KosovaLajmeMaqedoniaPolitika

Maqedonia filiali më i afërt i Beogradit

Maqedonia ndjehet më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën dhe shtetet e tjera, ndaj edhe krerët e shtetit maqedonas zhvillojnë takime të rregullta me krerët e shtetit serb dhe asnjë takim me krerët e shtetit kosovar. Në ndërkohë Serbia po përpiqet që të rikthejë homogjeninë sllav në Ballkan.

Analisti Kim Mehmeti thotë se Maqedonia ka qenë dhe mbetet filiali më i afërt i Beogradit. “Sa herë që Maqedonia është munduar ti ikë kthetrave të Beogradit, atë e ka kapluar frika se mos afrohet me ndonjë shtet tjetër. Ky është ai kompleksi i vëllait të vogël ndaj vëllait të madh, i cili ka frikë se po e humbi vëllanë e madh do të humbasë edhe vetë”, thotë Mehmeti për “Lajm”.

Ndërkaq, analisti Nexhmedin Spahiu, vlerëson se lidhjet e mëparshme që ka pas Maqedonia me Serbinë si shtete të ish Jugosllavisë nuk janë ndërprerë dhe vazhdojnë akoma, ndërsa Serbia po përpiqet që të rikthejë homogjenizimin ish Jugosllav në Balllkan. “Serbia po kërndjellet dhe ka një politikë të rikthimit të homogjenisë jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shtete e tjera të ish Jugosllavisë. Në Slloveni fitues i zgjedhjeve është një gjysmë serb, po ashtu edhe në Kroaci zgjedhjet i ka fituar një tjetër Zoran, i cili po ashtu cilësohet si pro serb dhe duke marrë parasysh situatën në Bosnjë Hercegovinë, elemente këto që  tregojnë se Serbia po kërndjellet nga humbjet që i ka pësuar në dekadën e fundit të shekullit të kaluar  dhe po konsolidohet në krijimin e homogjenisë së ish Jugosllavisë në Ballkan”, thotë Spahiu për “Lajm”, duke shtuar se edhe Maqedonia bën pjesë në këtë fotografi.

Sipas tij, shtetet e vogla, siç është Maqedonia, shohin tek Serbia një shtet të fuqishëm ndaj edhe mbështeten tek ajo.

Deri më tani krerët e shtetit maqedonas, presidenti, kryeministri dhe kryetari i parlamentit kanë zhvilluar disa takime me krerët e shtetit serb. Ndërkaq, as kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe as presidenti Gjogje Ivanovi nuk kanë realizuar asnjë takim me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin dhe presidenten Atifete Jahjaga.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button