Mediet ndërkombëtare i kushtojnë sërish vëmendje kultivimit të hashashit në Lazarat dhe pamundësisë së shtetit shqiptar për të ndërhyrë.
Televizioni francez M6, përmes emisionit investigativ “Zonë e Ndaluar”, sjell pamje të reja, të marra në afërsi të fshatit problematik, por pa arritur të hyjë atje.
“Lazarati, kryeqyteti evropian i kanabisit”, titullohet reportazhi në fjalë. Siç shprehen gazetarët francezë, në vitet e fundit, Shqipëria është bërë prodhuesja e parë e kanabisit në Evropë.
“Në një vend ku të tymosësh hashash është e paligjshme, një fshat i tërë është angazhuar në kultivimin e kanabisit. E pafuqishme, ose e korruptuar, policia lejon trafikantët e armatosur që të vijojnë normalisht me punën e tyre”, shkruajnë reporterët e M6.
Duke cituar një fotoreporter vendas, që ndihmoi gazetarët t’i afroheshin Lazaratit, ata theksojnë se është gati e pamundur hyrja në fshat, pasi banorët edhe mund të të vrasin. Ata sjellin në vëmendje hyrjen në Lazarat, të dy të rinjve holandezë, tre vjet më parë, duke marrë edhe pamje nga realizimi i tyre televiziv.
Një biznes i tillë, thuhet në reportazh, po mban të gjallë ekonominë e zonës. Trafikantët sigurojnë punë për të rinjtë nga e gjithë Shqipëria, me një pagesë nga 70 deri në 150 euro në ditë. Shuma që ata marrin nga kjo punë sezonale shkon deri në katër mijë euro në muaj, që është pesë herë më e lartë, se mesatarja e pagesave në Shqipëri.
Në material citohen edhe të dhënat e policisë, sipas të cilave në një vit trafikohen më shumë se 900 tonë kanabis nga Lazarati. Vlera e kësaj sasie arrin në 4.5 miliardë euro, që është sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
“Të armatosur me kallashnikov, prodhuesit e drogës nuk hezitojnë të qëllojnë për të trembur turistët kuriozë apo helikopterët e ushtrisë, që tentojnë të fluturojnë mbi zonë”, përfundon reportazhi”, citon “Vizion+”.
Materiali është pjesë e një vëzhgimi të gjerë të televizionit francez për trafikun e drogës në vendin e tyre dhe pjesa për Shqipërinë zgjat rreth 15 minuta.