www.Zemra.Org

Kush ishte Tahir Sinani, njeriu që mori pjesë në tri luftëra

Tahir Sinani ishte komandant i Zonës së Pashtrikut, pastaj njëri nga udhëheqësit e luftës në UÇPMB dhe UÇK-së në Maqedoni.

Luftëtari Sinani është kujtuar nga kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ku thotë se në histori janë të rrallë luftëtarët sypatrembur siç ishte Tahir Sinani nga Topoja, duke theksuar se ai la gjithçka për të ndihmuar luftën çlirimtare të vëllezërve të tij në Kosovë.

Më poshtë mund ta lexoni historinë e Tahir Sinanit.

Tahir Sinani, oficeri i njohur i Ushtrisë së Shqipërisë, më vonë komandant në tri luftërat tona çlirimtare, u lind  më 25 maj të vitit 1964 në Gri të Tropojës.  Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet, drejtimi i agronomisë, në qytetin, Bajram Curr.

Me të mbaruar të shkollimit të mesëm  u konsultua edhe me të atin, u regjistrua në shkollën ushtarake, në Zall- Herr, një qendër stërvitore në veri të Tiranës, në drejtimin e Mbrojtjes nga Armët Kimike dhe Biologjike. Ishte kadeti ndër më të suksesshmit  të gjeneratës së tij. Pas mbarimit të vitit të parë, në shkresën e tij përcjellëse për në vitin tjetër, i shkruante: “Studion dhe thellohet në mënyrë të veçantë në ligjet e Artit tonë Ushtarak popullor. Ka marrëdhënie shumë të mira me eprorët dhe shokët e vet. Përpiqet në çdo rast të ndihmojë ndonjë student të dobët”. Shumë shpejt arriti të bëhej mjeshtër i përsosur i përdorimit të të gjitha llojeve të armëve.

Në vitin 1986, me sukses të lartë, mbaron studimet ushtarake dhe menjëherë emërohet instruktor i stërvitjeve në Divizionin Ushtarak të qytetit, në Bajram Curr. Kolegët e tij  tregojnë se  ai ishte i rreptë, i ashpër dhe i përpiktë, si ushtarak, por i dashur, i sinqertë dhe i afërt me ushtarët, në kohën e lirë me ta. Duke u bazuar në talentin dhe aftësitë e tij e emërojnë Shef të Sektorit për Intervenime të Shpejta. Me rastin e ristrukturimit të Armatës së Shqipërisë, edhe Tahir Sinani ashtu si mijëra oficerë mbeten në mëshirë të kohës.

Me fillimin e luftës së UÇK-së në Kosovë, Tahir Sinani, pasi kishte takuar disa eprorë të kësaj lufte dhe kishte pranuar të luftonte në radhët e saj, emërohet oficer në Kampin e Stërvitjeve, në Tropojë, ku stërviteshin vullnetarët që vinin nga shtetet e perëndimit si dhe ata që nga Kosova shkonin në Shqipëri për t u pajisur me armë dhe municion.

Në vjeshtë të vitit 1998, kur bashkë me trimat e lirisë dhe disa eprorë   hyn në frontet e luftës në Kosovë. Me vendim të SHP të UÇK-së,  i besohet detyra e instruktorit të Stërvitjeve dhe ajo e komandimit të Njësisë Speciale “Arbëri”. Qendra Stërvitore në Divjakë të Rrafshnaltës  së Drenicës  shpejt u shndërrua në një bazë të fuqishme të stërvitjes ushtarake. Aty, tashmë, vepronin edhe oficerët e tjerë të UÇK-së: Fatmir Limaj,  Bislim Zyrapi, Sali Veseli, Naim Maloku, Fadil Gashi e të tjerë. Në atë kohë, Tahiri kishte përgatitur Njësitin diversant- vëzhgues, i cili numëronte rreth 100 luftëtarë të sprovuar, në mesin e tyre, gjatë kohës së luftës, në pika të ndryshme të fronteve kishin rënë edhe shumë dëshmorë si: Kujtim Krasniqi, Ejup Kryeziu, Milaim Beha, Xhavit Kelmendi, Ibrahim Mazreku e të tjerë.

