Kristinë Elezaj ndjehet krenare që eshte shqiptare
E egër, zbavitëse, sanguine, e guximshme… Këto janë disa nga përcaktimet që do t`i shkonin për shtat Kristinë Elezajt.
Këngëtarja e njohur në Amerikë për hitet “Souvenirs” apo “Let you know” është me origjinë shqiptare, fakt të cilin jo vetëm s`e fsheh, por e pohon me krenari.
E cilësuar si një femër me stil, Elezaj ka realizuar foto për revista të famshme në Amerikë. Ajo është cilësuar nga revista “Billboard” si një miks midis Britney Spears dhe Rihanna-s. Le ta njohim më tepër amerikano shqiptaren nëpërmjet kësaj interviste.
Gjithçka nisi (aspak)rastësisht…
Ndonëse Kristinë ëndërronte të bëhej këngëtare, prindërit e kishin ndaluar të merrej me muzikë deri ditën që të përfundonte shkollën e mesme. Kur kjo ditë erdhi, babai i saj, iu drejtua për ndihmë dhe këshilla mikut të tij, këngëtarit legjendar amerikan, Nick Ashford. Për herë të parë Elezaj këndon në klubin e Ashford, së bashku me të dhe bashkëshorten, Valerinë. Interpreton “Respect” nga Aretha Franklin dhe publiku entuziazmohet aq shumë, saqë këndon së bashku me të. Kjo “herë e parë” e kaluar me sukses, i jep zemër Kristinës dhe më shumë arsye për të besuar se kishte lindur për të kënduar.
Vijnë kështu disa hite njëri pas tjetrit… “Let you knovv”, “Souvenirs” apo “Vvarpath”, klipe që do të bënin të njihej nga publiku i gjerë. Tapete të kuq, pjesëmarrje në evenimente të ndryshme muzikore, deri dhe intervista në ngjarjen më të rëndësishme të muzikës botërore, ceremoninë e çmimeve “Grammy”. E pas publikimit të “single”-ave, në fillim të 2010-ës radha i vjen albumit, në të cilin përfshihen dhe këngë të shkruara në bashkëpunim me emra të mëdhenj të muzikës amerikane, si Fergie.
Përpos shumë talenteve, Kristinë ka dhe një pasion të madh për garat “rally”… Pas timonit ajo ndihet po aq komode sa pas mikrofonit. 24 vjeçarja ka një rreth të gjerë fansash midis adhuruesve të garave “rally”, të cilët e njohin tashmë për shfaqjet e saj kombëtare në gara të ndryshme në mbarë botën. Në Qershor të vitit 2009 Kristinë mori pjesë në “Celebrity Rally Bullrun”, një garë ku marrin pjesë yjet dhe emrat më të famshëm të shoubiznesit botëror. Një garë ku merrnin pjesë emra si Mario Andretti, Carl Levvis, Paris Hilton, Hayden Christensen e të tjerë… Tifozët e thërrasin me përkëdheli “Kebe”, teksa fansat ende nuk i kanë ngjitur një pseudonim.
Intervista
Jetoni prej kohësh në Usa?
Unë jam brezi i parë që ka lindur në Amerikë, për sa i takon pjesës shqiptare të familjes. Kam lindur në Nju Jork, për të qenë më e saktë.
Çfarë di ti për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Di diçka rreth Shqipërisë prej familjes sime dhe pak nga historia në përgjithësi. Është pjesë e imja. Babai im ka lindur aty dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshent. Ai është 100% shqiptar, kurse mamaja ime është italiane, irlandeze, gjermane dhe skandinave. Ne flasim për Shqipërinë në shtëpi, sepse kemi akoma të afërm që jetojnë aty.
Je e lidhur me të afërmit shqiptarë?
Sigurisht! Jam rritur me gjyshin…Ai është një nga njerëzit më interesantë me të cilët mund të bisedosh. I adhuroj historitë e tij!
Flet ndonjë fjalë në shqip?
