www.Zemra.Org

Maqedoni: Për një vit, 3272 plaçkitje dhe grabitje

Fenomeni i plaçkitjeve dhe i grabitjeve, qofshin të lehta apo të rënda, është sfida më e re me të cilën po përballen në vazhdimësi autoritetet dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Rastet e plaçkitjeve dhe të grabitjeve me forcë, janë në rritje dhe shqetësuese…

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm në vitin 2012 janë regjistruar 3272 vepra penale të plaçkitjeve të rënda nëpër shtëpi dhe dyqane, që është për 300 raste më pak se në vitin 2011. Edhe numri i grabitjeve (me forcë), nuk është i pakët, kur dihet natyra e kësaj vepre. Vitin e kaluar janë regjistruar 469 grabitje, që gjithashtu është për rreth 100 vepra më pak se në vitin 2011.

Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, thekson për Zhurnal Plus se kryerësit më të shpeshtë të veprave penale të grabitjes dhe plaçkitjes, janë recidivistët që dëshirojnë të pasurohen “ad hoc” në mënyrë ilegale. Kotevski thotë se rastet e grabitjes janë më të lehta se ato të plaçkitjes, për t’u ndriçuar.

I pyetur për aspektet sociale të kësaj dukurie, sociologu Metush Sulejmani thotë se ato janë shumëdimensionale. Një nga faktorët që nxisin fenomenin e vjedhjes është faktori ekonomik, varfëria ekstreme dhe papunësia gjithnjë e më e madhe.

“Për një shtresë të kësaj popullate ndoshta nuk ka mbetur rrugëdalje tjetër përveç vjedhjes”, vlerëson Sulejmani.

Faktori tjetër që ndikon në fenomenin e vjedhjeve është edhe sistemi i vlerave dhe mënyra e edukimit dhe arsimimit të të rinjve.

Exit mobile version