LajmeMaqedonia

Më lehtë punësohet një femër e bukur, se një ushtar i UÇK-së

“Më lehtë punësohet një femër e bukur se një ish ushtarë i UÇK-së. Ministrat tonë i kanë mbushur kabinetet me vajza të reja të cilat në disa raste as shqip nuk flasin mirë, ndërsa kanë harruar ata që e bënë luftë dhe që i sollën në ato poste ku janë” kështu e fillon rrëfimin i revoltuar nga politikanët shqiptarë ish ushtari i UÇK-së, Ersan Haziri, nga fshati Llopat i Kumanovës. Ai i është bashkangjitur UÇK-së në moshën 17 vjeçare, për t’iu kundërvënë politikës nënçmuese ndaj shqiptarëve. Tani është 27 vjeç, bredh rrugëve i pa punë, ndërsa mbijeton nga ndihma që i ofrojnë disa familjarë të cilët qëndrojnë më mirë ekonomikisht. Jeton në një shtëpi bashkë me tre vëllezërit dhe prindërit e tij.
“Rrezikova gjithçka për një jetë më të mirë, ndërsa sot më ndihmojnë të tjetër për të mbijetuar, unë vet mbeta në rrugë, kjo nuk është e drejtë. Shumë njerëz që përfituan nga lufta të cilën e bëmë ne, sot nuk pranojnë të takohemi. Kam qenë disa herë në zyrat e BDI-së në Kumanovë, i kam njoftuar me rastin tim dhe kam kërkuar nga ata ndihmë për të më punësuar, por asnjëherë, askush nuk më ka dal në ndihmë. Kam të kryer shkollimin e mesëm dhe mund të punoj gjithçka që më ofrohet” shprehet i revoltuar Haziri.
Është shumë i zhgënjyer nga disa zyrtarë shqiptarë të cilët thonë se nuk ka ngelë asnjë ushtarë i UÇK-së pa u punësuar.
“Rasti im tregon më së miri se sa mashtrojnë ata të cilët i zgjodhëm me pushkë dhe me votë. Unë kam edhe shumë shokë të luftës që janë të papunë por që nuk duan të flasin publikisht nga frika se mund t’i humbin gjitha shanset për punë. Edhe unë i kam menduar gjitha këto por më nuk mund të hesht” tha Haziri, duke përgënjeshtruar kështu deklaratat e disa zyrtarëve të lartë shqiptarë në Qeveri, të cilët pohojnë se të gjithë ushtarët e UÇK-së, tanimë janë të punësuar.
Preket shumë kur sheh se si disa njerëz që dikur e shanin luftën, sot kanë zënë pozicione të larta dhe kanë punësuar gjithë anëtarët e familjes në krah të saj. Por ‘ngullëshohet’ kur sheh në gjendje edhe më të rëndë familjet e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së.
“Shumë padrejtësi na bëhen. Por nuk thonë kot, njeriu është më i fortë se guri. Edhe përkundër problemeve ekonomike dhe padrejtësive, ndonjëherë ndjehem shumë me fat që shpëtova nga lufta pa asnjë pasojë fizike. Kur i shoh ata që dhanë edhe pjesë të trupit që dikush sot të ulet në karrige të buta të pushtetit, apo kur shoh shumë fëmijët, nëna e gra që humbën më të afërmit e tyre në luftë, zemra më ligështohet, them me vete, ka edhe më keq se unë”, rrëfen Haziri.
Në një linjë me rrëfimin e Hazirit është edhe përfaqësuesi i organizatës së veteranëve të luftës, Besim Hoda, i cili apeloi tek partitë politike të mos përdorin emrin e UÇK-së vetëm për marketing politik, por të punojnë më shumë për ata që nuk kursyen asgjë për luftë.
Statusi i UÇK-së vazhdon të mbetet i pazgjidhur edhe nëntë vite pas përfundimit të luftës. Ministri për punë dhe politikë sociale Xhelal Bajrami kishte deklaruar se kjo çështje do të mbyllet deri në fund të vitit 2009, por tani ka ndryshuar qëndrimin, afatin e ka shtyrë deri në fund të mandatit të kësaj qeverie. Dhe, derisa politikanët vazhdojnë këtë çështje ta përdorin vetëm në fushata për të poentuar politikisht, shumë nga ana ata që rrezikuan gjithçka në vitin 2001, vuajnë ndonjëherë edhe për gjërat më elementare për jetë. Kush përfitoi nga konflikti i vitit 2001? Pse u bë lufta? Pse duhet të vuajmë ne? pyesin ushtarët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve.
Hoda: Vetëm 10% e ushtarëve të UÇK-së të punësuar
Besim Hoda nga Organizata e veteranëve të luftës nuk e di saktë sa ish ushtarë të UÇK-së janë të papunësuar, por nuk beson se ky numër shkon më lartë se 10%. “Ushtarët e UÇK-së nuk merren parasysh fare gjatë punësimeve. Edhe ata që janë punësuar janë detyruar të bëhen ushtarë të ndonjë partie politike. Ata që nuk janë përzier në parti dhe që kanë ruajtur idealin në vete, kanë mbetur rrugëve” tha Hoda. Ai, sqaron se në situatë edhe më të keqe janë familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës. “Kjo kategori, që është pjesa më e ndritur e kombit, ka mbetur anash. Për ata kujdesen vetëm organizatat humanitare dhe disa individ në bazë të dëshirave, zakonisht në prag të festave” shtoi Hoda.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button