Një skandal i turpshëm ka tronditur shërbimin sekret amerikan, pasi ka rrjedhur një informacion në lidhje me një takim të agjentëve dhe ushtarëve amerikanë me prostituta në një hotel në Kolumbi.
Pasi 11 anëtarë të shërbimit që ruajnë presidentin amerikan Barak Obama u larguan nga detyra, incidenti u përhap në publik dhe në ushtrinë amerikane – e cila ka publikuar lajmin se pesë zyrtarë të saj ishin në hotelin e njëjtë, bashkë me anëtarët e shërbimit sekret. Shoqërimi me prostituta ka ndodhur kur ata ishin në detyrë për të siguruar udhëtimin e Obamas në Amerikën Jugore, në një hotel i cili planifikohej edhe për qëndrimin e presidentit.
Ushtarët u sollën në selinë e ushtrisë amerikane në Kolumbi, ndërsa janë urdhëruar që të mos kontaktojnë me ushtarët tjerë.
Zëdhënësi i shërbimit sekret amerikane, Edwin Donovan, tha dje për BBC se agjentët ishin zëvendësuar dhe se sigurimi për presidentin Barack Obama nuk do të ketë asnjë mangësi.
Donovan tha se Agjencia i ka marrë “shumë seriozisht informacionet për sjellje negative të agjentëve dhe theksoi se një hetim është hapur për këtë çështje”.
“Washington Post” dje ka shkruar se agjentët janë thirrur në Washington dhe se dyshohej për përfshirjen e tyre në raporte me me prostitutat.
Ngjarje fatkeqe, e cila u konfirmua sot, u zhvillua para se Obama të arrinte në portin e Kartagjenës të premten, ku mbahej një takim me 33 krerë të rajonit.
Shërbimi sekret nuk ka publikuar detajet e skandalit, ndërsa Associated Press ka raportuar se në të ishin të kyçura edhe prostitutat. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Obama ishte informuar për këtë incident.
“Të gjitha së bashku, akuzat për marrëdhënie me prostituta gjatë përgatitjes së detyrave për sigurimin e ardhjes së Obamas, paraqesin një turp të madh për presidentin amerikan në tokën e huaj, ndërsa rrezikojnë përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë që rruga në Amerikën e Jugut të përqendrohet vetëm në forcimin e lidhjeve ekonomike me shtet në zhvillim”, shkruan AP.
Lajmi për skandalin e bëri publik kongresisti republikan Peter King, kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Ai tha se gratë “ka të ngjarë të jetë prostituta” dhe se hetuesit janë duke biseduar me agjentët.
Ai tha se agjentët janë kapur në flagrancë kur një nga gratë mbeti në dhomën e agjentit deri pas orës 7 të mëngjesit, që është në kundërshtim me rregullat e hotelit. Kur agjenti refuzoi t’ia hapte dyert një punonjësi në hotel, është thirrur policia, e cila për gjithçka e ka njoftuar ambasadën amerikane.