Faktikisht, unë flas më shumë shqip tani, se ç`kam folur kur isha e vogël, gjë që është vërtet e çuditshme, sepse ne kemi jetuar te gjyshërit kur isha e vogël. Shqipja ime s`është aq perfekte sa do të doja unë të ishte, por përpiqem. I kërkoj vazhdimisht tim ati të më flasë në shqip, pasi dua t`ua përcjell gjuhën edhe pasardhësve të mi një ditë. Mendoj se është e rëndësishme të dish një gjuhë tjetër, sidomos kur kjo gjuhë është pjesë e asaj çka ti je.
Njeh ndonjë artist shqiptar? E kam fjalën për ata më të njohurit në botë…
Dëgjoj shumë muzikë shqiptare, që nga ajo tradicionalja deri te muzika moderne. Gjyste Vulaj është një mikeshë e ngushtë e familjes, për shembull. Ermal Fejzullahu apo Genta Ismaili janë disa nga artistët e tjerë që unë dëgjoj.
Ke menduar ndonjëherë të vish dhe të vizitosh Shqipërinë? Ke marrë ndonjë ftesë prej këtej?
Mendoj për këtë gjë gjatë gjithë kohës. Gjyshërit e mi kanë akoma prona në vendlindje dhe për momentin kohën e tyre po e shpenzojnë duke jetuar herë aty, herë në Amerikë. Vijnë në Shqipëri menjëherë kur fillojnë pushimet dhe qëndrojnë deri në fund të verës. Kam marrë ftesa për të ardhur aty, e kam me qejf. Thjesht, nuk kam gjetur kohën. Por jam e sigurt se do të jem aty shumë shpejt. Shpresoj që shqiptarët të më ftojnë për të kënduar për ta.
Me Noizy-in jeni duke punuar për një duet?
Po, unë dhe Noizy kemi mbajtur disa koncerte bashkë me artistë të tjerë shqiptarë në Miçigan dhe Nju Jork me rastin e Krishtlindjeve. Përpara se të vinte në Amerikë, ne folëm për një bashkëpunim të mundshëm. Kur erdhi këtu u mbyllëm në studio, ku shkruajta dhe regjistrova një demo për këngën e re të tij. Ishte tepër zbavitëse të punoja në këtë projekt dhe jam e lumtur që jam pjesë e tij. Mendoj se njerëzit do ta pëlqejnë atë që kemi bërë.
Flasim pak për karrierën tënde në Amerikë… A je e kënaqur për atë se si të kanë shkuar gjërat deri më tani?
Jam e dashuruar me karrierën time të deritanishme. Jam duke u ngjitur me shpejtësi, gjërat po ndodhin siç duhet. Po e shijoj çdo moment të suksesit!
Nga ka lindur pasioni për makinat sportive?
Ka kohë që merrem me këtë sport dhe kam vënë re se shumë pak vajza e ushtrojnë. Dashuria për makinat është një pasion familjar. Jam rritur duke i dashur makinat, bashkë me babin dhe vëllezërit. Vazhdojmë ta ushtrojmë bashkë këtë sport.
Ti po përdor muzikën për të shtuar famën si pilote, apo e anasjellta?
S`i kam cilësuar kurrë garat si një profesion dhe nuk kam ndërmend ta bëj. Muzika është karriera ime e parë dhe kryesore. Garat janë thjesht një pasioni im, të cilin e ushtroj thjesht për t`u zbavitur kur kam kohë, pa pretenduar ndonjë arritje. Për momentin është një hobi që bie në sy, ngaqë jam femër ma merr mendja. Por vetëm kaq!
Në çfarë moshe ke filluar të ngasësh makina gare?
Fillova të merrem me gara që në momentin kur mbusha moshën e duhur për të qëndruar ligjërisht pas një timoni (qesh). Por gara e parë që unë kam bërë, ka qenë kur sapo mbusha moshën 21 vjeçare. Makina ime e parë ka qenë një “W Jetta”. E mora sepse i dashuroj makinat turbo. Bashkë me vëllanë i perfeksionuam duke i shtuar disa pjesë këmbimi të mira. Ende flasim për atë makinë dhe qeshim me të madhe kur kujtojmë se ç`i kemi punuar, sepse atë kohë ishim pilotë fillestarë.
Ku ndihesh më rehat, pas timonit apo pas mikrofonit?
Këto dy pasione më japin emocione të ndryshme, por e pranoj se zemrën e kam te muzika. Aty ndihem më rehat. Kur je artist, shpirti yt është ai që të përfaqëson.