Më 8 janar të vitit 1999 Tahir Sinani kishte organizuar  një tjetër sulm  në pikë qëndrimin e forcave okupatore serbe në Biraqë të Therandës, ku pësuan tre policë serbë: Dragan Tomashoviqi nga Prokupla, Goran Boshkoviqi nga Brusi dhe Milosh Stevanoviqi nga Bratovci. Atë ditë u shkatërrua edhe një pizgauer dhe një “NIVA” përplot paramilitarë.  Ka qenë i suksesshëm edhe në minimin e terrenit në Zborc të Shtimes, ku në minimin e terrenit nga Tahir Sinani dhe një grup luftëtarësh të UÇK-së, policët e ushtarët serbë  kanë pësuar humbje të rënda. Provat e vështira si instruktor i stërvitjes së trupave dhe i kuadrove, si komandant i njësitit special, si komandant i Brigadës, ishin të mjaftueshme për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta emëruar Tahir Sinanin, Komandant të Zonës Operative të Pashtrikut.

Që nga maji i vitit 1999 Tahir Sinani ishte komandant i gjashtë brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut dhe e ndihmoi shumë operacionin “Shigjeta”, duke i hapur korridore të lira për furnizim me armatim. Tahiri si komandant i Zonës së Pashtrikut dhe unë si komandant i Batalionit II gardist, në bashkëpunim me Brigadën 124 ”Gani Paçarizi” organizuam aksione dhe punuam në minimin e rrugëve Rogovë- Kushnin dhe Rogovë- Lubizhdë e Hasit, në mënyrë që të pengonim lëvizjen e formacioneve të armikut. Por, armiku ishte numërikisht më i madhe dhe më i armatosur, kështu që disa herë ndërmori ofensiva të egra. Veçohet beteja e Celinës, e zhvilluar më 26 e 27 maj 1999, ku u luftua fyt më fyt. Aty, vetë Tahiri, edhe pse si komandant i Zonës nuk duhej të rrezikohej aq shumë, me vullnetin dhe dëshirën e tij për të hapur rrugë, bëri heroizëm të pashoq.

Me bashkëluftëtarët e tij besnikë, më 12 qershor 1999, komandant Tahir Sinani hyn fitimtar në Prizren. Në nëntor të vitit 1999 ishte emëruar komandant i TMK-së, në Qendrën e Stërvitjes dhe të Doktrinës në Nashec, kishte vënë lidhje me krerët kryesorë të UÇPMB-së si me Shefqet Musliun, Ridvan Qazimin, Jonuz Musliun e luftëtarë të tjerë. Pasi afroi rreth vetes disa bashkëluftëtarë besnikë iu përvesh betejave në Dobrasin, Konçul e në Bujanoc.

Ai nuk ishte pajtuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit të 13 shkurtit të vitit 2001 për çmobilizimin e UÇPMB-së. Me fillimin e luftës në Maqedoni nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare, ai ishte pjesë vertebrale e asaj lufte me shumë bashkëluftëtarë të sprovuar në luftëtar e mëparshme. Asokohe nga SHP i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare emërohet komandanti i Brigadës 116 “Xhemë Gostivari”. Kur qeveria sllavo maqedonase, e shtyrë nga diplomacia amerikane, karshi botës, bëri një lloj amnistie për luftëtarët e UÇK-së, luftëtarët e sprovuar në luftërat çlirimtare nuk ranë pre e propagandës së Shkupit.

Tahir Sinani kishte filluar ta përgatiste terrenin për krijimin e Zonës Operative të Gostivarit dhe kishte inkuadruar në komandë disa nga bashkëluftëtarët, që nuk iu kishin ndarë asnjëherë dhe kishin marrë pjesë në tri luftërat tona çlirimtare. Në mesin e tyre kishte edhe luftëtarin emblematik, Naser Ademi i cili luftën kundër pushtimit serb e kishte filluar në frontet e çlirimtarëve të Kroacisë, duke luftuar në radhët e luftëtarëve të këtij kombi të shtypur e të shfrytëzuar nga regjimi kriminal i Beogradit. Radhëve të Tahir Sinanit iu kishte bashkuar edhe luftëtarja e lirisë, e burgosura politike, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Hyrë Emini, pjesëmarrëse në tri luftërat tona çlirimtare. Në mesin e tyre ishte edhe ushtar TT-ja, i UÇK-së, Brahim Ademi, nga Kosharja legjendare e Sefë Koshares e Mic Sokolit, si dhe luftëtari  tjetër  i lirisë nga Gostivari, Hisa Fazliu. Në një moment kritik, në rrethana ende jo sa duhet të ndriçuara, Tahir Sinani me trimat e trimëreshat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare bien në fushë të minuar, mbase aksidentalisht. Me të drejtë dyshohet edhe për një inskenim të shërbime sekrete sllavomaqedone, të cilat ishin infiltruar në radhët e luftëtarëve dhe po përcillnin çdo lëvizje të tyre. Pavarësisht nga paqartësitë, Tahir Sinani me bashkëluftëtarë bie në krye të detyrës…

Për merita dhe aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe për kontributin e madh që dha në të gjitha luftërat dhe betejat për çlirimin e trojeve shqiptare, komandant Tahir Sinani, është graduar, dekoruar dhe shpërblyer nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake. Në një ceremoni solemne, organizuar në Kuvendin e Kosovës, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka nderuar me dekorata e medalje një varg personalitetesh të njohura të kombit shqiptar. Dëshmori Tahir Sinani dekorohet me medaljen “Adem Jashari”.

Brigada 116 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilën e kishte udhëhequr vetë me gradën gjeneralmajor, në shenjë respekti, mori emrin “TAHIR SINANI”.

Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka dekoruar me Urdhrin Adem Jashari, ndërsa Këshilli i Bashkisë i qytetit Bajram Curri i ka dhënë titullin “Qytetar nderi”.

Akademia e Mbrojtjes “Hamëz Jashari” i ka akorduar Dekoratë, ndërsa Qendra e Stërvitjes dhe e Doktrinës në Nashec i ka dhënë Mirënjohje.

Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, me seli në Manhaim i ka dhënë Mirënjohje.

Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Brigada 112 “Sherif Januzi- Enver Ramadani” i ka dhenë Lëvdatë.

Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me dekret të shtatorit 2001, posmortum e gradoi Gjeneralbrigade.

Më 29 korrik 2003, në dyvjetorin e rënies së dëshmorit Tahir Sinani, Organizata Kombëtare “Për Dëshmorët e Atdheut”, në Muzeun Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari përkujtimore. Atë ditë, në emër të Shoqatës TROPOJA, kryetari i saj, Adil Neziri, familjes se tij ia dorëzoi eertifikatën Tahir Sinani- Nderi i Shoqatës Tropoja dhe ka propozuar që gjeneralit, i cili bëri tri luftëra për bashkimin e trojeve shqiptare ti jepet titulli i lartë Nderi i Kombit.

Vëllezërit e tij: Sahiti, Njaziu, Cani Riza Agimi, Skënderi Besniku dhe motra Feridja krenohen për veprat heroike të vëllait hero i kombit, Tahir Sinani. Me krenari të ligjshme dhe plot dinjitet e përkujtojnë edhe bashkëshortja, Shpresë Osmani, bijtë Rugova e  Rrezarti dhe bija Rrezarta. ( A. Q. Feniksët e lirisë 2).

Exit mobile version