Ideja për të themeluar Akademi shqiptare në Maqedoni gati është harruar. Partitë politike të ndara rreth kësaj ideje, ndërsa analistët janë të mendimit se më mirë do të ishte të përforcohej Instituti për trashëgimi kulturore, sesa të themelohej edhe një akademi shqiptare.
Publicisti Njazi Muhameti thotë për “Lajm” se nuk ka nevojë për të themeluar akademi shqiptare në Maqedoni, pasi nuk ka as kushte dhe as kapacitete. “Nuk ka nevojë për një akademi të tretë, pasi shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kapacitetet e nevojshme. Flasim për Akademi në kuptimin e vërtetë të fjalës jo si akademia maqedonase. Për mendimin tim do të ishte më mirë që të forcohej Instituti për trashëgimi kulturore, ndërsa akademikët shqiptarë të Maqedonisë të kyçeshin në Akademinë e Shqipërisë, ose Kosovës. Në botë ka institute që e kryejnë punën më mirë se akademitë”, tha Muhameti. Sipas tij, nëse dy akademitë shqiptare e kryenin siç duhet misionin e tyre, atëherë do të ishte e tepërt themelimi i një akademie shqiptare në Maqedoni.
Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se për momentin është joracionale dhe jo efikase krijimi i një akademie të tretë shqiptare. “Shqiptarët kanë dy akademi shqiptare dhe akademikë në ASHAM. Vlerësojmë se për momentin është joracionale dhe jo efikase të krijohet akademi e tretë shqiptare. Duhet të fokusohemi në zhvillimin e institucioneve ekzistuese shqiptare e më pas varësisht prej nevojës të bëhen vlerësime të reja”, tha për “Lajm” zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.
Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare, PDSH, parti kjo që në vitin 2009 hodhi idenë për themelimin e Akademisë shqiptare në Maqedoni vlerëson se institucionet themelohen në kohën kur partia është pjesë e pushtetit. “PDSH gjithmonë ka themeluar institucione për të krijuar kapacitete për forcimin e mendimit intelektual. Këtu mos të harrojmë Institutin për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore ‘Pjetër Bogdani’ në Shkup, Qendra Konservuese në Gostivar, Teatri I Tetovës. PDSH ka dëshmuar se kur është në pushtet investon në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave. Themelimi i institucioneve të këtilla bëhet në kohën kur partia është pjesë e pushtetit”, tha për “Lajm” zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.
Pas publikimit të Enciklopedisë maqedonase në vitin 2009, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, hodhi idenë për themelimin e Akademisë shqiptare në Maqedoni, ide kjo që në atë kohë gjeti mbështetje në mesin e organizatave jo qeveritare dhe intelektualëve shqiptar.
Më 30 nëntor zgjedhje në AMSHA
Të mërkurën Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (AMSHA) do të bëj zgjedhjen e kryetarit të ri. Asnjëri prej akademikëve shqiptar nuk është propozuar për kryetar të Akademisë, edhe pse edhe ata vetë nuk janë të interesuar për të udhëhequr me këtë institucion. Akademik Luan Starova dhe Akademik Alajdin Abazi thanë për “Lajm” se as nuk janë propozuar për kryetarë dhe as që kanë dëshirë që të jenë në atë post.