Euro-komisarin Shtefan Fyle maqedonasit e shajnë ndërsa shqiptarët e duan, madje ata kanë vendosur që atij ti japin edhe një çmim për kontributin që ai ka dhënë. Plot 12 letra nga institucione të ndryshme, përfshirë këtu edhe universitetet maqedonase dhe studentët maqedonas kanë arritur në adresë të Fyles, ndërkaq në bllokun shqiptar disponimi është krejt i kundërt. Burime të “Lajmi”-it marrin vesh se komunat që udhëhiqen nga shqiptarë janë duke u marr vesh se cila prej tyre ti jap atij çmimin Qytetar nderi. Ndërkaq, edhe studentët shqiptarë po mendojnë që të ndërmarrin diçka pro euro-komisarin. Kryetari i Parlamenti të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), Shaban Asllani tha për “Lajm” se do të ndërmarrin diçka, por akoma nuk kanë vendosur. “Të mërkurën do të mblidhet kryesia e parlamentit të studentëve dhe do të shohim se çfarë do të ndërmarrim”, tha ai. Iniciativën e studentëve të USHT-së do ta mbështesin edhe studentët e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Kryetari i parlamentit të studentëve të UEJL-së, Pajtim Thaçi tha se do të mbështesin çdo lloj iniciative të studentëve të USHT-së që do të jetë pro euro-komisarit Shtefan Fyle.
Deri më tani në adresë të Fyles janë dërguar plot 12 letra. Kanë reaguar Federata e Futbollit të Maqedonisë, Federata e Basketbollit të Maqedonisë, Federata e Hendbollit të Maqedonisë, Drejtoria e ‘Mbrëmjet poetike të Strugës’, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, Konfederatat e Sindikatave të Maqedonisë, si dhe rektorët e Universiteteve shtetërore ‘Shën Kirili dhe Metodi’,‘Goce Dellçev’ dhe Shën Klimenti i Ohrit’, si dhe Parlamentet e studentëve të këtyre Universiteteve.
Analistët vlerësojnë se letrat drejtuar euro-komisarit për zgjerim janë nxitur nga Qeveria.