www.Zemra.Org

Maqedonia, vendi ku Ligjet votohen dhe nuk zbatohen

Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, jo vetëm që nuk e zbaton vetë Ligjin, por edhe i pengon kur të tjerët e zbatojnë atë.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk dëshiron që të komentojë veprimin e ministres, ndërsa për partitë shqiptare në opozitë, veprimi i saj tregon se partia ku ajo bën pjesë nuk është e interesuar që ti zbatojë Ligjet që i sjellin vetë.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se BDI bën përpjekje të vazhdueshme për implementimin e Ligjit të gjuhës. “Nuk dëshirojmë të komentojmë qëndrime personale. BDI është e angazhuar që ky ligj të implementohet në tërësi dhe veprimi i drejtorit të QMK tregon se ky ligj po gjen zbatimin e duhur”, tha Osmani.

Ndërkaq, Deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri thotë se partneri i koalicionit qeveritar, edhe pse e votoi Ligjin për përdorimin e gjuhës nuk dëshiron që ta zbatojë atë ligj. “Mosrespektimi i kësaj norme ligjore nga ana e ministres tregon një mosrespektim të ligjit. Ajo për mendimin tonë është një sjellje e pahijshme që tregon një shpirtngushtësi dhe nuk tregon mirëkuptim dhe respektim të një norme ligjore”, thotë Zeqiri, duke shtuar se veprimi i ministres tregon  mënyrën e të punuarit të VMRO-së, ku, siç thotë ai janë mësuar të sjellin vendime dhe të mos i  zbatojnë ato.

“Është një injorim që i bëhet shqiptarëve dhe shqipes, jo vetëm nga Jankullovska, por edhe nga ministrat e tjerë, p.sh. në parlament nuk i vënë dëgjueset për të dëgjuar shqip”, thotë Zeqiri.

Gjatë promovimit të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, drejtori Zulfi Adili iu drejtua të pranishmëve edhe ne gjuhën shqip, veprim ky që acaroi nervat e ministres së punëve të Brendshme, nervozë të cilën e shprehu publikisht. “Për dallim nga drejtori i cili tentoi që fjalimin e tij t’ia përkthej në disa gjuhë të huaja përfaqësuesve të huaj që janë prezent këtu, unë do t’ia lë atë përkthyesit dhe besoj se nuk do të ma merrni për të madhe pasi jeni përfaqësues nga më shumë shtete të huaja dhe që përkthimi do të jetë vetëm në gjuhën angleze”, u shpreh Gordana Jankullovska, duke e quajtur shqipen gjuhe të huaj, ndërsa shqiptarët njerëz të huaj.

Exit mobile version