Dimë se si ke filluar karrierën muzikore… Ndodhi kur një artist legjendar në Amerikë, Nik Eshford, të ftoi për të kënduar së bashku me të dhe të shoqen, Valerinë, në klubin e tyre. Nga njiheshit bashkë?
Babai i ka miq Nikun dhe Valerinë. Prindërit s`do më linin t`i futesha biznesit të muzikës, derisa të diplomohesha dhe kur erdhi dita, im atë iu drejtua Nikut për ndihmë. E pyeti se cilat do të ishin hapat e mia të para që duhet të hidhja dhe nëse kisha vërtet talent. Kur zoti Eshford më ftoi të këndoj në klubin e tij, zgjodha të paraqitesha me “Respektin” e Aretha Franklinit; publiku e këndoi këngën bashkë me mua. Ishte një përvojë e mrekullueshme, sidomos duke pasur parasysh se isha shumë e re në moshë. Prej asaj nate, Niku më udhëhoqi dhe më dha këshilla rreth industrisë së muzikës. Ai dhe Valeri janë njerëz fantastikë!
Revista “Billboard” është shprehur se muzika jote qëndron midis asaj të Britney Spears-it dhe Rihanna-s. Ç`kuptim ka ky cilësim për ty?
Ndihem e mikluar, pasi kjo do të thotë se industria më sheh mua si një artiste të rëndësishme. Janë dy nga emrat më të suksesshme në muzikë e të krahasohesh me to, është një bekim. Mesa duket, po bëj diçka që ia vlen
Cili është projekti me të cilin po punon aktualisht?
Këto dy këngë janë lançuar teksa po punoja për albumin e parë, “No Questions Remain”. Po punoj me disa gjëra aktualisht, por s`mund të flas për to pa hyrë në studion e regjistrimit. Shumë shpejt do ta merrni vesh. Ndërkohë po punoj me promovimin, duke dhënë shfaqje. Shkruaj dhe materiale të reja sa herë që gjej pak kohë. E ndiej se do të jetë një 2011 fantastike!
Fansat të kanë ngjitur një pseudonim, Kebe… Pse?
Janë inicialet e emrit tim të plotë. Kristine Elizabeth Bernadette Elezaj. Është e lezetshme që fansat më thërrasin kështu, më ngjit si pseudonim. E adhuroj!
A ke menduar ndonjëherë të bësh duet me një këngëtar amerikan të famshëm? Cili do të ishte tipi i duhur për një bashkëpunim?
Ka shumë artistë me të cilët do të më pëlqente të bashkëpunoja. Është pjesë e ëndrrës, gjatë kohës që ti vizaton karrierën në kokën tënde
Por numri një për mua mbetet Janet Jackson. Do të më pëlqente të bëja një këngë me të e madje ta kërceja, sepse unë jam dhe kërcimtare në të njëjtën kohë.
Kush është Kristina… Si do ta kishe përshkruar veten?
Mbi të gjitha, jam një ëndërrimtare. Jam gjithashtu njeri që s`di të dashuroj pak. Jap 100 % të vetes kur vjen puna te çështjet e zemrës e bëj gjithçka për gjërat apo njerëzit që janë të rëndësishëm për mua. S`ka hile dhe shtirje në këtë mes. Jam gjithashtu pak e çuditshme (qesh).
Je e bukur, e suksesshme dhe seksi… Nuk mund kurrsesi të jesh beqare. Kush është fatlumi?
Me sinqeritet, jam përqendruar te vetja dhe karriera në këtë moment. Kjo nuk do të thotë se s`jam e hapur për të pasur në jetën time një njeri special, por s`po e kërkoj me ngulm. Pastaj, kur flitet për jetën time private jam paksa e rezervuar, ngaqë jam natyrë e rezervuar. Për momentin, jam një vajzë beqare, e fokusuar te karriera!
Ndihesh krenare që je shqiptare?
Jam pafundësisht e lumtur që jam shqiptare, aq më tepër që gëzoj mbështetjen e popullit tim! Është një ndjesi e mrekullueshme kur sheh se sa krenarë ndihen që unë jam një prej tyre. Ju dua shumë!