Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë, pasi ka shtruar si ide që banorët e Maqedonisë të lëvizin vetëm me letërnjoftime me Serbinë dhe me Kroacinë, kanë shprehur gatishmëri që një veprim i tillë në të ardhmen të merret edhe me Kosovën dhe Shqipërinë.
Sipas zëdhënësit të këtij dikasteri, Ivo Kotevski, një mundësi e tillë do të ishte në favor të gjithë qytetarëve të tri shteteve, sepse në atë mënyrë, “qytetarët do të jenë të më të lirë në lëvizjet e tyre”.
“Ne marrëveshje të tillë kemi firmosur vetëm me Serbinë, ndërsa më Kroacinë akoma ajo nuk ka përfunduar, por jemi duke punuar maksimalisht në atë drejtim. Ndërkaq, sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, mendoj se janë dy shtete fqinjë me të cilët deshëm apo nuk deshëm, duhet të ndërtojmë raporte të mira fqinjësore. Një mundësi e tillë që në të
ardhmen të realizohet me Kosovën e Shqipërinë është e arritshme, por duhet së pari të plotësohen të gjitha mekanizmat ligjorë, marrëveshje kjo që duhet të jetë e bazuar mbi fakte dhe argumente”, ka thënë Kotevski.
Sipas tij, për të arritur një marrëveshje e tillë, realisht më afër është shteti shqiptar, i cili tanimë është e liruar nga regjimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa “me shtetin e Kosovës duhet akoma shumë punë, por pozitive është fakti se kemi filluar duke nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi”, ka shtuar Kotevski.