Lëndohen 25 qytetarë serbë
Gjatë aksionit të së enjtes të KFOR-it dhe EULEX-it në veri të vendit, 22 qytetarë serbë janë lënduar lehtë.
“Ata janë kuruar në shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok”, ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë, Borivoje Jakshic, drejtor i kësaj shtëpie të shëndetit.
“Gjendja e të lënduarve është stabile. Ata kanë pësuar kryesisht lëndime të lehta trupore, të shkaktuara nga lotësjellësit dhe mburojat e ushtarëve. Lëndime të lehta kanë marrë kryesisht femrat, për shkak se kanë qenë në afërsi të ushtarëve të KFOR-it”, citohet të ketë thënë Jakshic.
E plotësuar- Në Jagnjenicë të veriut të Mitrovicës, rrugë kjo që të shpie për në pikën kufitare në Bërnjak, shihen automjete dhe ushtarë të shumtë të KFOR-it, mirëpo ende nuk e kanë larguar barrikadën vendosur nga serbët në këtë pjesë.
Në anën e serbëve, janë tubuar turma të mëdha ekstremistësh, të cilët po e pengojnë aksionin e KFOR-it për largim të barrikadave.
Ndërkaq, siç raporton reporterja e “Zërit”, thuhet se në atë pjesë është duke punuar një ekskavator i KFOR-it për të hapur rrugë anësore e cila do të mundësojë kalimin e automjeteve dhe vetë ushtarëve të KFOR-it.
Serbët, me të dëgjuar për aksionin e KFOR-it, kanë dalë në barrikadë, ku po qëndrojnë që nga orët e mëngjesit.
E plotësuar- EULEX-i konfirmoi se të enjten në mëngjes, EULEX-i dhe KFOR-i kanë filluar një operacion të përbashkët për rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. EULEX-i po ashtu konfirmoi se janë shënuar disa incidente në veri, por nuk precizoi për çfarë bëhet fjalë. Ndërkaq, mësohet se disa persona që i ka ndaluar EULEX-i, afër pikëkalimit 31, janë liruar më vonë.
Sipas EULEX-it, barrikadat u larguan dhe janë vendosur pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe. Sipas tyre, këto veprime janë ndërmarrë afër Pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut.
Sipas EULEX-it, qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
EULEX kërkoi të enjten nga qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit, pasi këtë tha se e presin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndryshe, gjatë përleshjeve me turmat e serbëve të inatosur, në njërën nga barrikadat në Jagnjenicë, raportohet se janë lënduar 10 ushtarë të KFOR-it.
KFOR ka intervenuar edhe në pikën 31, me ç’ rast ka bastisur një shtëpi.
E plotësuar– Gjatë përleshjeve me turmat e serbëve të inatosur, në njërën nga barrikadat në Jagnjenicë, raportohet se janë lënduar 10 ushtarë të KFOR-it.
KFOR ka intervenuar edhe në pikën 31, me ç’ rast ka bastisur një shtëpi e disa lokale, raporton “ARTA TV”.
E plotësuar- KFOR-i është konfrontuar me turmat e serbëve të zemëruar që po i ruanin barrikadat. Gjatë konfrontimeve dhe britmave mes dy grupeve, siç raportojnë mediet e huaja, ushtarët e KFOR-it në disa raste kanë përdorë edhe gaz lotsjellës kundër demonstruesve.
Paqeruajtësit kanë përdorë altoparlantë për tu bërë thirrje turmave që të largohen, në të kundërtën ata do të përdorin dhunën. Ndërkaq, liderët serbë u kanë bërë thirrje protestuesve që të qëndrojnë të qetë.
Janë parë edhe helikopterë të KFOR-it që po e vëzhgojnë situatën nga lartë.
E plotësuar- Derisa drejt pikës kufitare 31 në Bërnjak, trupat e KFOR-it vazhdojnë të heqin barrikadat dhe të kenë telashe me serbët e revoltuar, trupat e NATO-s nuk kanë lëvizur drejt pikës tjetër kufitare, asaj 1 në Jarinje të Leposaviqit.
Aktualisht situata në këtë pikë kufitare vlerësohet e qetë, por rruga deri atje vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërkohë që raportohet një numër i serbëve janë duke u mbledhur në afërsi të kësaj pike, njofton Express.
Mediat serbe raportojnë se rrjetet telefonike të Serbisë që funksionojnë ilegalisht në territorin e Kosovës si 063 dhe 064 tashmë janë shkëputur.
E plotësuar- Jagenica, vendi ku KFOR-i ka hequr pjesërisht barrikadën e serbëve në mëngjesin e të enjtes tashmë është shndërruar në një vend të qetë, ndërkohë që radikalët vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë kurse trupat e NATO-s kanë krijuar një kordon dhe qëndrojnë pak më larg tyre.
Nëpërmjet një zmadhuesi të zërit, KFOR-i është duke u bërë thirrje serbëve të rebeluar që të largohen nga aty.
Paralelisht me këtë, gjatë tërë natës në Zubin Potok dhe në vendbanimet përreth, serbët kanë lëshuar alarmin e tyre i cili u bënë thirrje qytetarëve të dalin në barrikada, njofton Express.
Ndryshe nga barrikada në Zubin Potok, sipas medieve serbe, trupat e KFOR-it kanë mbërritur atje diku rreth orës 4 të mëngjesit, por nuk kanë arritur ende të largojnë tërësisht barrikadat, për shkak se aty janë mbledhur shumë njerëz.
E plotësuar- KFOR-i zhbllokoi rrugën drejt Bërnjakut
Pika kufitare 31 ne Bërnjak që ndan Kosovën me Serbinë, tashmë është në duart e policisë së EULEX-it.
KFOR-i ka bërë të mundur që serbët të largohen nga aty dhe se trupat e NATO-s deri atje kanë shkuar nëpër rrugë tokësore duke i larguar barrikadat e vendosura tash e disa muaj.
Përveç kësaj, forca të mëdha të KFOR-it tashmë janë të vendosur në veri të vendit të shoqëruara edhe me mjetet përkatëse, kurse pastrimi i rrugës ende vazhdon.
Tash në këtë rrugë, është KFOR-i që ka vënë postëblloqe.
Por derisa situata e rrugës drejt pikës kufitare në Bërnjak duket të jetë më e qartë, pavarësisht tensioneve, ende nuk ka të dhëna të sakta se çfarë është duke ndodhur në rrugën drejt pikës kufitare 1 në Jarinje të Leposaviqit.
Aksion i KFOR-it në veri
Më në fund është vërtetuar se trupat e KFOR-it ia kanë mësyrë veriut të vendit për të zhbllokuar rrugët.
Njësitet e KFOR-it janë nisur drejt pikës kufitare në Bërnjak, ndërkohë që kanë hasur në rezistencën e parë të serbëve në fshatin Zupçe.
Presidenti serb, Boris Tadic është zgjuar herët sot për të kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i përmbajtje në veprimet e tyre.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje përfaqësueseve të serbëve lokalë të marrin vendime, siç ka thënë ai në interes të qytetarëve dhe jo për interesa të liderëve të tyre partiakë në përfitim për zgjedhjet në Serbi.