Vlora Obërtinca, ka thënë se tanimë Kosova po hyn në një fazë kur të gjitha automjetet që hyjnë në vendin tonë të lirohen nga pagesat aktuale që aplikohen për sigurimin e përkohshëm të veturave.
Të vetmen të drejtë për aplikim në emër të Kosovës e ka Byroja e Sigurimeve. “Jemi në kontakte të vazhdueshme. Duhet të kemi mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Byrosë Qendrore për hyrje sa më të shpejtë të Kosovës në kartonin e gjelbër”, ka thënë Obërtinca.
Ajo nuk ka dhënë detaje se sa mund të zgjasë deri në pranimin e Kosovës si pjesë e shfrytëzimit të këtij kartoni nga momenti i aplikimit. “Vendet kanë rrethana të ndryshme të anëtarësimit në karton. Problemi qëndron se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Është rregull që të gjitha shtetet që janë anëtare të OKB-së të anëtarësohen direkt në kartonin e gjelbër. Tanimë është hapur rruga që në një të ardhme të afërt të bëhet një anëtarësim primar për Kosovën, deri në anëtarësimin e plotë”, ka thënë Obërtinca. Sipas saj, anëtarësimi i plotë fitohet me anëtarësim e Kosovës në OKB, shkruan Koha Ditore.
Në mungesë të kartonit të gjelbër dhe infrastrukturës ligjore, tregu i sigurimeve funksionon me rregullore dhe disa marrëveshje që nga Komisioni për Konkurrencë janë cilësuar si monopoliste.