Leonora Jakupi dekorohet nga Presidenti Topi”, Presidenca e përgënjeshtron
Presidenca e kryetarit Bamir Topi dhe më saktësisht zyra për informim ka përgënjeshtruar fjalët e këngëtares Leonora Jakupi, e cila nëpër media kishte thënë se është dekoruar me “Medalje të artë” nga kryetari shqiptar për kontributin e dhënë në koncerte humanitare.
Lajmi fillimisht doli kështu: “Këngëtarja e njohur Leonora Jakupi është nderuar me medalje të artë nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, për kontributin e dhënë në koncertet humanitare gjatë karrierës së saj muzikore. Leonora është e vetmja këngëtare femër nga Kosova që është nderuar me këtë çmim. Ajo deri tani nuk ka ngurruar të marrë pjesë në më se 110 koncerte humanitare. Ajo ndihet e kënaqur me këtë mirënjohje që ia ka bërë pikërisht Presidenti i Shqipërisë, duke u dhënë shembull edhe udhëheqësve tanë në Kosovë”. Kështu ishte lajmi që fillimisht ishte trasmetuar nga disa media në Kosovë e më saktësisht nga gazeta “Zëri”, madje këta të fundit e kishin kontaktuar edhe këngëtaren Jakupi, e cila ishte shprehur kështu: “Ndihem shumë e privilegjuar që Presidenca e Shqipërisë, me në krye Bamir Topin, më ka nderuar me këtë medalje. Ishte nder i madh për mua të jem e vetmja femër nga Kosova, të nderohem nga një President i shtetit më të dashur për ne, siç është Shqipëria.
Është një ndjenjë e veçantë të kuptosh se karrierën tënde po e përcjell një shtet tjetër dhe kjo le të jetë një shembull edhe për udhëheqësit tanë”. Mirëpo, vetëm pak ditë nga buja mediale që bëri ky lajm, disa media të tjera në Kosovë shkruajnë se këngëtarja e njohur Leonora Jakupi nuk është dekoruar me asnjë medalje nga Presidenti Topi, por ajo së bashku me disa artistë dhe biznesmenë shqiptarë kanë pasur takim me Presidentin Topi. Madje, ata kanë kontaktuar edhe zyrën për informim pranë Presidencës, ku Mimoza Koçiu, zëdhënëse e Presidentit, ishte shprehur:
“Nëse do të kishte pasur dekorime, do t’i kishim bërë publike, sepse transparenca është bazë e marrëdhënies së institucionit të Presidentit me publikun”. Zonja Koçiu me anë të postës elektronike kishte dërguar këtë mesazh në disa media kosovare për të sqaruar lajmin. Në komunikatën e lëshuar më 6 shtator, thuhet se Presidenti Topi ka pritur në takim një grup artistësh, drejtues artistikë, regjisorë, këngëtarë, poetë dhe kompozitorë nga Shqipëria e Kosova, të cilët në vitet 1998-1999 organizuan dhe vunë në skenë 109 koncerte “Homazh për Kosovën”, me qëllim të ndërgjegjësimit të mbarë kombit shqiptar edhe në diasporë për tragjedinë që pësoi populli i Kosovës. Grupi i artistëve përbëhej nga: Remzi Ejupi, Cun Lajci, Mirush Kabashi, Edmond Zhulali, Manjolla Nallbani, Ilir Shaqiri dhe Leonora Jakupi. Në këtë takim, kryetari i shtetit ka vlerësuar lart kontributin e artistëve, por askund nuk është përmendur asnjë dekoratë e bërë nga Topi.