Tetovë, 11 prill- Jo zyrtarisht merret vesh që djali i liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi është njëri prej të lënduarve në masakrën e djeshme që ndodhi në Tetovë.
“Mbrëmë rreth orës 22.00 në lokalin “Barcode” në rrugën JNA (Dervish Cara) në Tetovë në pronësi të dy tetovarëve nga 36 dhe 39 vjeçar, ka ndodhur një incident i armatosur ku si pasojë kanë mbetur të lënduar 11 persona të cilët janë dërguar në Spitalin Klinik në Shkup dhe atë të Tetovës. Nga ky incident Altrim A., 22 vjeçar nga fshati Poroj i Tetovës ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin “Sistina” në Shkup pasi që kishte marrë plagë në kraharor dhe stomak. Trupi i tij është ndalur për obduksion.” shprehet Josifoski.
Ai njofton se gjashtë personat e tjerë që janë gjendur në objekt në moshë prej 20 deri më 25 vjet dhe që kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit në ekstremitete, janë dërguar në Spital në Shkup.
Katër personat e tjerë që kanë marrë lëndime nga xhamat e thyer djegiet dhe objektet e forta gjatë incidentit janë dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës dhe pas mjekimit të plagëve janë lëshuar për mjekim shtëpiak.
Ekipi i SPB dhe Prokurori publik bënë ekspertizën në vendin e ngjarjes ku gjetën më shumë gëzhoja të zbrazura nga municioni i pistoletës me kalibër prej 9 milimetrave si dhe një projektil të pa eksploduar.
Njëri nga personat i dyshuar për vrasje është ndaluar nga policia ndërsa në kërkim është tjetri për të cilin dyshohet që i ka ndihmuar të parit.
Policia thotë se ende nuk ka zbuluar motivin e këtij incidentit.
Zemra.org jo-zyrtarisht mëson se një nga të lënduarit në këtë incident ka qenë edhe djali i liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi.