Pakënaqësitë e anëtarëve shqiptarë kanë të bëjnë me regjistrimin e diasporës dhe mundësinë e lënies së tyre jashtë regjistrimit për shkak të, siç thonë, interpretimit ndryshe të ligjit nga anëtarët maqedonas të komisionit. Paraprakisht, anëtarët shqiptarë njoftuan edhe për mungesën e 1 mijë regjistruesve shqiptarë, që po ashtu lë hapësirë për manipulime, si dhe për fillimin e trajnimeve vetëm në gjuhën maqedonase.
“Duke mos dashur t’i referohem problemeve të natyrës politike, që u alokuan në adresën përkatëse dhe akoma mbahen hapur deri këto momente, duke u nisur nga fakti tashmë i konstatuar edhe nga pjesa dominuese e KSHR, se nuk janë realizuar përgatitjet teknike, organizative dhe operative për realizimin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, duke u nisur nga rreziqet e mëdha që dalin nga rrethana me shumë të panjohura dhe duke marr guximin e shprehjes publike për këtë, pas përpjekjeve jo mjaft të suksesshme për harmonizim dhe koordinim të procesit, deklaroj dorëheqje të parevokueshme nga pozita e zv/ kryetarit të Komisionit Shtetëror për Regjistrim”, thuhet në njoftimin me shkrim të Abdylmenaf Bexhetit.
Ndërkohë Bexheti nuk ka dashur të elaborojë më hollësisht arsyet për ketë veprim, nga shkaku që të mos krijojë huti në opinion. Sipas tij, të gjitha përpjekjet për bashkërenditje dhe koordinim në këtë proces me palët tjera të interesuara nuk dhanë rezultatet e duhura.
TV Alsat-M mëson se dorëheqjen nga funksioni anëtar i KSHR-së e kanë deponuar edhe Fauzi Skenderi, si dhe anëtarët e tjerë shqiptarë në KSHR. Ndërkohë që anëtarëve shqiptarë iu bashkëngjiten edhe tre anëtarë të KSHR-së nga komuniteti turk, që nënkupton se pos nënkryetarit Bexheti faktikisht kanë dhënë dorëheqje edhe 8 anëtarë të tjerë.